
Një grup prej 10 emigrantësh nga 40 personat që u transferuan në Gjadër më 11 prill, janë izoluar nga autoritetet për shkak të tensioneve brenda kampit dhe një tentative për të dëmtuar strukturën.
“Ka patur një incident ne njërën prej strukturave ku janë vendosur grupi i emigrantëve. Është dëgjuar zhurmë dhe kur kanë hyrë karabinierët i kanë gjetur duke kryer veprime të dhunshme brenda strukturës me qëllim dëmtimin e saj”, tha një punonjës shqiptar brenda kampit, i cili kërkoi të ishte anonim.
Punonjësi tha se gjatë përplasjes dhe tensionit nuk ka pasur të lënduar, por 10 emigrantë të përfshirë janë transferuar në pjesën e burgut të kampit, ndërsa brenda këtij të fundit janë shtuar masat e sigurisë.
Objekti në Gjadër, u ndërtua në bazë të protokollit mes kryeministrave Edi Rama e Giorgia Meloni të vitit 2023 për të strehuar dhe përpunuar azilkërkues meshkuj të rritur nga vende të konsideruara të sigurta, të cilët do të ndaloheshin ose shpëtoheshin në det nga anijet italiane. Ata do të zbarkonin direkt në Shqipëri dhe do t’i nënshtroheshin një procedure të përshpejtuar për azil, nën supozimin se nuk kishin nevojë për mbrojtje.
Por gjykatat italiane e kanë detyruar qeverinë të rikthejë në Itali personat që u dërguan në Shqipëri, duke vënë në pikëpyetje listën e vendeve “të sigurta” dhe ligjshmërinë e ndalimit të këtyre personave pa i marrë në shqyrtim rast pas rasti çështjet. Në një investigim të mëparshëm BIRN gjeti se procesi eksperimental nuk funksiononte, ndërsa kritikët thonë se ai rëndon gjendjen e azilkërkuesve të përfshirë.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë pritet të japë një vendim për këtë çështje. Në një tentativë për t’i hapur qendrat, më 28 mars, qeveria italiane miratoi një dekret të ri, i cili e lejon përdorimin e këtyre strukturave për të strehuar emigrantë pa dokumente që ndodhen aktualisht në Itali, dhe ndaj të cilëve është lëshuar urdhër dëbimi. Në 11 prill në Shqipëri u transferua grupi i parë i kësaj kategorie. Ndryshe nga transferimet e para, emigrantët e këtij grupi ishin të prangosur dhe nuk u lejuan të preknin në tokë. Ata u transferuan në autobusë të shoqëruar secili nga dy oficerë të policisë.
Deputetë të parlamentit Italian dhe eurodeputetë që monitorojnë situatën e cilësuan atë shqetësues dhe në shkelje të të drejtave të njeriut. Një ditë pas mbërritjes së emigrantëve eurodeputetja italiane Cecilia Strada dhe deputetja Rachele Scarpa, përfaqësuese të opozitës dhe kundërshtare të protokollit thanë se emigrantëve u ishin cënuar të drejtat.
“Nuk u ishte dhënë (emigrantëve) asnjë informacion paraprak, në shkelje të plotë të të drejtave të tyre: një person rrëfen se ishte zgjuar në orën 3 të mëngjesit në CPR-në (qendër ndalimi për emigrantë) italiane ku ndodhej, ishte marrë për transferim dhe kishte zbuluar se ndodhej në Shqipëri vetëm pasi kishte zbritur nga mjeti”, thuhet në deklaratën e përbashkët të deputeteve.
Ato vënë në dukje se nga inspektimi i regjistrit të ngjarjeve kritike rezultoi se 3 persona ishin vetëdëmtuar, pas transferimit. Deputetet deklaruan se personat e transferuar në Shqipëri po ridënoheshin për shkak të problemeve të mëparshme me ligjin.
“Një kalim i mëtejshëm në CPR, dhe në veçanti në CPR-në shqiptare, përbën një dënim shtesë dhe i jep të gjithë strukturës pamjen e një kolonie penale. Kjo është diçka e paparashikuar nga ligji dhe imponon padrejtësisht një barrë shtesë ekonomike për shoqërinë”, thuhet në deklaratë, ku vihet theksi se këta persona i kishin kryer dënimet e marra në Itali.







