
Kryeministrat e Shqipërisë dhe Greqisë, Edi Rama dhe Kyriakos Mitsotakis së bashku me zyrtarë të lartë dhe klerikë vendas dhe të huaj ishin të pranishëm gjatë ceremonisë së varrimit të kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, ndërsa mijëra qytetarë ndoqën shërbesën e lamtumirës së tij të enjten paradite në Tiranë.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë fjalës së tij përkujtoi veprat e Kryepeshkopit Janullatos, duke e lartësuar figurën e tij jo vetëm si klerik, por si një njeri që kontribuoi në emancipimin e shoqërisë shqiptare.“Nuk është rastësi që sot Kryepeshkopin e vajtojnë grekë, shqiptarë dhe besimtarë të të gjitha feve”, tha Mitsotakis.


Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos lindi në vitin 1929 në Pire të Greqisë. Ai erdhi në Shqipëri rreth 33 vite më parë, me misionin për të ringritur Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë pas shkatërrimit të saj nga regjimi komunist. Janullatos kishte kombësi greke dhe shtetësi shqiptare.


Ngjashëm, edhe kryeministri Rama kujtoi rëndësinë që Kryepeshkopi pati për ortodoksinë shqiptare, duke e cilësuar jetën e tij “fort kuptimplotë”. “Komuniteti ortodoks është sot në zi, Kisha Ortodokse Autoqefale është sot e ve”, tha Rama gjatë fjalës së tij, duke shtuar se Janullatos kontribuoi në ringritjen e ngrehinës së shkrumbuar të Kishës Autoqefale të Shqipërisë.

“Ai erdhi 33 vjet më parë si një prift nga Greqia dhe pas 33 vjetësh ndahet nga jeta si Anastasi i Shqipërisë”, përfundoi kryeministri Rama.








