
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të martën më 19 nëntor procedimin e 8 personave, pesë prej të cilëve premtonin dhënien e banesave sociale kundrejt shumave monetare në qytetin e Durrësit, duke u shtirur si funksionarë të administratës shtetërore.
“Pesë prej tyre kishin ngritur një skemë përfitimi të paligjshme duke u prezantuar si punonjës me funksione drejtuese dhe vendimarrëse në dhënien e disa banesave sociale që ndodheshin në zonën e Spitallës, Durrës kundrejt përfitimit të shumës prej 15,000 euro, e cila do të shërbente për bllokimin e banesës dhe dhënies së ‘kafeve’ ndaj të tretëve,” thuhet në njoftimin e SPAK. Tre personat e tjerë janë proceduar pasi kanë dhënë shumat monetare, me qëllim përfitimin e banesave sociale.
Procedimi ndaj tyre ka nisur bazuar në informacionin e bërë publik nga emisioni “Fiks Fare” në televizionin Top Channel dhe është regjistruar për veprën penale“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe më tepër se një here.
Sipas SPAK, pesë të hetuarit që akuzohen që kanë ngritur skemën e mashtrimit, u kërkonin personave të interesuar për banesa sociale që veç pagesës paraprake, t’u dorëzonin dhe dokumentacionin për procedurat standarte për përfitimin e banesës. Më vonë të interesuarve u dërgohej një mesazh konfirmimi në telefon, duke emërtuar si dërgues Bashkinë Durrës.
Nga hetimet ka rezultuar se të hetuarit, në katër episode të ndryshme kanë kërkuar dhe marrë përfitimin e parregullt të shumave monetare që variojnë nga 5 000 deri në 10 mijë euro.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj pesë të hetuarve të dyshuar se kanë krijuar skemën e mashtrimit, ndërsa tre të tjerët që kanë dhënë para për përfitimin e banesave sociale, janë lënë në masën “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.







