
Në prologun e librit të tij të ri, Nexus: Një histori e shkurtër e rrjeteve të informacionit nga epoka e gurit tek Inteligjenca Artificiale, Yuval Noah Harari shkruan: “Ne nuk duhet të supozojmë se rrjetet delirante janë të dënuara të dështojnë.” Implikimet për Shtetet e Bashkuara në prag të zgjedhjeve të saj presidenciale duhet të jenë të qarta. Në fund të fundit, lëvizja autoritare “Make America Great Again” (MAGA) – në të cilën Partia Republikane është tani vetëm krahu politik – nuk është veçse një delir dhe një mandat i dytë për liderin e saj, Donald Trump, do të ishte katastrofik.
E megjithatë gara është kokë më kokë: sondazhet vendosin mbështetjen për Trump në rreth 50% – një rezultat alarmant, duke pasur parasysh prirjen e Trump për retorikë ekstreme, fyese dhe të rrezikshme. Është një dëshmi e fuqisë dehëse të iluzionit MAGA që gjysma e votuesve amerikanë me sa duket besojnë vërtet se Trump është më i përshtatshëm për të udhëhequr SHBA-në sesa kundërshtarja e tij, zv/presidentja Kamala Harris.
Mbështetësit e Trump mund të mos japin të gjithë të njëjtën arsye pse e mbështesin atë, por ata kanë një gjë të përbashkët: thithjen e vazhdueshme dhe të qëndrueshme të propagandës së krahut të djathtë. Këta votues janë bombarduar me retorikën toksike të Trump për një dekadë, por kjo është vetëm faza e fundit në një proces shumë më të gjatë. Amerikanët e dëgjuan sarkazmën e të ndjerit Rush Limbaugh për një gjysmë shekulli dhe kanë parë skuadrën monotone të Fox News të flasë duke vjellë gënjeshtra dhe duke ushqyer përçarje për gati 30 vjet.
Për republikanët që korrën frytet – duke përfshirë llojet e figurave të establishmentit të cilëve Trump tani u referohet me tallje si “republikanë vetëm në emër” (RINOs) – hipokrizia e propagandistëve nuk pati kurrë shumë rëndësi. Limbaugh mund të bënte që Elton John të performonte në një nga dasmat e tij të shumta, edhe pse ai kritikoi atë që do të quhej kultura “woke”. Gjëja e rëndësishme ishte mbajtja e bazës konservatore në linjë, të motivuar dhe të gatshme të vepronte në një moment kundër armikut monolit dhe dashakeq që ishte “e majta”.
Në radiot dhe ekranet televizive, ekspertët konservatorë kritikonin “qeverinë e madhe” dhe “liberalët që taksojnë dhe shpenzojnë”. Nëse republikanët do të ishin ata që do të zgjeronin kompetencat e qeverisë federale ose do do të shtonin deficitin duke ulur të ardhurat e qeverisë përmes shkurtimeve të taksave, nuk kishte rëndësi. Paraqitja pafund e demokratëve si socialistë, komunistë, marksistë, apo çfarëdolloj epiteti tjetër të frikshëm që ishte në modë e pengoi publikun ta vinte re mospërputhjen.
Diskreditimi i burimeve autoritative të informacionit ndihmoi. Kur konsulenti i atëhershëm politik Roger Ailes – një ish-bashkëpunëtor i Ronald Reagan – e bindi për herë të parë manjatin e medias Rupert Murdoch që të niste rrjetin konservator të medias që do të bëhej Fox News, ai menjëherë bashkëngjiti sloganin “I drejtë dhe i ekuilibruar”. Implikimi ishte i qartë: media “mainstream” ishte e njëanshme, ose thjesht një organ i brendshëm i Partisë Demokratike. (Fox News e hoqi sloganin në vitin 2017, pasi Ailes u pushua nga puna pas një skandali ngacmimi seksual)
Fatkeqësisht për republikanët e establishmentit, përbindëshi tani i ka humbur lidhjet e tij. Te Trump, lëvizja “konservatore” gjeti një mjet dhe një megafon për instinktet e saj më të ulëta, dhe në mediat konservatore, Trump gjeti një foltore të përhershme. Menjëherë pasi ai zbriti nga shkalla e tij lëvizëse “e artë” në Trump Toëer në 2015 dhe shpalli kandidaturën e tij presidenciale, vetë personazhet që kishin kaluar dekada duke ushqyer dhe duke përfituar nga mediat e krahut të djathtë e gjetën veten duke u kritikuar, përbuzur dhe ofenduar nga një Trump i kapardisur para turmave të magjepsura.
