Javën e parë të qershorit, kontejnerët e mbeturinave në Durrës u tejmbushën sërish me plehra, pasi Landfilli i Sharrës raportohet se refuzoi të merrte për disa ditë mbetjet e qytetit bregdetar.
Kjo situatë e përsëritur, e cila vjen në kohën kur Durrësi sapo hyri në sezon turistik pas dy vitesh të vështira të shënuara nga tërmeti dhe pandemia, e shtyu Këshillin Bashkiak të fusë në rend të ditës me procedurë të përshpejtuar një pikë shtesë në mbledhjen e datës 10 qershor, për miratimin e skenarit të menaxhimit të mbetjeve.
Në mbledhjen e mbajtur online për shkak të kufizimeve për ndalimin e shpërndarjes së COVID-19, Këshilli Bashkiak vendosi t’i kërkojë qeverisë financimin e ndërtimit të një stacioni transferimi për mbetjet brenda Qarkut të Durrësit, si dhe të subvencionojë pagesën e ‘tarifës së portës’ për depozitimin e mbetjeve në Landfillin e Sharrës, duke zgjedhur një prej tre skenarëve të ofruar në bazë të një studimi të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, AKUM.
“Plehrat që ne kemi parë nëpër qytet këto ditë nuk janë neglizhencë e jona, por janë pasojë e këtij ngërçi, pasi ne kemi mjete të kufizuara. Landifilli i Sharrës ka më shumë se një vit që na pranon mbetjet pa asnjë lloj kontrate, pa asnjë lloj pagese dhe kjo është një çështje delikate që unë jam e lumtur që mori zgjidhjen ligjore”, deklaroi gjatë mbledhjes, kryebashkiakja Emiriana Sako.
Arkitektja 38-vjeçare, e cila drejton qytetin e dytë më të madh të vendit si kryetare e komanduar prej prillit të vitit 2020, ka të drejtë të ndjehet e lehtësuar. Prej më shumë se një viti, ajo dhe zyrtarët e Bashkisë Durrës ishin nën presion për të arritur një marrëveshje me Landfillin e Sharrës nga njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri, kryeministri Edi Rama.
Megjithatë, kostot e larta të depozitimit të mbetjeve në Sharrë dhe fakti që Bashkia Durrës nuk ka para për të paguar shërbimin e menaxhimit të mbetjeve ngre këmbana alarmi për ekspertët e qeverisjes së mirë. Sipas tyre, me shërbimin e djegies së mbetjeve në Shqipëri është krijuar një situatë oligopoli dhe prapa saj qëndrojnë interesa korruptive që arrijnë në nivelet më të larta të pushtetit.
“Me përpunimim e mbetjeve urbane po ndodh ajo që ka ndodh me të gjitha industritë tek ne, keqmenaxhim, krijimi i situatave emergjente me efekt të fortë publik dhe justifikim i kontratave direkte me impakt në fitime të pamerituara të operatorëve privatë,” thotë Zef Preçi, drejtues i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike. “Janë kontrata gjerësisht të dyshuara për favoritizëm, klientelizëm dhe korrupsion,” shtoi ai.
Preçi i referohet tre kontratave koncesionare të nënshkruara nga qeveria e kryeministrit Edi Rama për ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, të cilat mund t’i kushtojnë gati gjysmë miliardë euro taksapaguesve shqiptarë në 30 vitet e ardhshme.
Pas kallëzimeve të bëra për korrupsion nga opozita dhe shoqëria civile, këto kontrata po hetohen nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuara dhe Korrupsionit, SPAK.
“Janë dy procedime penale në hetim për incineratorët, Elbasan, Tiranë dhe Fier,” i tha BIRN kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja.
“Janë në hetim paraprak dhe kanë shumë veprime që duhen kryer për të sqaruar plotësisht rrethanat,” shtoi ai, ndërsa përforcoi se, “patjetër janë në përparësi të prokurorëve që i kanë në ndjekje.”
Dhjetëfishim i kostove
Për më shumë se dy dekada, mbetjet urbane të Bashkisë së Durrësit janë depozituar në vendgrumbullimin e Porto-Romanos.
