
45 organizata të shoqërisë civile, si edhe Komisioneri kundër Diskriminimit dhe Avokati i Popullit kanë nënshkruar një letër të përbashkët publike me anë të së cilës bëjnë thirrje për eliminimin dhe mos përdorimin e gjuhës së urrejtjes, sidomos asaj ndaj komunitetit LGBTI në Shqipëri, i cili së fundmi është përballur me fyerje dhe kërcënime të rënda.
“Duke marrë shkas nga ngjarjet e ditëve të fundit, rritja e retorikës diskriminuese dhe e gjuhës së dëmshme ka arritur nivele shqetësuese, duke paraqitur një kërcënim të konsiderueshëm për dinjitetin, sigurinë dhe mirëqenien e anëtarëve të komunitetit LGBTI+ dhe mbështetësve të tyre”, citon thirrja e përbashkërt e organizatave në mbrojtje të të drejtave të njeriut.
Sipas organizatave nënshkruese, përdorimi i gjuhës së urrejtjes nxit dhunën, diskriminimin si edhe krijon një mjedis frike dhe përjashtimi për personat LGBTI+ apo ndaj kujtdo që përdoret.
“Gjuha e urrejtjes, në çdo formë, e nxitur nga kushdo, është një shkelje e të drejtave themelore të njeriut dhe bie ndesh me vlerat themelore të barazisë, respektit dhe përfshirjes që Shqipëria aspiron të mbrojë”, vijon më tej deklarata.
Sipas aktivistëve, mungesa e tolerancës dhe nxitja e ndarjes së shoqërisë në grupe pengojnë përparimin e vlerave si diversiteti dhe barazia.
“Kjo është e papranueshme në një shoqëri që synon të mbrojë dhe promovojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual apo identiteti gjinor”, shkruajnë aktivistët në mbrojtje të të drejtave të njeriut.
Organizatat nënshkruese u bënë thirrje autoriteteve ligjzbatuese të marrin masa të shpejta dhe efektive kundër autorëve të gjuhës së urrejtjes, teksa viktimave të këtyre sulmeve për t’i raportuar ato.







