Gjyqtari i Tiranës, Julian Haxhiu u konfirmua në detyrë më shumicë votash të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, më 7 qershor. Trupa u nda në vlerësimin përfundimtar për mënyrën e përfitimit të një kredie me kushte lehtësuese, ku kryesuesja Alma Faskaj dhe relatorja Pamela Qirko i gjetën bindëse shpjegimet e subjektit, ndërsa anëtarja Xhensila Pine në pakicë çmoi se Haxhiu gjendet në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia, për arsye të veprimeve fiktive të kryera për kredinë e butë.
Haxhiu dhe bashkëshortja e tij, kanë nënshkruar në shtator të vitit 2013 një kontratë kredie për përfitimin e shumës 4.9 milionë lekë. Nga verifikimi i dokumentacionit të administruar në dosjen e hetimit administrativ lidhur me këtë kredi, rezulton se subjekti i rivlerësimit e ka aplikuar dhe përfituar kredi me kushte lehtësuese, bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave, VKM nr. 600, datë 12.9.2007 “Për trajtimin me strehim të nëpunësve civilë të administratës së lartë shtetërore dhe të funksionarëve politikë”, i ndryshuar.
Komisioni konstaton se në vitin 2012 subjekti i rivlerësimit, për shkak të funksionit që kryente si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, bënte pjesë në rrethin e personave të cilëve u lindte e drejta për të përfituar kredi me kushte lehtësuese sipas parashikimeve të këtij vendimi të qeverisë, ku ndër të tjera përcaktohet se nuk kanë në pronësi të tyre apo personave të tjerë, objekt banimi.
Por, KPK ka gjetur se në periudhë të afërt me aplikimin, bashkëshortja i ka dhuruar babait të saj një apartament me sipërfaqe 91 m2 në Tiranë, që ajo e kishte në pronësi. Bashkëshortja e ka blerë këtë apartament 3 vjet e 6 muaj para fillimit të bashkëjetesës dhe rreth 4 vjet e 10 muaj para lidhjes së martesës ligjore.
Komisioni konstaton se shuma prej 4.9 milionë lekësh, pjesë e fondeve të kredisë me kushte lehtësuese, është disbursuar në llogarinë e subjektit në tetor të 2013-ës dhe vlera monetare 4.8 milionë lekë është transferuar për blerjen e një apartamenti.
KPK vëren se subjekti ka revokuar kontratën e parë të shitjes me rezervë të një apartamenti dhe garazhi të nënshkruar me shoqërinë ndërtuese, pasi kreditë me kushte lehtësuese nuk financojnë blerjen e parkimeve, por janë të destinuara vetëm për qëllim strehimi.
Ndërkohë, nga verifikimet e kryera në vijim prej KPK-së, janë ngritur dyshimet se qëllimi final i marrjes së kredisë së butë ka qenë shlyerja e një kredie të marrë më parë nga subjekti, bashkëshortja dhe babai i tij, për financimin e blerjes së një apartamenti të blerë nga e motra.
Bazuar në këto rrethana, KPK ka konstatuar se dukej se subjekti ka kryer veprime dhe transaksione fiktive – duke vepruar në kundërshtim me rregullat e etikës, me qëllim përmbushjen e kushteve për përfitimin e kredisë me kushte lehtësuese.
Subjekti e ka kundërshtuar këto konstatim. Sipas tij, nuk ka lidhje dhurimi apartamentit nga bashkëshortja në favor të babait të saj, pasi edhe nëse nuk do ishte kryer ai transaksion, plotësoheshin kushtet për kredi lehtësuese. Ai ka parashtruar se pavarësisht se apartamenti ka qenë i regjistrar formalishgt në emër të bashkëshortes, nuk ka qenë asnjëherë pronë e saj vetjake dhe se kontributin më të madh në vënien e pasurisë e ka pasur i ati, që kalon disa herë kontributin e pjesëtarëve të tjerë të familjes. Subjekti ka sjellë në vëmendje se me dhurimin formal tek babai i bashkëshortes, i cili do të ishte bërë në çdo rast, apartamenti ka ndjekur rrugën e natyrshme ligjore, duke u ndarë eventualisht sipas regjimit të trashëgimisë ligjore.