I vendosur në zonën e Ish-Kënetës, rreth 4 kilometra në veri të qytetit bregdetar, ky vendgrumbullim mbetjesh i hapur në vitin 1994 nuk ishte ndërtuar sipas parametrave teknikë, ç’ka sillte rreziqe të mëdha për ndotjen e mjedisit. Plani Lokal i Menaxhimit të Mbetjeve për Bashkinë e Durrësit për vitet 2010-2025, i financuar nga Banka Botërore, e përshkruante performancën mjedisore të Porto Romanos si ‘katastrofike’.
Për të shmangur kërcënimin që përbënte ky venddepozitim për ndotjen e mjedisit, dokumenti sugjeronte rehabilitimin e Porto-Romanos dhe ndërtimin e një landfilli të ri sanitar me jetëgjatësi 20 vjeçare.
Plani vlerësonte se për mbylljen dhe rehabilitimin e venddepozitimit të Porto-Romanos nevojiteshin 4 milionë euro dhe për ndërtimin e një landfilli të ri rreth 5.1 milionë euro.
Për gati një dekadë, qeveria shqiptare bëri një vesh shurdh ndaj kërkesave të përsëritura të Bashkisë së Durrësit për të financuar ndërtimin e një landfilli të ri dhe rehabilitimin e venddepozitimit në Porto-Romano.
Indiferencës së qeverisë i erdhi fundi pas firmosjes së kontratës koncesionare për inceneratorin e Tiranës – një projekt që vlerësohet se ka kapacitet më të lartë se sa kërkojnë mbetjet e gjeneruara nga kryeqyteti.
Tre javë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019 – kur Durrësi ishte ende një qytet ‘fantazmë’, kryeministri Edi Rama i hapi rrugën mbylljes së vendepozitimit të Porto Romanos dhe rehabilitmit të tij në një park, me një kosto prej 15 milionë euro, ose gati katërfish më lartë se ishte projektuar një dekadë më parë.
Mbyllja e venddepozitimit të Porto-Romanos e futi Durrësin në një situatë ‘emergjence mjedisore’ dhe bashkia u vendos nën presion nga qeveria për depozitimin e mbetjeve në Tiranë.
Sipas Planit Kombëtar Sektorial për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta, territori i Shqipërisë ndahet në 10 zona mbetjesh. Bazuar në këtë plan më 20 maj 2020, Këshilli i Ministrave mori një vendim, sipas të cilit për çdo zonë mbetjesh duhet të përgatiten studime fizibiliteti rajonale, të cilat duhet të hartohen nga ministria përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve.
Në mungesë të një studimi fizibiliteti nga ministria e linjës dhe për shak të emergjencës mjedisore, më 1 gusht 2020, Bashkia e Durrësit iu drejtua Kryeministrisë duke i propozuar 3 alternativa për t’i dhënë fund situatës kritike ku ndodhej. Alternativa e parë ishte ndërtimi i një landfilli sanitar në Sukth-Radë, bazuar në një propozim të pakërkuar për PPP nga kompanitë ‘A.S.A International Environmental Services GmBH’ dhe ‘GeoTest’. Alternativa e dytë ishte ndërtimi i një landfilli në fshatin Gjepalaj, bazuar në studimin e kompanisë ‘Taulanti’ Sh.p.k, dhe alternativa e tretë është dërgimi i mbetjeve në Landfillin e Sharrës.
Sipas bashkisë Durrës, të tre opsionet ofronin zgjidhje për menaxhimin e mbetjeve për një periudhë 20 vjeçare.
Landfilli i Sukthit parashikohej të kishte një kosto investimi prej 11 milionë euro, Landfilli i Gjepalajt prej 5.2 milionë euro, ndërkohë që dërgimi i mbetjeve në Sharrë u vlerësua nga Bashkia se ka një kosto prej 51.1 milionë euro, përfshirë tarifën e transportit prej 4 euro.
