Gjykata e Posaçme njoftoi të premten se kishte gjetur fajtorë ish-kryetarin e Bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe, ish-nënkryetarin Gentian Nushi dhe 17 persona të tjerë, zyrtarë të bashkisë e biznesmenë, të përfshirë në abuzimet me një tender për kanalet vaditëse.
Fatos Tushe, u gjet i pafajshëm për akuzën e korrupsionit, por u cilësua fajtor nga Gjykata e Posaçme për shpërdorim detyre në dy raste. Ai u dënua me 3 vite 8 muaj burgim, që për shkak të gjykimit të shkurtuar konvertohen në 2 vjet e katër muaj. Tushes po ashtu iu hoq drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite. Gjykata tha se Tushe shpërdoroi detyrën për shkak se lejoi një ndërtim pa leje ndërsa abuzoi me karburantin e bashkisë.
Ish-nënkryetari Gentian Nushi u dënua me me 2 vite e 6 muaj burg për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Dënimi iu reduktua ne 1 vit e tetë muaj dhe përjashtimi 5 vjeçar nga funksionet publike. Fajtorë u gjetën edhe 17 të akuzuarit e tjerë si të përfshirë në këtë çështje, përfshirë zyrtarë lokalë dhe biznesmenë.
Kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe u arrestua në 6 korrik të vitit që shkoi i akuzuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. SPAK tha atëherë se i kishte nisur hetimet në vitin 2020 nga një referim i Policisë Gjyqësore për veprat penale të “korrupsionit pasiv”, “shkeljes së barazisë në tendera”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
Tushe, një ish-deputet i Partisë Socialiste e drejtoi Bashkinë e Lushnjes prej vitit 2011 deri kur u arrestua. Në 31 dhjetor 2019, Tushe mbeti i plagosur pas një granate të hedhur në zyrën e tij nga një ish-shofer i bashkisë. Ai është një nga zyrtarët më të lartë që u arrestua ndërsa ishte në detyrë dhe u gjet fajtorë. BIRN nuk arriti të kontaktonte me mbrojtës të të akuzuarve.