Sipas Haxhiut, VKM-ja nuk kërkon që gjyqtari të mos ketë asnjë pronë të regjistruar në emër të tij në kuptimin formal, por kërkon që të mos ketë në pronësi një sipërfaqe më të madhe se ajo e parashikuar. Ai ka argumentuar se edhe nëse do të ishte bërë pjesëtimi i pasurisë, sipërfaqja që në realitet do t’i takonte bashkëshortes së tij do të ishte e papërfillshme në krahasim me kufijtë e përcaktuar në vendimin e qeverisë. Sipas tij, qëllimi i vetëm i këtij transaksioni ka qenë rivendosja e përputhshmërisë mes gjendjes faktike dhe regjistrimit formal të apartamentit, ashtu siç është pasqyruar në kontratën e dhurimit.
Në të njëjtën linjë arsyetimi, subjekti ka referuar se apartamenti i blerë nga familja e tij, nuk mund të përbëjë mosplotësim të kushteve të VKM-së.
Po ashtu, ka arsyetuar se asnjë veprim i kryer prej tij dhe bashkëshortes nuk ka qenë fiktiv, me argumentin se të gjitha veprimet e kryera prej tyre kanë sjellë pasoja juridike të pritshme dhe të dëshiruara, që vijojnë ti sjellin edhe sot.
Në këtë këndvështrim, deklaron se nuk ka pasur prej tij kryerje të veprimeve jashtë detyrës që mund të konsiderohen se ulin autoritetin e pushtetit gjyqësor, sipas standardit etik të zbatueshëm në atë kohë.
Ndërkohë, ka sqaruar se vendimin për një kredi për shtëpinë e motrës e kishin marrë bashkërisht, pasi dhe babai, duke qenë kredidhënës e dorëzanës njëkohësisht, ndiente përgjegjësinë për shlyerjen e saj.
Haxhiu ka deklaruar se blerja e apartamentit me kredinë me kushte lehtësuese ishte një veprim juridik i vërtetë, që ka sjellë pasoja juridike. Ai ka sqaruar se para këtij veprimi juridik ai nuk ishte pronar i asnjë apartamenti në vendin e ushtrimit të detyrës, kurse pas tij u bë pronar i një banese. Po ashtu, ka referuar se ky është apartamenti i vetëm në pronësinë e tij, për të cilin vazhdon të paguajë rregullisht kredinë bankare me kushte lehtësuese.
Duke analizuar dokumentet e administruara në raport me deklarimet e subjektit, shumica konkludon se në momentin e aplikimit subjekti i plotësonte të gjitha kushtet dhe kriteret për t’u trajtuar me kredi me kushte lehtësuese.
Lidhur me dhurimin e apartamentit nga bashkëshortja e subjektit, babait të saj, Komisioni konstaton se në aktin noterial të kohës së dhurimit thuhet qartësisht se kemi të bëjmë me një pasuri të përbashkët familjare, për të cilën duket se anëtarët e familjes kishin bashkërisht kontribut në blerjen e saj.
Deklarimet e Haxhiut janë gjetur bindëse “Pavarësisht se apartamenti në fjalë është porositur dhe fillimisht është regjistruar në emër të bashkëshortes së subjektit, kemi të bëjmë me një pasuri të përbashkët të familjes, për të cilën ata kanë kontribuuar bashkërisht”, shprehet shumica dhe vlerëson se dhurimi nuk cenon procesin e aplikimit dhe përfitimit të kredisë me kushte lehtësuese.
Lidhur me transaksionet e kryera nga babai i subjektit dhe në vijim nga ky i fundit në lidhje me apartamentin, shumica çmon se ato duhet të vlerësohen në tërësi në raport me marrëdhënien e babait me shoqërinë ndërtuese, faktit se vetë Haxhiu nuk kishte porositur prej saj pasuri dhe as nuk kishte pasuri të tjera në pronësi, si dhe me rrethanën e konstatuar se ata ishin bashkëkredimarrës për një pasuri të blerë nga e motra e subjektit.
Shumica çmon se, për sa kohë veprimet juridike të kryera nga subjekti e kanë sjellë blerjen e apartamentit të financuar me kredinë me kushte lehtësuese, pavarësisht kompleksitetit të tyre, nuk mund të vlerësohen si veprime fiktive apo të simuluara.
“Komisioni e gjen bindës shpjegimin e subjektit se, nëse analizohen si dy veprime të ndara, me qëllime të ndryshme, secili paraqitet si një veprim i vërtetë juridik që ka sjellë pasojën ligjore të synuar nga palët. Nga njëra anë, subjekti, së bashku me bashkëshorten e tij, duke mos pasur apartament banimi në pronësi të tyre, kanë synuar të bëhen pronarë të një apartamenti në Tiranë, pikërisht në vendin e ushtrimit të detyrës nga ana e subjektit”, citohet në vendim. Përfshirja e mëparshme e Haxhiut dhe bashkëshortes në kredimarrje për nevoja të strehimit të familjarëve të tyre, vlerësohet se nuk e privon subjektin nga e drejta për përfitimin e një kredie me kushte lehtësuese me qëllim blerjen e një pasurie për strehimin e familjes së tij të re.
