I ulur në një tarracë gjysmë të zbrazët buzë plazhit, 60-vjeçari Suad Tuzovic, pronar i një hoteli në resorin malazez të Dobre Vodes, druhet se kjo verë mund të jetë e vështirë për biznesin e tij.
Tuzovic thotë se vetëm gjysma e dhomave të tij të hotelit janë të rezervuara dhe sezoni i verës tashmë ka arritur kulmin e tij.
“Verën e kaluar, plazhet ishin të mbipopulluara dhe hotelet plot me turistë rajonalë. Tani është pothuajse gusht, ka shumë dhoma bosh dhe turistët nuk po shpenzojnë shumë para as në restorante”, tha Tuzovic për BIRN.
“Nëse numri i turistëve nga rajoni nuk rritet në gusht, ky sezon mund të jetë katastrofik”, shton ai.
Për vite të tëra, paratë e shpenzuara nga turistët që dynden në bregdetin Adriatik të Malit të Zi kanë qenë një shtyllë e ekonomisë së ish-republikës jugosllave, duke përbërë afërsisht 21 për qind të PBB-së së saj vitin e kaluar.
Por më 20 korrik, Organizata Kombëtare e Turizmit paralajmëroi se numri i turistëve këtë sezon ishte ulur me rreth 30 për qind në krahasim me vitin 2021, duke fajësuar pushtimin rus të Ukrainës dhe rritjen e çmimeve. Mali i Zi është veçanërisht i njohur për turistët rusë dhe ukrainas, si dhe turistët nga vendet e rajonit.
Mali i Zi druhet se sezoni i verës mund të zhgënjejë
Sipas Zyrës së Statistikave të Malit të Zi, turizmi përbënte afërsisht 25 për qind të prodhimit total ekonomik të Malit të Zi në vitin 2019, kur 29.1 për qind e qëndrimeve ishin nga rusët dhe 9.2 të tjera nga ukrainasit.
Në vitin 2020, vizitat turistike ranë me 85 për qind për shkak të pandemisë COVID dhe turizmi atë vit përbënte vetëm 3.5 për qind të PBB-së.
Vizitorët nga Serbia e shpëtuan në mënyrë efektive sezonin në 2021, duke përbërë 29 për qind të totalit të vizitave, ndërsa rusët, ukrainasit dhe bjellorusët së bashku përbënin 21 për qind të tjera.
Agjenti i pushimeve nga Podgorica Marko Jovanovic thotë se interesimi nga turistët rajonalë në Mal të Zi ka rënë këtë vit për shkak të rritjes së çmimeve dhe përfitimeve që ofrohen në vendet e tjera të rajonit.
“Vitin e kaluar, Mali i Zi ishte i vetmi vend në rajon pa certifikata të detyrueshme për COVID-19 dhe kjo e bëri atë destinacionin kryesor për turistët nga rajoni. Këtë vit, turistët mund të zgjedhin të shkojnë kudo dhe çmimet në Mal të Zi janë shumë më të larta”, tha Jovanovic për BIRN.
“Ne kemi humbur turistët rusë dhe ukrainas për shkak të luftës dhe po humbasim pushues nga rajoni për shkak të çmimeve”, shton ai.1
Më 18 korrik, kryeministri Dritan Abazovic vuri në dukje se numri i vizitave të turistëve ishte më i vogël se sa pritej, duke paralajmëruar se çmimet në disa resorte malazeze ishin “si në Cote d’Azur” dhe se sektori turistik kishte “dyfishuar apo edhe trefishuar çmimet”.
Më 26 korrik, ministri i Zhvillimit Ekonomik Goran Djurovic tha gjithashtu se ky sezon veror nuk është si më parë, duke u zotuar se vendi do të përgatisë një strategji më të mirë për vitin e ardhshëm.
Greqia promovon “Programin e Turizmit Social”
Për të përmirësuar sezonin e saj veror, qeveria greke hartoi dy programe turistike për grekët. Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale e Greqisë njoftoi më 10 qershor një “Program të Turizmit Social”, nga i cili do të përfitojnë 300,000 njerëz dhe do të zgjasë nga gushti 2022 deri në korrik 2023.
Ministri i Punës Janis Vrutsis tha se stimulimi i turizmit vendas do të krijonte oksigjen për bizneset e tjera.
Më 16 korrik, Ministri i Turizmit Vasilis Kikilias njoftoi një kupon të ri turistik nga i cili përfitojnë 200,000 njerëz. Përfituesit do të kenë akses në një kartë debiti digjitale që mund ta përdorin për të qëndruar në çdo hotel apo akomodim sipas zgjedhjes së tyre në Greqi.
Individët që fitojnë më pak se 16,000 euro në vit dhe familjet me të ardhura nën 28,000 euro në vit, një shumë që rritet për çdo fëmijë, mund të aplikojnë për këtë skemë.
“Në këtë kohë të vështirë, ne mbështesim mundësinë që bashkëqytetarët tanë të bëjnë pushime deri në fund të vitit, në mënyrë që dividenti i suksesit në turizëm të arrijë në xhepin e çdo greku që është në vështirësi në këtë kohë”, tha Kikilias.
