
Pasi qëndruan për 12 ditë në det të hapur, kontejnerët e dyshuar se përmbajnë mbetje të rrezikshme, që u eksportuan nga Shqipëria në drejtim të Tajlandës dhe u kthyen pas pas alarmit nga ambjentalistët, u shkarkuan të premten në Portin e Durrësit dhe u vendosën në një zonë nën administrimin e Agjencisë së Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK në afërsi të EcoParkut në Porto Romano.
Anija që transportonte mbetjet u lejua të ankorohej në port pas një sërë peripecish, ndërsa Prokuroria e Durrësit po heton dyshimet për eksportin e paligjshëm të tyre. Mëngjesin e së premtes anija “Molivia” u fut në kalatën me numër 6, ku nisi shkarkimi i kontejnerëve.
Ekspertë të Prokurorisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Prokurorisë së Durrësit ndodheshin në port, ku nisi procesi i verifikimit fizik të 102 kontejnerëve që dyshohet se kanë mbetje të rrezikshme.
Zyrtarët e përfshirë në proces thanë se kontejnerët janë verifikuar nëse kanë pasur plumbçe dhe nëse kanë pasur dëmtime të tjera të jashtme. Në një rreze të siguruar nga policia, kontejnerët kanë kaluar në procesin e verifikimit fizik, pasi janë shkarkuar me tre vinça të vënë në dispozicion nga sektori i shkarkimit të kontejnerëve pranë Portit të Durrësit.
“I gjithë procesi është realizuar përmes një plani të detajuar masash, edhe në zbatim të urdhrit të Prokurorisë Durrës për zbarkimin dhe ruajtjen e 102 kontejnerëve të anijes “Moliva”, në një vend të sigurt, larg zonave të banuara, si edhe duke respektuar në mënyrë rigoroze kushtet e sigurisë fizike, mjedisore dhe shëndetësore”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Brendshme, ku sqarohet edhe përfshirja e AAPSK-së në proces.
Rreth orës 13:00 kanë mbërritur në port kamionët që kanë nisur procesin e transportimit të kontejnerëve drejt Porto Romanos. Ato u vendosën jo më shumë se 500 metra në vijë ajrore larg EcoParkut, në një zonë industriale.
“Çdo veprim është regjistruar dhe dokumentuar përmes procesverbaleve dhe kontejnerët janë kontrolluar, skanuar dhe verifikuar, që nga gjendja e tyre e jashtme, deri tek të gjithë elementët e tjerë të sigurisë”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme.
Forcat e rendit do të ruajnë kontejnerët dhe zona mësohet se monitorohet me kamera. Prokuroria e Durrësit ka kërkuar ruajtjen 24 orë të kontejnerëve, ndërsa thotë se në vend do të ketë ekspertë që do të bëjnë verifikimin nëse ato kanë apo jo lëndë të rrezikshme.
E pyetur në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese në Kuvend, ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro këmbënguli se mbetjet nuk ishin toksike dhe se duhej pritur hetimi për to. “Është identifikuar vendi ku do të vendosen kontejnerët ku do të vendosen mbetjet e dyshuara të rrezikshme, të deklaruara nga subjektet si mall, nën-produkte metali. Prokuroria do të hetojë, Ministria e Brendshme ka caktuar vendin ku depozitohen, po mbikëqyren dhe do të presim, hetimet”, tha Kumbaro.
Udhëtimi i 102 kontenierëve me destinacion Tajlandën ka ngjallur shqetësime prej muajit gusht, kur organizata mjedisore “Basel Action Netëork”, BAN, ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme me burim hirin e oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD).
Prokuroria e Durrësit nisi atëherë një hetim ndaj kompanisë eksportuese “Sokolaj” sh.p.k, e cila nga ana e saj ka deklaruar se i kishte blerë mbetjet nga kompania e prodhimit të shufrave të hekurit, “Kurum International”. Kompania “Kurum” ka mohuar që të ketë lidhje me eksportin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa Gjovana Sokolaj, administratore e kompanisë “Sokolaj”, ka pretenduar në Prokurori se mbetjet nuk janë të rrezikshme.
Drejtori i BAN, Jim Puckett, i cili vizitoi Shqipërinë më 28 tetor dhe ishte i pranishëm në portin e Durrësit ditën e mbërritjes së anijes “Molivia”, u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të mundësojnë një hapje publike të kontejnerëve për një proces hetimor transparent, ndërsa kërkon që qeveria shqiptare të ndajë me organizatën e tij një mostër për analiza të pavarura.