Nga ana tjetër, sillet në vëmendje se babai i subjektit ka synuar të shlyejë detyrimin e kredisë që ka pasur si pasojë e blerjes së një apartamenti prej së bijës, duke revokuar një kontratë të mëparshme porosie.
Sipas shumicës, të gjitha veprimet janë kryer në kuadrin e marrëdhënieve të posaçme familjare, me qëllim përmbushjen e nevojës për strehim të anëtarëve të familjes së origjinës së subjektit, përfshirë edhe vetë subjektin.
Shumica vlerëson se u provua bindshëm se subjekti dhe bashkëshortja nuk kanë kryer veprime fiktive apo të simuluara me qëllim plotësimin e kushteve për përfitimin e kredisë në kushte lehtësuese
Komisionerja Xhensila Pine në pakicë ka votuar për shkarkimin e Haxhiut duke vlerësuar se me veprimet e kryera për përfitimin e kredisë së butë, ai ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Ajo sjell në vëmendje se, kur subjekti filloi procedurat e aplikimit për përfitimin e kredisë me kushte lehtësuese, ai dhe personat e tjerë në një certifikatë familjare me të, kishin në pronësi dhe përdorim një apartament me sipërfaqe 133 m2 në pronësi të prindërve; apartament me sipërfaqe 90 m2 në Tiranë për të cilin ishte paguar pjesa më e madhe e çmimit prej 45 mijë eurosh. Pine konstaton se në vitin 2006, Haxhiu ka marrë kredi për këtë apartament ku ka pasur të drejta reale pasurore, prej vitit 2007 kur kishte filluar të banonte. Tjetër pasuri, ishte apartamenti me sipërfaqe 91 m2 në emër të bashkëshortes.
Po ashtu, kanë zotëruar dhe një apartament në Durrës, pasuri për të cilën gjyqtari Haxhiu ka marrë kredi në 2009-ën.
“…Për sa subjekti nuk përmbushte kushtet, mbi përfitimin e kësaj kredie, ndarja e subjektit nga certifikata familjare e prindërve dhe mbyllja e marrëdhënieve të mëparshme të kreditimit të marra prej subjektit për financimin e apartamenteve, dhurimi nga bashkëshortja e tij i apartamentit që kishte në pronësi babait të saj, u kryen vetëm për plotësimin e kushteve formale për përfitimin e kredisë me kushte lehtësuese nga ana e subjektit të rivlerësimit”, argumenton Pine.
Ajo sjell në vëmendje dhe revokimin e kontratës së apartamentit dhe garazhit në vitin 2013, për të lidhur një ditë më vonë kontratë të re për blerjen e të njëjtës banese dhe të garazhit. Pine evidenton se shoqëria në fjalë, nga qershori 2009 ishte çregjistruar nga regjistri tregtar dhe nuk ushtronte më veprimtari. Ajo shton se as veprimet financiare deklaruar të kryera nga palët në vitin 2013 nuk provohen.
Pine vlerëson se transaksionet e kryera nga subjekti në vitin 2013, konfirmojnë jo vetëm faktin e posedimit të pandërprerë të kësaj pasurie, por dhe fiktivitetin e veprimeve ligjore të kryera mes palëve, pasi ato rezultoi se janë kryer vetëm për t’iu paraqitur bankës në funksion të përfitimit të kredisë dhe jo qëllimit të vetë palëve.
“…Duke pasur parasysh nga njëra anë qëllimet dhe veprimet e pranuara prej vetë subjektit të rivlerësimit, që konsistonin në kryerjen e veprimeve juridike të caktuara vetëm në shërbim të përfitimit të kredisë dhe, nga ana tjetër, qëllimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve që, ndër të tjera, është rikthimi i besimit të publikut te sistemi i drejtësisë, veprimet e kryera nga subjekti i rivlerësimit, në funksion të përfitimit të kredisë me kushte lehtësuese, …janë në kontradiktë me sjelljen që pritet nga një gjyqtar, duke cënuar besimin e publikut te drejtësia”, vlerëson Pine dhe ka votuar për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Haxhiu.