
Ndërsa shumë parti të vogla po garojnë këto zgjedhje dhe votat e tyre në shumë qarqe nuk pritet të prodhojnë mandate deputetësh, të dy krahët e politikës shqiptare janë duke bërë llogaritë, bashkë me mbështetësit e tyre, se si mund të përfundojë bixhozi politik që është krijuar nga skema aktuale e llogaritjes së mandateve.
Nëse e mbani mend, vendi është ndarë në 12 qarqe në vitin 2008 për efekt elektoral me marrëveshje mes Sali Berishës, në atë kohë kryeministër, dhe Edi Ramës, në atë kohë kryetar i opozitës. Synimi i qartë i kësaj ndarjeje dhe kësaj formule të zgjedhur ishte eliminimi i partive të vogla. Dy dekada më pas, partitë e vogla janë thuajse fshirë nga harta politike e vendit në kuptimin që, vetëm makineri të fuqishme elektorale me burime financiare të jashtëzakonshme dhe aftësi për të blerë vota me shumicë kanë mbijetuar ndërsa parti të tjera, pa akses në korrupsion, janë zhdukur. Dhe që nga viti 2017, gjithsej pesë parti kanë arritur të depërtojnë në parlament, ku, përveç PD-së dhe PS-së, tre partitë e tjera janë tipike makineri elektorale, PSD e Doshit, PDIU me faktorët e saj lokalë aktualisht të integruar te PS dhe LSI, aktorët lokalë të së cilës në shumicë kanë kaluar te PS këto zgjedhje.
Zgjedhja e qarkut si zonë elektorale dhe detyrimi i të gjitha partive garuese që të garojnë në rang kombëtar, me lista të plota kandidatësh, u bë posaçërisht që nga partitë e vogla të digjen sa më shumë vota pa mandate ndërsa pushteti të përqendrohet, jo tamam te PS-ja dhe PD-ja, por te udhëheqësit përkatës, Edi Rama dhe Sali Berisha.
Formula D-Hondt, e cila ndan mandatet në zgjedhjet shqiptare, njihet se favorizon partinë më të madhe përkundrejt partisë së dytë më të madhe, dhe partinë e dytë përkundrejt të tretës, e me radhë.
Për shembull, nëse kemi 100 vota për tre mandate, partia që merr 51 vota merr dy mandate dhe ajo që merr 49 vota merr 1 mandat.
Kjo do të thotë gjithashtu që, nëse ka 100 vota për tre mandate dhe një parti e tretë merr 10 vota, ajo merr zero mandate. Në rastin konkret, varet shumë nga numri i mandateve dhe nga numri i votave të marra nga secila parti e madhe se cila prej tyre do të marrë një mandat shtesë.
Kjo formulë është gjithsesi e vlefshme vetëm për qarqet ku mandatet janë në numër tek. Për qarqet me numër çift, formula kërkon vota të plota të fituara për çdo mandat dhe favorizon barazimin.
Në zgjedhjet e vitit 2021, partia që pati më shumë vota të djegura ishte Lëvizja Socialiste për Integrim. Ajo mori 108 mijë vota në rang kombëtar dhe vetëm 4 mandate. Votat e saj të djegura i dhanë mandat shtesë socialistëve në Berat, Durrës, Vlorë e Gjirokastër, por gjithsesi, nëse shohim se në Shqipëri zakonisht kërkohet pak më shumë se 10 mijë vota për mandat, atëherë do të vërejmë se, nga votat e LSI, 4 mandate i mori ajo vetë, 4 mandate ranë te PS dhe mbeten sërish dy deri në tre mandate. Kjo tregon se në fakt, dy deri në tre mandate të LSI-së nuk kanë kaluar te PS, kanë kaluar te partia e dytë më e madhe, që është PD.
Konkretisht, në rang kombëtar, PS mori 49% të votave dhe 53% të mandateve, ndërsa Partia Demokratike mori 39% të votave dhe 42% të mandateve. Me pak fjalë, PS mori 4.2% më shumë mandate se sa vota, por edhe PD mori 2.7% më shumë mandate se sa vota. LSI mori 6.8% të votave dhe 2.7% të parlamentit.
Rrjedhimisht, konkluzioni është që votat e djegura të partive të vogla ndahen në mandate për partitë e mëdha, por partia më e madhe përfiton relativisht më shumë se sa partia e dytë.







