
Gjykata e Posaçme e Apelit u njoh të enjten më 14 nëntor me qëndrimet përfundimtare të shumicës së të pandehurve për aferën korruptive të aferës së inceneratorit të Fierit.
Avokati i zgjedhur nga ish-ministri Mjedisit, Lefter Koka nuk ishte i pranishëm me argumentin se gjendej në një tjetër proces. Po ashtu, nuk ishte i pranishëm në seancë as avokati i zgjedhur kryesisht. Për këto arsye gjykata caktoi një tjetër avokate kryesisht, por ajo kërkoi më shumë kohë të njihej me aktet. Nisur nga fakti se dhe një prej avokatëve të të pandehurit Pëllumb Abeshi, i cili ishte i pranishëm, tha se i përfaqësuari prej tij kërkonte që bisedimet përfundimtare të paraqiteshin nga avokati tjetër i zgjedhur prej tij.
Ndërkohë, përfaqësuesit e gjithë të pandehurve të tjerë parashtruan qëndrimet dhe kërkimet e tyre përfundimtare në seancën e të enjtes që zgjati rreth pesë orë e gjysmë.
Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi më 28 tetor të ri përsërisë pjesërisht gjykimin për aferën korruptive të inceneratorit të Fierit, duke thirrur për të dhënë deklarimet e tyre disa dëshmitarë dhe një prej të pandehurve. Vendimi u mor me shumicë votash pas shqyrtimit të kërkesës së bërë nga prokurori i çështjes, Dritan Prençi. Në seancën paraardhëse, dëshmitarët ju përgjigjën pyetjeve të prokurorit Prençi lidhur me veprimet e tyre dhe të pandehurve e personave të tjerë. Prokurori kërkoi marrjen e dëshmive, me qëllim që gjykata të vlerësojë lidhur me kërkimet e tij për dënimin e të pandehurve. Prençi kundërshtoi në apel pafajësitë e dhëna në shkallën e parë.
Përfaqësuesit ligjorë të ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako dhe të të pandehurve Arbër Denizi, Sabina Cenameri, Erjon Murataj, Azem Shatëri dhe Florian Muça kërkuan pafajësi. Ata pretenduan se nuk provohej që të pandehurit të kishin kryer veprat penale për të cilat akuzohen nga prokuroria.
Në seancë ishte i pranishëm edhe Bllako, i cili ashtu si dhe mbrojtësi i tij deklaroi se nuk ka asnjë veprim apo mosveprim të tij të kundërligjshëm, si dhe as një vendimmarrje. Sipas Bllakos, Sekretari i Përgjithshëm ka ‘zero’ kompetenca. Ai këmbënguli se toka për të cilën pretendohet dëmi shkaktuar shtetit, nuk është përzgjedhur nga Ministria e Mjedisit, po nga një komision i krijuar për këtë punë.
Lidhur me punësimin e të atit nga kompania e inceneratorëve, Bllako tha se kjo kishte ndodhur dy vjet pasi ai kishte lënë detyrën dhe se nuk mund të kishte lidhje. Ndërsa avokati i tij argumentoi se babai i ish-deputetit socialist, ishte inxhinier prandaj ishte punësuar. “Nuk kam marrë asnjë vendim që i ka sjellë dëm shtetit”, deklaroi Bllako ndër të tjera dhe kërkoi pafajësi.
Mbrojtësit e tre të pandehurve të tjerë, Juri Imeraj, Arjola Kodra dhe Arben Dervishaj, kërkuan lënien në fuqi të pafajësisë së tyre të fituar në shkallën e parë.
I akuzuari nga prokuroria si mbikëqyrës i punimeve të incineratorit të Fierit, Arben Dervishaj, i cili është deklarua ri pafajshëm në shkallën e parë, ishte dhe vetë i pranishëm në seancë. Ashtu si dhe avokati i tij, Dervishaj argumentoi se ai është aksioner i shoqërisë që ka fituar të drejtën e mbikëqyrjeve të punimeve, por këmbënguli se nuk është ai mbikëqyrësi. Po ashtu, e cilësoi të padrejtë vlerësimin e prokurorisë që e ka konsideruar në cilësinë e funksionarit publik.
Dervishaj deklaroi në seancë ndër të tjera se inceneratori i Fierit nuk është përfunduar ende pasi duhen edhe 3 milionë euro të tjera. Sipas tij, duhet që inceneratori të përfundojë, pasi është vepër e teknologjisë së fundit dhe duhet të administrohet nga shteti e të fillojë punën.
Edhe avokatët e të pandehurve Regan Merdani e Gentian Zifla të cilët janë dënuar, por u është pezulluar dënimi dhe vendosur në shërbim prove, kërkuan lënien në fuqi të vendimmarrjes së shkallës së parë.
Edhe përfaqësuesi ligjor i të pandehurit Klodian Zoto, avokati Ardian Leka kërkoi deklarimin e pafajshëm të klientit të tij. Duke sjellë në vëmendje se një prej anëtarëve të trupit gjykues, ka qenë në përbërje të kolegjit që gjykoi dhe dha vendim për aferën e inceneratorit të Elbasanit, abokati Leka dha se e kanë humbur besimin se gjykimi mund të jetë i paanshëm. “Nuk kemi asnjë personale dhe vendimi juaj mund të jetë shumë I drejtë, por e kemi humbur besimin”, tha avokati Leka dhe shtoi se të gjitha çështjet për incineratorët duhej të ishin në një dosje.
Ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka u dënua me 6 vite e 8 muaj burg për aferën korruptive të inceneratorit të Fierit. Biznesmeni Klodian Zoto, i cili gjendet në arrati që kur u shpall në kërkim në dhjetor të vitit 2021, mori dënimin më të lartë me 8 vjet burg.
Ish-deputeti socialist Alqi Bllako u dënua për shpërdorim detyre me 2.8 vite burg në rastin e inceneratorit të Fierit. Disa prej zyrtarëve, të cilët ishin pjesë e grupit të punës që miratoi kontratën e koncesionit, u dënuan me nga dy vjet burg për abuzim me detyrën.
Skandali i inceneratorëve nisi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë për të shpallur një emergjencë mjedisore, si justifikim për të dhënë koncesionin e inceneratorit të Elbasanit. I njëjti grup kompanish mori më pas koncesion për inceneratorin e Fierit dhe atë të Tiranës. Dy dyzina me zyrtarë dhe biznesmenë janë arrestuar ose janë shpallur në kërkim për çështjen, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako.