Këto alternativa nuk u vlerësuan nga qeveria, e cila porositi nëpërmjet AKUM-it një studim të ri, i cili parashikonte tre skenarë për zgjidhjen e situatës, dy prej të cilëve përfshinin dërgimin e mbetjeve në Sharrë me një sistem riciklimi me 2 ose 3 kosha, dhe një të tretë që parashikonte mbajtjen e Durrësit si zonë të vetme mbetjesh me një sistem riciklimi me 3 kosha.
Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi skenarin e dytë, sipas së cilit duhet të ndërtohet një sistem transferimi me vlerë 5.5 milionë euro dhe mbetjet do të depozitohen me tarifë porte tek koncesionari i Sharrës me vlerë 40.57 euro për ton gjatë një periudhe 20 vjeçare.
Sipas vlerësimit të bashkisë në Durrës asgjësohen rreth 75 mijë ton mbetje në vit, çfarë do të thotë se vetëm tarifa e portës për koncesionarin e Sharrës shkon në 3 milionë euro në vit, ose më shumë se 60 milionë euro për një periudhë 20 vjeçare.
Ky çmim që shkon sa dhjetëfishi i kostos së parashikuar për ndërtimin e landfillit sanitar është i papërballueshëm nga buxheti i Bashkisë së Durrësit dhe nga tarifa që ajo mbledh për menaxhimin e mbetjeve.
Për të mbuluar kostot shtesë, Këshilli Bashkiak i Durrësit i kërkon qeverisë subvencionimin e tarifës për një periudhë 10 vjeçare. Megjithatë, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, kryebashkiakja Sako paralajmëroi që subvencionimi nga qeveria mund mos të vinte i plotë.
“Sigurisht që ne kërkojmë sepse kemi një vizion afatgjatë për bashkinë e Durrësit, por kjo kërkesë nuk do me thënë që do të merret në konsideratë 100%,” paralajmëroi Sako.
Sipas Sakos, miratimi i skenarit të menaxhimit të mbetjeve është një hap i ndërmjetëm dhe lidhja e kontratës me kompaninë koncesionare të Sharrës do të realizohet vetëm pas një vendimi të qeverisë.
Kompania koncesionare e Landfillit të Sharrës, Integrated Energy B.V i ka justifikuar kostot e trajtimit të mbetjeve të Tiranës dhe Durrësit, duke deklaruar se kostot e incenerimit janë edhe më të larta në vendet e Bashkimit Europian, që sipas saj arrijnë në 70-80 euro për ton.
Megjithatë, ekonomisti Zef Preçi nuk është i bindur dhe thekson se në sektorët oligopol, siç është rasti i trajtimit të mbetjeve në Shqipëri, duhet të ndërhyjë shteti për të rregulluar tregun, por e kundërta po ndodh.
“Keqqeveriset një sektor i caktuar, krijohet një situatë emergjence dhe justifikohet në publik shpërdorimi i parave publike apo favoritizmi dhe klientelizmi që i bëhet operatorëve të caktuar për shkak të lidhjeve të tyre politike,” tha ai. “Po preket buxheti i shtetit për të evaduar mbetjet, që është një procedurë krejt normale për çdo bashki në botë,” theksoi Preçi.
Hetimet në vendnumëro
Tre dedada për rënies së perdes së hekurt, Ballkani Perëndimor dhe në mënyrë të veçantë Shqipëria mbetet një nga rajonet më të korruptura të Europës, një fenomen gërryes që dobëson institucionet dhe aftësinë e tyre për të dhënë shërbime ndaj qytetarëve. Korrupsioni minon edhe procesin e integrimit në BE dhe në tregjet europiane.
Për të luftuar thagmën e korrupsionit në këtë rajon, e cila arrin në nivelet më të larta të qeverisjes, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë promovuar ngritjen dhe funksionimin e së ashtëquajturës Prokurori e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Këto organe akuze të specializuara, të cilat kanë dhënë rezultate shpresëdhënëse në Kroaci dhe Rumani, e fokusojnë punën e tyre në hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë dhe skandaleve të mëdha me paratë publike.
