
Një 51-vjeçar mbeti i vrarë të martën në një aksident në pune në Spaç të Mirditës. Ai u godit nga një mjet i rëndë gjatë punës për riparimin e një ekskavatori. Sipas policisë Frrok Prenga nga fshati Malaj mbërrit pa shenja jete në Spitalin e Mirditës dhe hetimet paraprake zbuluan se ai bashkë me kushëririn e tij, shtetasin P. P., kishin shkuar në Spaç për të rregulluar një mjet ekskavator në ofiçinën e këtij të fundit.
“Gjatë punës, duke ndërruar transmisionin e këtij mjeti, kriku ku mbahej i fiksuar transmisioni është këputur dhe ka goditur shtetasin Frrok Prenga i cili për pasojë ka humbur jetën, në vendin e ngjarjes për shkak të plagëve të marra”, njoftoi policia.
Policia bëri me dije se nisi hetimet dhe po punon për zbardhjen e dhe sqarimin e plotë rrethanave të këtij aksidenti në punë. Aksidentet e rënda në punë mbeten një shqetësim i përhershëm në vend, për shkak të mungesës së masave të sigurisë duke shkaktuar sipas të dhënave nga Inspektorati i Punës mesatarisht 30 të vrarë në vit. Sektorët më të prekur janë ndërtimi dhe minierat.







