Pavarësisht një ekonomie elastike që ka sfiduar shumicën e parashikimeve – deri më tani duke shmangur një recesion dhe duke ruajtur një normë të ulët papunësie – amerikanët duken gjithnjë e më të shqetësuar. Një shumicë e madhe, pa besim se kushtet e mira të sotme do të zgjasin, besojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar. Për më tepër, Amerika po përballet ndoshta me situatën më komplekse dhe më të rrezikshme gjeopolitike që nga rënia e Murit të Berlinit.
Megjithatë, me kaq shumë në rrezik, vendi po shkon drejt zgjedhjeve presidenciale midis një kandidati që është paditur për krime të shumta të rënda dhe një drejtuesi aktual që po punon nën një njollë korrupsioni që rrethon marrëdhëniet e biznesit me jashtë të djalit të tij. Sigurisht, mandatet presidenciale në Amerikë shoqërohen gjithmonë me skandale. Presidenti Richard Nixon u largua nga detyra për të shmangur shkarkimin dhe largimin nga detyra për shkak të Uotergeitit dhe Bill Clinton dhe Donald Trump u gjykuan të dy (por nuk u dënuan nga Senati). Megjithatë, mëria e sotme politike duket se ka arritur një nivel të ri intensiteti dhe duket se thjesht po shtohet.
Për t'i përkeqësuar akoma më shumë gjërat, çështjet jetike kombëtare mbeten të pa trajtuara dhe forca e ardhshme ekonomike dhe ndikimi gjeopolitik i Amerikës po përballen me rreziqe të reja të mëdha. Vendi ka një borxh publik të tepruar dhe perspektiva buxhetore tregon deficite të mëdha me aq sa mund të shohë syri. Sigurimet shoqërore dhe Medicare po shkojnë të dyja drejt falimentimit. Dhe Shtetet e Bashkuara duhet urgjentisht të forcojnë ushtrinë dhe aleancat e saj për të kundërshtuar aftësitë në rritje të kundërshtarëve aktualë dhe të mundshëm.
Për më tepër, SHBA-së i nevojiten reforma për të zbutur rreziqet klimatike, të cilat jo vetëm janë të ndjeshme, por që mund t'i rezistojnë edhe një ndryshimi të pushtetit ndërmjet palëve. Politikëbërësit duhet të rivendosin kontrollin mbi kufirin jugor dhe të miratojnë reformën e imigracionit të bazuar në merita. Dhe ata duhet të ruajnë një ekonomi tregu dinamike duke reduktuar varësinë nga ndërhyrjet “e përkohshme” fiskale dhe monetare. Pa lidership të fortë dhe politikëbërje me logjikë nga presidenti i ardhshëm, SHBA-ja do të vazhdojë të endet nëpër kriza fiskale, ekonomike dhe ndoshta ushtarake me pasoja globale.
Në përvjetorin e miratimit të Aktit për Reduktimin e Inflacionit, presidenti i SHBA-së Joe Biden ka lavdëruar përfitimet e supozuara të politikave të tij. Megjithatë, shumica e votuesve të pavarur – të cilët tani përbëjnë një rekord prej 49% të elektoratit – besojnë se politikat e tij i kanë përkeqësuar kushtet e tyre.
Ata kanë arsye të mira për ta menduar këtë. Me shpenzimet e saj të tepruara qeveritare të financuara nga deficiti në një ekonomi që tashmë i afrohet punësimit të plotë, Bidenomics ishte kontribuuesi më i madh në atë që është bërë inflacioni më i keq që nga fillimi i viteve 1980. Ndërsa rritja e çmimeve është moderuar disi, inflacioni bazë (duke përjashtuar çmimet e ushqimeve dhe energjisë) mbetet shumë mbi objektivin prej 2% të Rezervës Federale të SHBA-së. Për më tepër, votuesit e dinë se Biden donte triliona më shumë shpenzime sesa mori dhe se ai do të kërkojë më shumë shpenzime, nëse ai arrin të marrë një mandat të dytë.
