
Prokuroria e Fierit njoftoi të mërkurën më 27 nëntor sekuestrimin e dhjetëra pasurive të paluajtshme dhe të një shoqërie në pronësi të një të dënuari për trafik narkotikësh, grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, në bashkëpunim, si dhe në pronësi e posedim të familjarëve të tij. Sipas prokurorisë, pasuritë e të dënuarit Nikolin Gjolena dhe familjarëve të tij kapin vlerën e mbi 1 milion eurove.
Në njoftim thuhet se nga hetimet pasurore të nisura kryesisht këtë vit, është provuar se disa prej pasurive “në pronësi dhe posedim të të dënuarit Gjolena dhe familjarëve të tij e kishin burimin në veprimtarinë kriminale të kryer prej këtij shtetasi”.
Në masën e sekuestros janë vendosur një njësi me sipërfaqe 100 m2 në Durrës; 8 apartamente me sipërfaqe totale 596.6 m2 dhe 2 njësi me sipërfaqe totale 225 m2 në zonën e quajtur Plazh në Durrës; 5 apartamente në Tiranë me sipërfaqe të përgjithshme rreth 411 m2; një ndërtesë me sipërfaqe 115.8 m2 dhe dy garazhe me sipërfaqe 40.3 m2, po në Tiranë. Po ashtu, janë sekuestruar dhe koutat e shoqërisë Erini-2013 sh.p.k., me administrator dhe një nga ortakët, Nikolin Gjolena.
Nikolin Gjolena u dënua nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë me 11 vjet e 4 muaj burgim më 26 qershor. Ai u akuzua si një nga organizatorët e një grupi të strukturuar kriminal që trafikoi rreth 485.5 kg kokainë nga Kolumbia në Shqipëri. Më të njëjtën masë dënimi u ndëshkua dhe një prej të akuzuarve si organizator i këtij grupi, ish-kryetari i Komunës Frakull në Fier, Viktor Çervanaku. Të 11 të pandehurit u dënuan përfundimisht me 88 vjet e 4 muaj burgim.







