Bazuar në ligjin 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i njohur gjithashtu si ligji ‘anti-mafia‘, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier sekuestroi pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare në emër të shtetasit të dyshuar L.B., dhe familjarëve të tij.
Ky i fundit është dënuar për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike” në Greqi.
“Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me vendimin nr. 1275 datë, 09.10.2023 vendosi sekuestrimi e pasurive të mësipërme që kapin vlerën mbi 3,000,000 euro,” tha në një njoftim për shtyp Prokuroria e Përgjithshme.
“Prokuroria Fier po ndjek me prioritet dhe është plotësisht e angazhuar për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në përputhje me ligjin 10192, datë 03.12.2009, i ndryshuar,” shtoi organi i akuzës.
Asetet e sekuestruara përfshin pesë njësëi shërbime me sipërfaqje totale 1523 m2 në lagjen ‘1 maji’ në Fier, një apartament 63.6 m2 në Fier, dy apartamente në Vlorë me sipërfaqje 203 m2, një papafingo, një njësi shërbime dhe një apartament në lagjen selitë në Tiranë me sipërfaqje totale 616 m2, një bar kafe në Fier, 5 automjete, 22 mijë euro dhe 212 mijë lekë.