Natyrisht, ne nuk e dimë se si dhe kur do të përfundojë lufta. Por, pas zhvillimeve të fundit, tani duket e sigurt të supozohet se si Ukraina ashtu edhe Moldavia do të bëhen kandidatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe më pas anëtarë të plotë brenda pak vitesh. Liderët e tre vendeve më të mëdha anëtare të BE-së (Franca, Gjermania dhe Italia) dhe të Rumanisë e bënë të qartë këtë kur vizituan Kievin javën e kaluar. Ata ofruan mbështetje të plotë për kërkesat për anëtarësim të Ukrainës dhe Moldavisë, siç bëri Komisioni Evropian menjëherë pas kësaj.
Ky proces zgjerimi do ta ndryshojë rrënjësisht BE-në, duke e transformuar atë në një lojtar gjeopolitik dhe, në të vërtetë, në kundërshtarin kryesor të Rusisë në kontinent. Me luftën e tij në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin e ka bërë absolutisht të qartë se ai aspiron të rivendosë Perandorinë Ruse. Ai po vepron bazuar mbi parime që janë krejtësisht të papajtueshme me ato të BE-së, e cila bazohet në sovranitetin e barabartë, integritetin territorial, paprekshmërinë e kufijve dhe sundimin e ligjit.
BE-ja ka vendosur të përqafojë Ukrainën jo sepse donte, ose sepse ka ambicie të veta perandorake, por sepse Putini e detyroi këtë gjë. Putini filloi luftën dhe kështu e vuri Evropën përballë një zgjedhjeje midis dy alternativave të qarta. Evropa ose mund t’i nënshtrohej pretendimeve të Kremlinit për pushtet, ose mund të mbronte identitetin dhe interesat e saj, bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike.
BE-ja tani e ka bërë zgjedhjen e saj, duke favorizuar mbrojtjen e parimeve të saj dhe të lirisë. Disa kritikë të vendimit të saj do të thonë se ajo duhej të ishte përpjekur të negocionte me Rusinë. Por argumenteve të tilla u mungon besueshmëria. Edhe nëse BE-ja do të ishte e gatshme të ndërmjetësonte një kompromis të dyshimtë me Kremlinin, kjo nuk do të kishte funksionuar, sepse BE-ja zë një pozicion që tani është reciprokisht përjashtues nga ai i Putinit, me ëndrrën e tij revizioniste të perandorisë.
Meqenëse asnjëra palë nuk mund të dorëzohet, ne duhet të parashikojmë një konflikt të zgjatur. Dhe meqenëse forca ushtarake dhe aftësitë parandaluese në mënyrë të pashmangshme do të luajnë një rol vendimtar, lufta do të ndryshojë përfundimisht karakterin e BE-së. Tanimë i pari s’do të jetë më projekti i integrimit ekonomik. Që tani e tutje, siguria dhe interesat gjeopolitike do të duhet të jenë të parat.
Deklarata e mbështetjes për kandidaturat e Ukrainës dhe Moldavisë shënon fillimin e fazës së dytë të zgjerimit të BE-së drejt lindjes. Edhe pse pranimi i asnjërit nga vendet nuk do të ndodhë së shpejti, vetë procesi do të ketë një efekt të pakthyeshëm. Evropa e së ardhmes nuk do të jetë më e realizueshme pa shtetet e Evropës Lindore, me kusht që ata të mbeten të gatshëm dhe të aftë për t’u bashkuar.
Arsyeja është e thjeshtë. Kur vjen koha e një ideje, ajo është e pandalshme. Ndryshe nga kjo, një ideje që i ka kaluar koha më vakt, mund të zgjasë vetëm nëse mbështetet nga fuqia ushtarake – madje edhe kjo nuk do ta shpëtojë atë në fund. Konflikti i ri mes Evropës dhe Rusisë ka të bëjë me idetë. Është një përplasje ideore midis imperializmit dhe demokracisë.
Duke pasur parasysh rëndësinë historike të këtij zhvillimi, evropianët perëndimorë nuk duhet t’i nënshtrohen iluzioneve për rreziqet me të cilat përballen. Rendi aktual evropian i shteteve fillimisht u ndërtua rreth qëllimit të integrimit të Rusisë dhe Evropës. Por Putini e ka shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme atë projekt. Kjo tashmë i përket të kaluarës.
Me luftën në Ukrainë, Evropa po përballet me një provë pjekurie. Ajo është tashmë në moshë madhore në një botë të përcaktuar nga rivalitetet e fuqive të mëdha dhe ato bërthamore. Na pëlqen apo jo, këto janë realitetet gjeopolitike të fillimit të viteve 2020. Në mungesë të një aleance të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara, Evropa, në gjendjen e saj aktuale të brishtë, do të ishte shumë e dobët për të mbijetuar në këtë arenë.
Alternativa është që Evropa të pranojë dobësinë e saj aktuale dhe të kapet pas iluzioneve. Në atë rrugë qëndron nënshtrimi dhe varësia. Ajo nuk mund të shpresojë të gjejë konsideratë të ndërsjellë në një botë të përcaktuar nga rivaliteti i fuqive të mëdha.
Zgjedhja e vetme reale e Evropës, pra, është të ndjekë aleanca të kujdesshme, të zhvillojë fuqinë e saj dhe të ndërtojë aftësitë e veta parandaluese. Një strategji koherente për t’i mbijetuar konfliktit të ri ideor duhet të zëvendësojë iluzionet e vazhdueshme. Evropa duhet të pranojë se po jeton në një “lagje” të rrezikshme.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Europe’s Neë War of Ideas