
E djathta ekstreme po krijon një narrativë “ata kundër nesh” në pandeminë e COVID-19 si një mënyrë për të mbledhur ndjekës dhe për të përhapur urrejtje. Dhe shtetet e Ballkanit nuk janë imune, sipas gjetjeve të një investigimi të BIRN.

Në fillim të shtatorit, në dhe rreth Sarajevës u shfaqën fletushka në kuti postare dhe në xhamat e përparme të makinave që ftonin njerëzit të vizitonin kanalin “Kaleidoskop” në BitChute – një shërbim video i njohur për akomodimin e ekstremistëve dhe teoricienëve konspirativ – për “informacione të besueshme dhe të lira në lidhje me vaksinat kundër COVID-19”.
Në kanal janë një numër videosh të përkthyera në kroatisht dhe që bëjnë krahasime midis kufizimeve të vendosura në mbarë botën që nga viti 2020 për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit të ri dhe politikave të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Krijuar në Britani në vitin 2017 si një alternativë ndaj YouTube, BitChute është bërë famëkeq për videot që promovojnë racizmin, urrejtjen dhe mohimin e Holokaustit dhe – sipas hulumtimit të organizatës kundër racizmit me qendër në Mbretërinë e Bashkuar “Hope not Hate” – administratorët e saj tregojnë pak dëshirë për të hequr përmbajtje të tillë.
Kur “Hope not Hate” kreu hulumtimin e saj në verën e vitit 2020, 20 videot më të njohura në platformë ishin një përzierje e propagandës ekstreme raciste dhe dezinformatave të dëmshme, kryesisht me origjinë nga QAnon dhe grupet kundër vaksinave.
“BitChute refuzon të zbatojë edhe standardet minimale të moderimit që ata pretendojnë se i përmbahen, pasi faqja e tyre varet nga lejimi i llojit të gjuhës së urrejtjes dhe dezinformatave të dëmshme që hiqen nga platformat kryesore të videove”, tha për BIRN hulumtuesi i “Hope not Hate”, Gregory Davis.
Dhe ndikimi i saj ka arritur në Bosnjë.
Sipas hulumtimit të BIRN, individë që ndajnë përmbajtje nga BitChute, duke përfshirë video të përkthyera që pretendojnë se pandemia COVID-19 është e rreme dhe vaksinat janë të rrezikshme, kanë marrë pjesë gjithashtu në protesta kundër kufizimeve të COVID-19 të vendosura nga autoritetet në Bosnje dhe gjetkë në Ballkan.
Në Serbi dhe Kroaci, ata i janë bashkuar protestave kundër emigrantëve dhe refugjatëve dhe të drejtave LGBT.
Ekspertët e ekstremizmit të dhunshëm thonë se grupe të tilla po përpiqen të shfrytëzojnë lëvizjen anti-vaxxer si një mjet për të përhapur urrejtjen. Sipas një raporti të porositur nga Komisioni Evropian dhe të publikuar këtë vit, grupet ekstremiste po përdorin teoritë e konspiracionit si një mjet për të rekrutuar ndjekës dhe për të përhapur axhenda radikale, duke abuzuar me pasigurinë, frikën, problemet socio-ekonomike dhe çështjet e shëndetit mendor të individëve vulnerabël.
“Grupet ekstremiste shfrytëzuan mundësinë duke ofruar zgjidhje dhe përgjigje të thjeshta për çështje shumë komplekse me qëllim që të avancojnë axhendat e tyre dhe të rekrutojnë ndjekës”, thuhet në raport.
BIRN nuk ishte në gjendje të përcaktonte se kush i shpërndau fletushkat në Sarajevë.
Barazim i kufizimeve për përhapen e COVID-19 me diktaturën

Menjëherë pasi fletushkat u shfaqën në Sarajevë, një burrë serb i quajtur Milos Dragicevic postoi një foto të njërës në profilin e tij në Facebook së bashku me një link të kanalit Kaleidoskop që u krijua pak më shumë se një vit më parë. Kanali përmban më shumë se 90 video me një total prej më shumë se 800,000 shikimesh.
I kontaktuar nga BIRN, Dragicevic tha se nuk e dinte se kush i shpërndau fletushkat, por se ata kishin mbështetjen e tij të plotë. Profili i tij në Facebook përmban një sërë postimesh kundër vaksinimit kundër COVID-19 dhe që mohojnë ekzistimin e COVID-19. Përveç linkut të Kaleidoskop, Dragicevic ka ndarë përmbajtje nga BitChute në dy raste të tjera.