Trump fitoi zgjedhjet e 2016 duke marrë nën kontroll ekosistemin informativ amerikan. Ai dhe politikanët e MAGA-s, të cilët u ngritën pas tij për të sfiduar RINO-të, morën kohë transmetimi praktikisht të pakufizuar në rrjetet e krahut të djathtë. Pa marrë parasysh retorikën e tij të çuditshme apo mashtrimet e tij, ai u trajtua si normal dhe madje u përgëzua për “sinqeritetin” e tij.
Por media konservatore nuk ishte e vetmja që e mbajti vëmendjen e publikut te Trump. Duke zbatuar parimin më themelor të raportimit të lajmeve – nëse ka gjak, ka lajm – mediat tradicionale raportuan vazhdimisht masakrën politike të Trump dhe lëvizjes së tij MAGA. Siç e tha në mënyrë cinike kryetari i atëhershëm i CBS, Les Moonves, në vitin 2016, karriera politike e Trump “mund të mos jetë e mirë për Amerikën”, por t’i japësh atij kohë transmetimi është diçka “shumë mirë” për kompanitë e medias.
E majta, nga ana e saj, është treguar e paaftë për të kopjojë suksesin e mediave të krahut të djathtë. Ndërkohë që ka pasur disa përpjekje – të tilla si Air America, e cila falimentoi në 2010 – mediat liberale dhe demokratike duken se janë tepër të shtrënguara dhe elitare për të krijuar një kundërprorgam efikas. Atyre u mungon vullneti i zjarrtë i së djathtës për të përdorur çdo mjet të nevojshëm për të çuar para axhendën e saj. Gjithsesi, Shtetet e Bashkuara nuk janë tamam një vatër mendimi progresiv.
Mungesa e konkurrencës nga mediat me prirje të majtë – me përjashtim, ndoshta, të MSNBC – do të thotë se makina mediatike e krahut të djathtë mund t’ia hedhë paq duke nxitur edhe ide dhe politika që nuk janë të pëlqyera nga publiku amerikan. Nga këndvështrimi elektoral, propagandistët tashmë kanë arritur të delegjitimojnë Partinë Demokratike para pothuajse gjysmës së votuesve; edhe ata që janë të gatshëm t’u japin demokratëve një shans duket se tregohen të kujdesshëm ndaj çdo hapi të gabuar që mund të vërtetojë dekada alarmizmi të republikanëve.
Së shpejti do të zbulojmë nëse kjo do të mjaftojë për ta çuar Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë. Nëse votuesit e refuzojnë atë, ata do të kenë fituar kohë për Shtetet e Bashkuaram por jo për shumë kohë. Gjatë katër viteve të ardhshme, përbindëshi mediatik MAGA do të bëhet më i zhurmshëm, më i shëmtuar dhe më i ngathët, duke i mbushur dhomat e ndenjes të amerikanëve me sulme të pamëshirshme ndaj presidentit Harris.
Harari e përfundon reflektimin e tij mbi rrjetet delirante duke vënë në dukje se parandalimi i fitores së tyre kërkon që ne “ta bëjmë vetë punën e vështirë”. Nëse Harris triumfon më 5 nëntor, do të jetë në dorën tonë të sigurohemi që të mos e gjejmë më veten përsëri në këtë situatë në vitin 2028.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Trump’s Not-So-Secret Weapon







