
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjodhën të hënën Alfred Ballën në postin e kryetarit të ri të Këshillit. Balla ishte kandidati i vetëm në garë dhe u zgjodh në mënyrë unanime.
Balla u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në shkurt 2018 nga Kuvendi i Shqipërisë, si përfaqësues i shoqërisë civile dhe prej asaj kohe mbante postin e zv/kryetarit. Ai vjen në krye të KLP-së me një mandat 2-vjeçar.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është njëri prej institucioneve më të rëndësishme të dizenjuara nga reforma në drejtësi, i cili ka për funksion drejtimin e organit të akuzës në Shqipëri. Ai përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve dhe pesë të tjerët nga Kuvendi.