Videot, të etiketuara si dezinformata nga faqja boshnjake për kontrollin e fakteve Raskrinkavanje, u shfaqën edhe në Dokumentarac.hr, një portal i krijuar vitin e kaluar në Kroaci për të “dokumentuar fakte dhe informacione të qarta dhe të vërteta”. Portali deri më tani ka ndarë rreth gjysmën e të gjithë përmbajtjes që ka kanali Kaleidoskop në BitChute.
Kur publikon përmbajtje, Dokumentarac.hr vë linkun origjinal në faqen BitChute. Artikujt e publikuar në portal janë nënshkruar nga Vigor Colnar, Nina Topic dhe Mirsad Dubravic.
BIRN kontaktoi Dubravic dhe e pyeti nëse ai e di se kush e redakton faqen Kaleidoskop dhe pse ai kishte postuar materiale në mbështetje të protestave kundër masave kufizuese për frenimin e përhapjes së COVID-19. Ai u përgjigj: “Unë thjesht mund të dëshiroj sinqerisht që ju të kërkoni të vërtetën dhe faktet dhe të jeni objektiv në këto kohë të ndjeshme.”
Në profilin e tij, Dubravic ka shpërndarë foto nga një event në Zagreb, nën banderolën, “Si të jesh njerëzor dhe të mbetesh i lirë kur përpiqen të të heqin humanizmin dhe lirinë?”, organizuar nga Nisma Të Drejta dhe Liri, e cila thirri një protestë masive në qytet.
Koordinatorja e Nismës është Marina Cecura, e cila renditet si përkthyese e videove të postuara në Kaleidoskop. Cecura nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Profili i Dubravic përmban gjithashtu postime që vënë në pikëpyetje thirrje për të drejta më të mëdha për komunitetin LGBT, ndërsa Cecura i ka krahasuar të ashtuquajturat “pasaporta për COVID”, të kërkuara në disa vende që një person të përdorë një sërë biznesesh, me “certifikatat ariane” që kërkoheshin nga të gjithë punonjësit e sektorit publik në Gjermaninë naziste. Pretendime të ngjashme janë bërë në protestat kundër COVID-19 në të gjithë Evropën, disa prej të cilave janë kthyer në të dhunshme.
Profesor Mattheë Feldman, drejtor i Qendrës për Analizën e së Djathtës Radikale me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, CARR, tha se radikalë me prejardhje të ndryshme morën pjesë në protesta të tilla – jo vetëm ekstremistë të djathtë radikalë. Disa pjesëmarrës, tha ai, mbajnë yllin e verdhë që çifutëve u kërkohej të mbanin në Gjermaninë naziste si një shprehje e kundërshtimit të tyre ndaj vaksinimit, një gjest që kritikët thonë se e banalizon Holokaustin. “Nëse mund të zgjidhni nëse do të vini apo jo një yll të verdhë në publik – pa frikë nga vrasja apo skllavërimi, si në Holokaust – atëherë krahasimi me persekutimin antisemitik nuk është thjesht mashtrues, por edhe imbecil”.
“Mund të kesh pikëpamje të ndryshme për COVID-in, por të thuash se ai është i krahasueshëm me nazizmin është idiotësi”, tha Feldman për BIRN. “Sidomos vendet që përjetuan pushtimin nga Rajhu i Tretë, si ish-Jugosllavia. Njerëzit mund të kenë pikëpamjet e tyre, por ta krahasosh atë me totalitarizmin është thjesht injorancë historike dhe ndihmon të djathtën ekstreme të pastrojë idetë e tyre.”
Në Slloveni, ashtu si në Bosnjë, një ish-republikë jugosllave, protestat janë kthyer gjithashtu në të dhunshme. Mesazhe mbështetjeje u dërguan nga një grup i quajtur “Sllovenë të ndërgjegjshëm kundër fashizmit Korona”, ku është shpërndarë edhe përmbajtje nga BitChute.
Aktorë të ekstremit të djathtë “kanë mbrojtur kooptimin e lëvizjes kundër vaksinave për të rekrutuar dhe radikalizuar anëtarë të mundshëm”, tha Instituti Ndërkombëtar për Kundër-Terrorizmin, një organizatë kërkimore me bazë në Izrael, në një raport të botuar në mars 2021.
“Shumë aktorë të ekstremit të djathtë e shohin lëvizjen kundër vaksinave si një shënjestër ideale për shkak të “potencialit të tyre për ekstremizëm kundër sistemit”, thuhet në raport.
