
Seanca e parë në ngarkim të Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe dhe me nofkën “Rrumi”, e zhvilluar të enjten më 12 dhjetor u shty me kërkesë të prokurorit të çështjes, Bledar Maksuti për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare. Fillimisht, trupi gjykues i kyesuar nga gjyqtarja Rudina Palloj dhe me anëtarë gjyqtarët Irena Gjoka dhe Ardit Mustafaj, verifikuan praninë e palëve. I pandehuri Laho nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga avokati i zgjedhur prej tij, Luan Hasneziri.
Gjyqtarja Palloj deklaroi se komisariati i Shijakut ka bërë me dije se kërkimet për Lahon me qëllim njoftimin e tij për zhvillimin e seancës kanë qenë të pasuksesshme. Policia e ka njoftuar gjykatën se Laho gjendet jashtë shtetit dhe se një gjë e tillë është konfirmuar prej familjarëve të tij. Ndërsa Interpoli ka bërë me dije se nuk ka të dhëna për vendndodhjen e Lahos.
Pasi njoftimet u konsideruan të plota, u vendos vijimi i gjykimit në mungesë të Lahos, në kushtet kur i pranishëm ishte dhe avokati i zgjedhur prej tij.
Prokurori Maksuti parashtroi se nga hetimet ka rezultuar se Laho i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku shumën 600 mijë lekë dhe i ka premtuar dhe 300 mijë lekë më shumë, me qëllim që të mos ushtronte ankim për një çështje. Laho e ka dhënë ryshfetin për mosankimin në Apel të një çështje lidhur me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Nisur nga fakti se Laho ka qenë në kërkim, çështja ndaj Ilir Kërçukut u nda dhe ai u dënua në muajin shtator me vendim të formës së prerë, me dy vjet burg.
Pas parashtrimeve të prokurorit, trupi gjykues u tërhoq për të vendosur lidhur me një kërkesë të Lahos për shqyrtimin e çështjes me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Gjykata vendosi ta pranojë kërkesën, ç’ka i jep mundësinë Aleksandër Lahos të përfitojë uljen e 1/3-ës së dënimit.
Avokati Luan Hasneziri kërkoi në vijim paraqitjen e disa akteve dhe fotove që sipas tij tregonin për gjendjen shëndetësore të Rrumit. Nga fotot që u treguan në sallë dukeshin pamje të gjymtimit të një këmbe. Sipas Hasnezirit, Laho ishte plagosur e dëmtuar rëndë gjatë atentatit kur u plagos dhe ish-prokurori Arjan Ndoji dhe mbeti i vrarë shoferi këtij të fundit.
Mbrojtësi i Lahos shtoi se dhe një kartelë mjekësore e vitit 2011 vërteton se i përfaqësuesi prej tij ka pasur që atëherë probleme shëndetësore dhe kërkoi që këto rrethana të konsiderohen nga prokuroria dhe gjykata në masën e dënimit.
Gjykata i kërkoi avokatit t’i dërgojë provat në rrugë zyrtare. Pasi prokurorri kërkoi kohë për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, seanca u shty për më datë 24 dhjetor, në orën 10:00.







