
Ish-kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK se në bashkëpunim me dy vartës së tij kanë lejuar kryerjen e punimeve në kundërshtim me ligjin në një pallat 14-katësh të kompanisë së themeluar nga Kapri, që administrohet nga vëllai i tij,
Ish-kryebashkaku Kapri, juristi i Bashkisë Pogradec, Besjan Meço dhe specialistja e Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në këtë njësi vendore akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, i kryer në bashkëpunim. SPAK njoftoi të hënën më 14 tetor se çështja penale në ngarkim të tre zyrtarëve është dërguar për gjykim në gjykatën respektive.
Hetimi ndaj Kaprit ka filluar bazuar në aktet e dërguara për kompetencë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Shkallës së Parë Korçë.
“…është dokumentuar fakti penal se me veprimet dhe mosveprimet e tij, shtetasi Eduart Kapri, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me shtetasit Besmira Niko dhe Besjan Meço, kanë lejuar kryerjen e punimeve në kundërshtim me dispozitat ligjore, të objektit pallat 14 katësh, nga shoqëria Gedi sh.p.k…,” thuhet në njoftimin e SPAK.
Kompania Gedi sh.p.k është themeluar në vitin 2005 me ortakë vëllezërit Gëzim dhe Eduart Kapri. Pas zgjedhjes si kryetar i bashkisë së Pogradecit në vitin 2015, Kapri u largua nga kompania.
Sipas SPAK, kompania Gedi sh.p.k mori një leje ndërtimi nga Bashkia e Pogradecit në vitin 2009 për ndërtimin e objektit “Kompleks Banimi dhe Shërbimi”, 1 kat nëntokë + 2 kate ambiente shërbimi + 9 kate ambiente banimi, në lagjen nr.3 të qytetit Pogradec. Në atë kohë administrator i shoqërisë Gedi sh.p.k., ishte vetë ish-kryebashkiaku Eduart Kapri.
Bashkia Pogradec ia refuzoi Kaprit zgjatjen e afatit të kësaj leje ndërtimi, për shkak se afati për përfundimin e punimeve ishte data 09 dhjetor 2014 dhe kërkesa e subjektit ndërtues ishte depozituar me shkrim jashtë afateve ligjore.
Ndërkohë, në mars të vitit 2016, kur konflikti administrativ mes bashkisë dhe shoqërisë së Kaprit ndodhej ende për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ai tashmë në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, ka lejuar jo vetëm përfundimin e punimeve të pezulluara nga administrate e mëparshme, por edhe ndërtimin e një objekti 14 katësh nga ana e shoqërisë me administrator vëllain e tij, Gëzim Kapri.
Sipas SPAK, ky ndërtim u lejua në kundërshtim ligjin dhe vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë, duke krijuar kështu përfitime materiale të padrejta për shoqërinë “Gedi” sh.p.k., pasi u shtua sipërfaqja ndërtimore me dy kate. Po ashtu, konstatohet se dhënia e këtij vendimi është bërë në kushtet e konfliktit të hapur të interesit, nga ana e të pandehurit Eduart Kapri.







