Një sipërfaqe toke prej 5080 metrash katrorë, e cila rezulton të jetë regjistruar përmes dokumenteve të falsifikuara përmes zhvendosjes së një parcele bujqësore dhe mbivendosjes së saj mbi një tokë pronë shtetërore, u vendos në sekuestro preventive nga SPAK në kuadër të hetimit që dërgoi pas hekurave ish-kryebashkiakun jetëgjatë të Himarës Jorgo Goro dhe persona të tjerë.
Tetorin e kaluar, SPAK pati vënë nën sekuestro një parcelë tjetër toke me sipërfaqe 5512 metrash, për të cilën dyshohet gjithashtu se është përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara.
Sekuestroja preventive është masë paraprake, e cila mund të kthehet në konfiskim definitiv ose mund të shfuqizohet në varësi të përfundimit të procesit gjyqësor.
SPAK ka ngritur akuza mbi kryebashkiakun dhe punonjës të ndryshëm të bashkisë dhe të hipotekës, duke i akuzuar se kanë falsifikuar dokumente në lidhje me këtë sipërfaqe toke duke shkaktuar dëm për interesat e shtetit.
Mbi Xhaçkan dhe mbi bashkëshortin e saj, ish-deputetin Artan Gaçi, nuk janë ngritur deri më sot akuza.
Xhaçka gjithsesi përballet me rrezikun e humbjes së mandatit si deputete për shkak se Këshilli i Ministrave, në një vendim të veçantë, i kaloi në përdorim një kompanie të lidhur me familjarë të Xhaçkës të sipërfaqes së plazhit para hotelit, gjë që konsiderohet në shkelje të kushtetutës, për shkak se deputetët nuk lejohet të përfitojnë prona shtetërore. Xhaçka mohon të jetë në këtë situatë. Një vendim i gjykatës kushtetuese për të detyruar kuvendin të dërgojë çështjen për shqyrtim para saj është bllokuar nga socialistët në parlament me metoda të dyshimta ligjore.