Struktura hetimore e posaçme ekziston edhe në Shqipëri prej fundit të vitit 2019. Edhe pse pritshmëritë për SPAK janë të larta, rezultatet e saj në luftën kundër korrupsionit të nivelit te lartë dhe në mënyrë të veçantë, hetimi i kallëzimeve penale që lidhen me kontratat koncesionare nuk ka dhënë ende rezultatet e pritura.
Në radhët e atyre që besonin në këtë institucion ishte dikur edhe Endri Shabani, aktivist i shoqërisë civile dhe tashmë drejtues i lëvizjes politike “Nisma Thurje”.
Bashkë me aktivistë të tjerë të Nismës Thurje, Shabani dorëzoi në dhjetor të vitit 2019 kallëzimin e parë në SPAK kundër kontratës koncesionare për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale.
Një vit e gjysmë më vonë, Shabani nuk është entuziast për ecurinë e hetimeve.
Ai kujton se disa muaj pas dorëzimit të kallëzimit të parë, aktivistët e Nismës Thurje u thirrën në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë informacion mbi çështjen dhe kjo e fundit trumbetoi në media fillimin e hetimeve, po që nga ajo kohë, organi i akuzës nuk ka marrë në pyetje asnjë zyrtar të lartë, qoftë edhe si person në dijeni të fakteve.
Gati një vit më parë, Nisma Thurje bëri dhe një kallëzim mbi kontratat koncesionare të inceneratorëve, por për këtë denoncim, Shabani thotë që as nuk u thirrën nga SPAK.
“Kapacitetet janë të kufizuara, por kapacitetet nuk janë të fokusuara në çështjet që unë besoj se janë prioritare, qoftë nga pikëpamja kohore, qoftë nga pikëpamja e rëndësisë që kanë, sepse bëhet fjalë për 100 milionë euro,” tha Shabanaj, duke iu refereuar kostos së kontratës së sterilizimit.
Edhe ekonomisti Zef Preçi shprehet pesimist për ecurinë e hetimit të kontratave koncesionare të inceneratorëve. Ai thekson se pritshmëritë e zbardhjes së akuzave për këto kontrata janë vendosur mbi shpatullat e Prokurorisë së Posaçme, por SPAK-u e ka objektin e veprimtarisë së saj të paqartë, dhe ndryshe nga simotrat e saj, po merret me gjithçka, përveç korrupsionit të zyrtarëve të lartë.
“Dosje të rëndësishme si kjo që po flasim mund t’u vijë radha mbas 5 vjetësh për t’u shqyrtuar, kohë kur ka humbur aktualiteti, të dhënat, faktet,” tha Preçi.
Ai shtoi se ndryshe nga Shqipëria, në vende të tjera ku funksionon i njëjti model si SPAK, përparësia e shqyrtimit të veprave kriminale ka dy vija kufizuese: “madhësinë e dëmit të shkaktuar – për sa milionë euro bëhet fjalë se po i bëhet dëm shtetit dhe e dyta rangun që zë personi i përfshirë.”
I pyetur nga BIRN nëse lidhja e një kontrate të re për menaxhimin e mbetjeve në Durrës do të përfshihej si pjesë e hetimit të dosjes së inceneratorëve kryesisht, kreu i SPAK, Arben Kraja theksoi se kjo nuk ishte objekt “i kallëzimit dhe as i hetimit.”
“SPAK nuk mund të hetojë çdo akt administrativ të bërë nga administrata, qoftë ky 70 milionë euro apo 100 milionë euro,” tha kreu i Prokurorisë së Posaçme. “Për këtë punë janë institucionet e auditit,” shtoi ai.
Endri Shabani theksoi se jo çdo vonesë në ecurinë e hetimeve për kontratat koncesionare mund t’i faturohej SPAK, duke marrë në konsideratë që ky institucion është ende duke marrë formë edhe pse po bëhen gati dy vjet pas themelimit të tij.
“Normalisht këto janë çështje që duan goxha kohë për t’u hetuar, pra duhet Byroja Kombëtare e Hetimit,” tha Shabani. “Me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit gjërat mund të përmirësohen, por unë e kam humbur pak entuziazmin e fillimit,” përfundoi ai.