
Një vatër e sëmundjes së murtajës afrikane të derrit u identifikua në Malin e Rrencit në Shëngjin të Lezhës, ku janë gjetur deri më tani 10 derra të ngordhur – pesë brenda një ferme dhe pesë të tjerë në masivin pyjor të zonës.
Shërbimi i Veterinarisë në Lezhë është vënë mënjehërë në lëvizje dhe nga analizat e kryera ka rezultuar se derrat kanë ngodhur nga murtaja afrikane. Në koordinim edhe me bashkinë e Lezhës, Policinë dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, Shërbimi Veterinar ka bërë djegien dhe asgjësimin e derrave të infektuar.
Zona e Malit të Rrencit në Shëngjin është vendosur në karantinë, ndërsa autoritetet thanë se po kryejnë dezinfektim në vendet ku dyshohet se ka pasur lëvizje të kafshëve.
Murtaja afrikane e derrave është një sëmundje ngjitëse virale që shkakton ethe hemorragjike te derrat e butë dhe të egër dhe shoqërohet shpesh me ngordhje të tyre. Kjo sëmundje mund ta ndikojë rëndë produktivitetin e sektorit të mbarështimit të derrave dhe ka një potencial jashtëzakonisht të lartë për përhapje.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve deklaroi se situata është identifikuar prej tyre prej datës 26 nëntor, ndërsa situata po mbahet në monitorim.
“Gjatë këtyre ditëve nuk ka ndalur puna për zbatimin e Planit të Kontigjencës Nr.10390/1 Prot., datë 24.11.2020 “Për Sëmundjen e Murtajës Afrikane të Derrave”, duke dërguar për çdo ditë 5 grupe verifikimi dhe kontrolli për marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së sëmundjes,” deklaroi Autoriteti.
Gjatë monitorimit nuk janë evidentuar raste të reja dhe as shenja klinike në zonat e kontrolluara.