Sipas të dhënave zyrtare, vizitorët nga Franca dhe Gjermania e mbështetën më së miri turizmin grek në vitin 2021. Gjatë atij viti, trafiku i udhëtimeve hyrëse u rrit me 96.8 për qind, kryesisht nga udhëtarët e ardhur nga BE-ja.
Por çmimet në resortet turistike janë të papërballueshme për shumicën e grekëve dhe veçanërisht për familjet. Kostoja e biletave, akomodimi dhe gjërat bazike gjithashtu ndryshojnë vazhdimisht dhe ndryshojnë shumë nga zona në zonë dhe nga sezoni në sezon.
Media greke Kathimerini raportoi se në një ishull të Egjeut pranë Pireut kostoja e akomodimit, ushqimit dhe shpenzimeve të tjera për një familje mesatare prej katër anëtarësh u rrit nga 3,270 euro në 2017 në rreth 5,480 euro këtë verë.
Menaxherja e një hoteli bregdetar, Rodoula Samartzi, tha se hoteli i tyre tashmë kishte 85 për qind të rezervimeve të rezervuara për gusht, kështu që nuk është më e lehtë të bësh një rezervim.
“Ajo që është shumë e vështirë për mua është se duhet të blej pije për lokalin dhe çdo ditë çmimet ndryshojnë, kështu që nuk dija çfarë çmimi të vendosja. E kam ndryshuar menunë e pijeve shtatë herë”, tha Samartzi për BIRN.
“Çmimet janë të larta, por klientëve tanë, të cilët janë kryesisht të huaj, nuk u intereson”, shton ajo.
Presidenti i Federatës Helenike të Hotelierëve dhe i Shoqatës së Hotelierëve Halkidiki, Grigoris Tassios, tha se sezoni veror i këtij viti në Greqi është shumë më i mirë se ai i kaluari dhe mesatarja e rezervimeve deri në shtator varion nga 75 në 90 për qind.
Turistët vijnë kryesisht nga Britania, Gjermania, Franca dhe Holanda. Turistët amerikanë preferojnë Atikën dhe Cikladët dhe turistët e Ballkanit preferojnë Greqinë Veriore.
“Kostot operative janë rritur me 30 për qind për dhomë dhe në ditë. Kjo shkaktoi rritjen e çmimeve”, tha ai për BIRN.
Shqipëria ende po mendon strategjinë e saj të përgjithshme
Instituti i Statistikave të Shqipërisë, INSTAT, tha se në pesë muajt e parë të këtij viti kanë hyrë në Shqipëri 1.6 milionë shtetas të huaj, ndërsa vitin e kaluar ka pasur 5.6 milionë hyrje.
Numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë në vitin 2020 ishte 58,5 për qind më pak krahasuar me vitin 2019, në rreth 2,6 milionë.
Fitimet nga turizmi në 2020 ishin më pak se gjysma e atyre në 2019. Banka e Shqipërisë tha për BIRN se Shqipëria fitoi 2,083 miliardë euro në 2019 dhe vetëm 989 milionë euro në 2020.
Sipas INSTAT, numri i turistëve nga Serbia është dyfishuar në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020. Nuk ka ende të dhëna për vitin 2022.
Qeveria nuk ka bërë ndonjë plan konkret për sezonin e kësaj vere, vetëm se turistët nga Kosova fqinjë mund të hyjnë në Shqipëri pa u kontrolluar në kufi.
Eksperti i turizmit Zak Topuzi tha se ky sezon turistik këtë vit ishte më i mirë krahasuar me vitin 2019, por industria e turizmit është ndikuar nga rritja e çmimeve në përgjithësi dhe mungesa e fuqisë punëtore, e cila i ka detyruar bizneset të rrisin pagat.
Shumica e turistëve në Shqipëri janë nga rajoni. Numri i turistëve nga Kosova këtë vit është pak më i lartë.
“Çmimet e lëndëve të para janë rritur dukshëm; energjia elektrike është rritur me 38 për qind dhe çmimi i gazit është dyfishuar dhe këta janë elementë të rëndësishëm në koston e një hoteli apo njësie turistike”, tha ai për BIRN.
“Ka pasur një rritje të lehtë të çmimeve të turizmit të nivelit të mesëm dhe të ulët dhe ka pasur një rritje prej 30 deri në 40 për qind të çmimeve të turizmit elitar, pasi kostot e lëndëve të para janë rritur ashtu si edhe pagat”, shtoi ai.
Topuzi sugjeroi që qeveria të formulojë një strategji dhe masterplan dhjetëvjeçar për turizmin dhe të përcaktojë llojin e turizmit që vendi dëshiron të ketë prioritet.
“Dy vite më parë, kryeministri Edi Rama fliste për 10 milionë turistë në vit, por fliste për numrin dhe jo për cilësinë. Tani ai flet për marinat e jahteve dhe investimet strategjike për të cilat duhet marrë një vendim… ndaj nëse Shqipëria do turizmin elitar, duhet të përgjigjet duke krijuar resorte dhe hotele me 5 yje, me një strategji afatgjatë. Pa këtë nuk mund të kesh investim potencial”, përfundoi ai.