Një sërë qytetesh serbe kanë parë protesta të ngjashme gjatë muajit të kaluar, me organizatorët që përdorin fotografi të një kryqi Svastika me një mbishkrim mbi të që thotë “Jo pasaportës së COVID, jo diktaturës”.
Disa tubime janë shoqëruar me dhunë, një kthesë për të cilën Marija Srdic e Koalicionit Antifashist të Serbisë fajësoi grupet e krahut të djathtë.
“Vitin e kaluar, gjatë një mitingu të zakonshëm civil, dhuna u përshkallëzua dhe në mes të gjithë atij kaosi, qytetarët e thjeshtë dhe gazetarët gjithashtu u goditën me shkelma në kokë”, tha Srdic.
Protestat kundër vaksinimit në Serbi janë mbështetur nga Anti-Globalistët e Serbisë dhe Patrullat Popullore, organizata anëtarët e të cilave shfaqin simbole të ekstremit të djathtë. Të dyja janë armiqësorë ndaj emigrantëve dhe refugjatëve që përpiqen të arrijnë Evropën Perëndimore nëpërmjet Serbisë.
Përveç thirrjes së mbështetësve të tyre për të marrë pjesë në protesta kundër kufizimeve të COVID, të dyja organizatat përdorin gjithashtu kanalet e tyre në rrjetet sociale për të publikuar vendndodhjet e vendeve ku janë akomoduar emigrantë dhe refugjatë. Leviathan, një tjetër grup i krahut të djathtë që kandidoi në zgjedhjet e fundit parlamentare të Serbisë, ka marrë gjithashtu një rol të rëndësishëm në protesta.
Si në Beograd ashtu edhe në Sarajevë, protestuesit janë parë duke përdorur sloganin “Nuk do t'ju japim fëmijët tanë”, një variant i frazës së përdorur nga ndjekësit e teorisë së konspiracionit QAnon në Shtetet e Bashkuara.
Raportet e mediave kroate thonë se Marko Franciskovic, i cili u dënua në janar 2017 për posedim të paautorizuar të armëve të zjarrit, municionit dhe substancave shpërthyese, iu drejtua një proteste të fundit në Zagreb, duke i thënë turmës se ai shikonte një popull “ushtarakisht të gatshëm për luftim. ”
“Nuk shkoj më thellë”

Në Bosnje, ish-gazetarja Merima Spahic u ka bërë thirrje njerëzve të marrin pjesë në protestat kundër vaksinimit në Sarajevë. Spahic rregullisht poston në përmbajtje në Facebook, duke përfshirë materiale nga BitChute. Hera e parë që ajo ndau përmbajtje nga BitChute ishte në tetor 2020.
Spahic tha për BIRN se nuk dinte asgjë për platformën. “Unë thjesht ndaj një link me diçka që më duket interesante. Nuk hyj më thellë se aq.”
Sanin Musa, një ish-mësues Salafi dhe udhëheqës i partisë politike Faith People State, ka bërë gjithashtu thirrje për protesta kundër COVID, duke pretenduar se pandemia është një komplot. Musa ka organizuar dy herë më parë mitingje kundër Paradës së Krenarisë në Sarajevë, me mbështetësit që shfaqin mesazhe urrejtjeje kundër komunitetit LGBT në Bosnje.
BitChute nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara nga BIRN në lidhje me këtë histori.
Platforma thotë se nuk toleron nxitje për dhunë, përmbajtje antisemite ose raciste ose video ose komente që lavdërojnë dhunën e policisë.
Feldman i CARR tha se platforma i ishte bashkuar Forumit Global të Internetit për të Luftuar Terrorizmin, i cili ndihmon kompanitë të moderojnë përmbajtjen dhe që ka ndihmuar faqet që të kenë më pak “përmbajtje problematike” se një vit më parë.
Por përmbajtja problematike mbetet.
Sipas Feldman, dy gjëra mund të vihen re në mënyrën se si është shfrytëzuar pandemia e COVID-19: fajësimi i kinezëve për virusin, dmth. “një virus kinez”, dhe pretendimi se njerëzit janë bërë kavie laboratori për vaksina.
“Nga këto të dyja, është frika nga të huajt dhe tjetra është një lloj komploti i elitave për t'i detyruar njerëzit të vaksinohen. Të gjitha këto gjëra më pas i shërbejnë narrativës së ekstremit të djathtë, ‘ne kundër atyre'”, tha ai.