
Një punonjës i pasiguruar humbi jetën gjatë punës në një objekt në rikonstruksion në Berat, ndërsa policia arrestoi në flagrancë personin që kishte investuar në rikonstruksion, si dhe shpalli në kërkim administratorin dhe drejtuesen teknike të firmës së ndërtimit, të cilët sipas saj shkelën rregullat e sigurisë në punë dhe tentuan që të pengonin zbardhjen e së vërtetës rreth ngjarjes.
Policia njoftoi se një 47 vjeçar humbi jetën të martën, gjatë punimeve në një subjekt privat në rrugën që të çon në Kalanë e Beratit. 47-vjeçari ishte duke punuar në rikonstruksionin e një objekti.
“Është shkëputur një masiv guri dhe ka zënë poshtë punëtorin e subjektit, shtetasin G. S., 47 vjeç, banues në Berat”, tha Drejtoria Vendore e Policisë së Beratit, (DVP) në një njoftim zyrtar të shpërndarë për mediat.
Është dashur ndërhyrja e shërbimeve të policisë dhe të zjarrfikëses, që bënë të mundur nxjerrjen e shtetasit G. S. nga masivi i gurit. Ai u transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, por si pasojë e dëmtimeve, 47-vjeçari humbi jetën.
24 orë pas ngjarjes policia e Beratit në përfundim të hetimeve deklaroi arrestimin e një personi dhe shpalljen në kërkim të dy personave, të dyshuar si përgjegjës në lidhje me këtë ngjarjes.
“Policia arrestoi në flagrancë investitoren e objektit, shtetasen me iniciale V. S., 45 vjeçe, si dhe shpalli në kërkim administratorin dhe drejtuesen teknike të firmës së ndërtimit që kryente rikonstruksionin, shtetasin Ç. H., 53 vjeç dhe shtetasen I. Ç., 41 vjeçe”, sqaroi DRVP Berat mesditën e së mërkurës.
Sipas policisë nga hetimet e deritanishme rezulton se 47 vjeçari që humbi jetën punonte i paregjistruar në organet tatimore. “Ai e ka humbur jetën si pasojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”, tha DVP Berat.
Punëtori që ishte punësuar si punëtorë krahu në objektin në rikonstruksion jo vetëm që ka qënë i pasiguar dhe nuk i janë krijuar kushtet e mbrojtjes në punë, por sipas policisë personat përgjegjës kanë tentuar që të pengojnë zbulimin e ngjarjes.
“Rezulton se këta 3 shtetas kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke fshehur identitetin e shtetasve përgjegjës për punimet”, shtoi policia e Beratit. Sektori i ndërtimit është një nga më problematikët në Qarkun e Beratit përsa i përketë shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë.