Shqetësimi i Amerikës nuk është vetëm për dëmin që është shkaktuar në buxhetet e familjes nga inflacioni i lartë. Gjatë 20 muajve të parë të qeverisjes së presidentit Biden, takimet me emigrantët e paligjshëm janë rritur në mbi pesë milionë, shumë prej të cilëve nuk kanë marrë asgjë më shumë se sa një copë letër që i urdhëron ata të paraqiten në një seancë për azil në një të ardhme të largët. Qytetet e mëdha “progresive” janë shkatërruar aq shumë nga krimi saqë njerëzit dhe bizneset po ikin. Dëmi i jashtëzakonshëm i shkaktuar nga mbyllja e shkollave nga pandemia po sjell rezultate veçanërisht katastrofike për studentët tashmë të pafavorizuar.
Por zgjedhjet presidenciale të 2024-ës ka të ngjarë të jenë një ripërsëritje midis Joe Biden dhe paraardhësit të tij, Donald Trump – dy kandidatë me vlerësime të ulëta. Mosha e Biden-it jo vetëm që vë në pikëpyetje aftësinë e tij për të bërë këtë punë edhe për katër vjet të tjerë, por votuesit janë të zhgënjyer gjithashtu nga skandali që rrethon marrëdhëniet e biznesit të huaj të Hunter Biden dhe evazionin fiskal, duke përfshirë një përpjekje për marrëveshje imuniteti.
Ka gjithashtu prova në rritje se Biden, si zv/president i Barack Obama-s, ndihmoi ose bëri një sy qorr përball faktit që nëntë anëtarë të familjes së tij merrnin pagesa nga shtetas të huaj. Në një sondazh të fundit të CNN, gjysma e të anketuarve thanë se besojnë se sjellja e Biden si zv/president ishte e paligjshme (42%) ose joetike (18%) dhe gjithashtu se ai ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme në hetimin e djalit të tij.
Problemet e Trump janë shumë më të këqija, si ligjërisht ashtu edhe politikisht. Në një sondazh të fundit të Fox, shumica e të anketuarve besojnë se ai ka kryer veprime të paligjshme (megjithëse shumica e republikanëve e konsiderojnë trajtimin e tij nga Departamenti i Drejtësisë si të motivuar politikisht). I përballur me katër aktakuza të veçanta – me gjithsej 91 akuza – ish-presidenti do të durojë procedurat ligjore përgjatë zgjedhjeve paraprake republikane dhe zgjedhjeve nëntorin e ardhshëm.
Shumë nga akuzat kundër Trump – si federale ashtu edhe në shtetin e Xhorxhias – bazohen në teori ligjore të dobëta ose të refuzuara më parë, dhe disa mund të rrëzohen në apel. Akuza të tjera, sidoqoftë, si ajo për pengimin e drejtësisë mbi dokumentet e klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago, duket se janë të qëndrueshme. Ndërkohë, Trump dhe mbështetësit e tij vazhdojnë të pretendojnë, në mënyrë të rreme, se zgjedhjet e vitit 2020 u vodhën.
Pavarësisht këtyre problemeve, Trump është shumë i favorizuar për të fituar nominimin republikan. Kështu, kemi një sërë skenarësh të besueshëm. Si fillim, Trump mund të fitojë nominimin republikan, të humbasë zgjedhjet e përgjithshme dhe më pas të fajësojë për humbjen e tij çështjet e tij ligjore “të rreme”.
Një mundësi tjetër është që Trump mund të rimarrë Shtëpinë e Bardhë dhe të falë veten, ose mund të shfaqen prova që lidhin pagesat e huaja më drejtpërdrejt me Biden. Sipas secilit prej këtyre skenarëve, Biden ose Trump do ta gjenin veten duke u përpjekur të qeverisin një vend edhe më shumë të ndarë se sa e shohim sot.
Amerikës i duhet një lider si Harry Truman, Ronald Reagan ose George H.W. Bush. Ata trajtuan çështje të mëdha, si ndërtimi i rendit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore; thyerja e inflacionit, rindërtimi i ushtrisë dhe menaxhimi me mjeshtëri i fundit të Luftës së Ftohtë – duke përfshirë ribashkimin e Gjermanisë brenda NATO-s, ndërkohë që fitoi Luftën e parë të Irakut (e vetmja luftë e nxehtë që Amerika ka fituar që nga Lufta e Dytë Botërore). Nëse amerikanët janë të shqetësuar, një arsye mund të jetë se ata po pyesin veten nëse do të shfaqet një lider i tillë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Restless America