Një mirëmbajtës ujërash është gjetur pa jetë nga kolegët e tij në vendin e punës. Arsyet e vdekjes janë ende të paqarta dhe trupi është dërguar për ekspertizë në Tiranë.
Një 65-vjeçar që punonte në Fabrikën e Pasurimit të Kromit në Bulqizë, humbi jetën mesditën e së enjtes. “Me datë 09.12.2021, rreth orës 13.30, në vendin e quajtur fabrika e pasurimit të kromit Bulqizë, ka gjetur vdekjen shtetasi M. K , 65 vjeç, banues në Bulqizë”, thuhet në njoftimin e policisë. Ndërkohë ende nuk ka informacion zyrtar në lidhje me shkaqet e vdekjes.
Bukurosh Koçi, administratori i Fabrikës së Pasurimit të Kromit në Bulqizë në një bisedë telefonike për BIRN tha se 65-vjeçari ka punuar si mirëmbajtës ujërash. “Ka marrë detyrë për të pastruar atje dhe më pas e kanë gjetur të shtrirë në tokë. Duket të jetë vdekje natyrale, por po presim ekspertizën”, tha Koçi.
Fabrika e Pasurimit të Kromit është fabrika e parë për pasurimin e kromit në Shqipëri dhe është vënë në punë në vitin 1973 për përpunimin e pasurimin e mineraleve të varfëra të kromit, çelikut e pluhrave që dilnin pas impianteve të seleksionimit e fraksionimit në minierat e Bulqizës dhe Batrës. Por që prej dekadash është dhënë me koncesion nga shteti.
Në maj të vitit 2016-të, po në Fabrikën e Pasurimit të Kromit në Bulqizë një shofer kamioni, si pasojë e përmbysjes së një mjetit të ngarkuar me krom, ka humbur jetën. Ndërkohë një ditë më parë në galeritë e kromit në zonën mineral mbajtëse D në Bulqizë, një tjetër minator ishte plagosur duke punuar, por pa rrezik për jetën.