
Ministria greke e Drejtësisë dhe Ministria e Arsimit, Çështjeve Fetare dhe Sporteve po promovojnë sportin si një alternativë ndaj dënimit për të rinjtë e moshës 12 deri në 18 vjeç që kanë kryer shkelje.
Giannis Vroutsis, një nga ministrat e sportit të Greqisë, i tha televizionit publik ERT të mërkurën se masa e re ishte “një ngjarje historike, sepse është një kthesë 180 gradë në drejtim të funksionimit të shtetit drejt sistemit reformator për fëmijët nga 12 deri në 18 vjeç”.
Deri më tani, gjykatat kanë vendosur dënime të tilla si shërbim në komunitet dhe ndonjëherë burg për shkelësit e moshës 12-18-vjeçare të dënuar për vepra të tilla si krime të lidhura me alkoolin, dhunë e vogël dhe shkelje të rregullave të trafikut.
Tashmë të miturit nën drejtimin e një instruktori për të mitur do të regjistrohen në një klub sportiv të njohur nga Ministria e Sporteve për të ushtruar një sport të zgjedhur prej tyre. “Ne themi se antidoti i dhunës është sporti”, tha Vroutsis.
“Kjo masë specifike mund të funksionojë si një mekanizëm për parandalimin e delikuencës së mëtejshme. Fëmijët në këtë moshë janë në një fazë kritike të formësimit të personalitetit të tyre dhe veprime të tilla u japin atyre mundësinë të ndryshojnë drejtim dhe të krijojnë një perspektivë të re për të ardhmen e tyre”, tha për BIRN Antigoni Ginopoulou, psikologe.
Masa e planifikuar do të funksionojë më mirë me mbështetje paralele psikosociale, tha Ginopoulou: “Është e nevojshme të kornizohet pjesëmarrja e tyre me mbështetje dhe udhëzime psikosociale për të siguruar efektivitetin maksimal të masës.”
“Bashkëpunimi i shtetit dhe specialistëve të shëndetit mendor është thelbësor për të monitoruar progresin e fëmijëve dhe për të përshtatur veprimet sipas moshës dhe nevojave të fëmijëve”, shtoi ajo.
Programi do të zbatohet pilot në pesë prefektura: Lasithi, Chania (Kretë), Janinë, Kastoria dhe Athinë. Nga viti 2025 do të zbatohet në të gjithë Greqinë.
Masa u zbatua për herë të parë në Lasithi, ku një gjyqtar njoftoi se gjashtë të rinj do t’i bashkohen klubeve sportive.
Sipas policisë, 10,776 të mitur – pothuajse 30 në ditë – kryen vepra të paligjshme në vitin 2023. Një në katër shkelje kishte të bënte me vjedhje dhe një në pesë me shpërndarje droge.







