
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar shpalli të hënën më 17 mars vendimin ndaj ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj, të akuzuar për deklarim të rremë të pasurisë, duke e deklaruar atë fajtor për këtë vepër penale. Gjykimi i Zenelajt u zhvillua me gjykim të zakonshëm.
Gjyqtari Bib Ndreca vendosi të përfundim të gjykimit ta dënojë Zenelajn me 6 muaj burgim, gjysmën e masës së kërkuar nga prokurorja Doloreza Musabelliu gjatë konkluzioneve përfundimtare në korrik të vitit të kaluar. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për pezullimin e dënimit dhe e vendosi Zenelajn në shërbim prove për 1 vit, me kusht që të mos kryejë tjetër vepër penale.
Guxim Zenelaj u dërgua për gjykim për deklarim të rremë të pasurive në vitin 2022. Në tetor të vitit 2023, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për konfiskimin e pasurive të Zenelajt, të një ngastre toke me sipërfaqe 1000 m2 në Porto Palermo, Himarë dhe gjashtë pasuritë e paluajtshme në Ishull-Shëngjin të Lezhës.
Zenelaj u largua nga sistemi gjyqësor në korrik të vitit 2017, së bashku me anëtarët e tjerë Arjana Fullani, Andi Çeliku, Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako, të cilët njoftuan përfundimin e mandatit të tyre. Në vijim ata refuzuan t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me pretendimin se nuk e kishin më statusin e magjistratit. Po ashtu refuzuan pozicionet në Apel. Bazuar mbi këtë refuzim, KPK vendosi se secili prej tyre kishte bërë dorëheqje dhe bazuar në ligjin për rivlerësimin kalimtar, caktoi masën që u ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.







