Në seancën e komisionit për Integrimin Europian të zhvilluar ditën e hënë në Kuvendin e Shqipërisë mbi Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 ‘Për mediat audiovizive në Republikën Shqipërisë, të ndryshuar”, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla propozoi ndalimin e përdorimit të Tik-Tok në administratën publike.
“Unë bëj pjesë në ata politikëbërës europianë që mendoj që Tik-Tok është një rrezik për sigurinë në hapësirën tonë Euro-Atlantike. I bashkohem çdo kongresmeni apo senatori amerikan, por edhe vendimit të fundit të Bashkimit Europian për të ndaluar përdorimin e këtij aplikacioni në pajisjet zyrtare në të treja nivelet, në Këshill, në Komision dhe në Parlament Europian”, tha Balla gjatë fjalës së tij.
Balla iu referua episodeve të mëparshme të sulmeve kibernetike në Shqipëri, duke theksuar se qeveria duhet të sigurohet që të dhënat personale mos të shfrytëzohen më për sulme të tjera.
“Sot jetojmë në një rrezik të madh të përballjes kibernetike dhe Shqipëria është rasti konkret sot në botë, ku të dhënat e saj u vunë në rrezik nga një sulm kibernetik të sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”, shtoi Balla.
“Duhet edhe ne të përforcojmë gjithë barrierat dhe digat në mënyrë që të mbrohen këto të dhëna personale që shfrytëzohen nga këto platforma”, shtoi ai, duke iu referuar platformave si Meta apo Tik-Tok.
Sipas Ballës, Shqipëria duhet të ndjekë modelet e rregullatorëve europianë.
Sipas BBC, punonjës të Komisionit Europian janë urdhëruar të heqin aplikacionin e Tik-Tok nga pajisjet e tyre celulare, duke menduar se pas tij mund të fshihet një sistem përgjimi.
“Kjo masë ka si qëllim të mbrojë Komisionin kundër kërcënimeve të sigurisë kibernetike dhe veprimeve që mund të shfrytëzohen për sulme kibernetike kundër mjedisit të korporatës së komisionit”, është shprehur zëdhënësja e Komisionit Europian, Sonya Gospodinova.