AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Donald Trump
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Reportazhe

Në qarkun e plakur të Korçës, qytetarët votojnë për inerci

Gara brenda llojit për mandate në listën e hapur e ka shtuar presionin mbi votuesit në qarkun e Korçës, por ndërsa forcat e reja shpresojnë për një revoltë të fshehur, numri i lartë i votuesve të moshuar dhe emigracioni masiv lënë pak mundësi për ndryshim.

Vladimir KarajngaVladimir Karaj
06:46 | 03/05/2025
në Artikull kryesor, Reportazhe, Zgjedhje 2025
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Pensionistët mblidhen rreth një parku në qytetin e Korçës. Foto: Vladimir Karaj.

Një pensionist 74 vjeçar nga një fshat pranë Maliqit udhëton çdo mëngjes me autobus drejt Korçës për t’i dhënë mbesës së tij mundësinë e një shkollimi më të mirë. Ndërsa pret që mbesa të mbarojë mësimin në trotuarin përballë shkollës 9-vjeçare “Pandeli Llambi Cale”, burri shfaq zhgënjim të dukshëm ndaj politikës dhe mendon se fushata bëhet natën me vota që shiten dhe blihen.

“Këta janë të gjithë me nder mut, por punojnë natën, punojnë fshehtas,” thotë ai me ton serioz. Megjithatë, i moshuari nuk ka ndërmend që ta ndryshojë votën më 11 maj.

“Në moshën tonë është inerci tani,” thotë ai duke mbledhur supet.

Dy kilometra më tutje, në një park të vogël me kolibe druri, të moshuar të tjerë që luajnë domino për të shtyrë kohën, pohojnë të njëjtën gjë. Ata ankohen për pensionet e ulëta, për fëmijët në emigracion dhe zbrazjen e qytetit nga të rinjtë, por nuk janë të gatshëm të ndërrojnë krah.

“Votën e merr ai [Rama], por pse premton t’i rrisë pensionet në 2030?” pyet njëri prej burrave. “I shikon këta, kush e di a do jenë gjallë,” shton ai duke zgjatur dorën nga miqtë e tij.

Një ish kovaç 84-vjeçar me një pension prej 13 mijë lekësh në muaj ia pret ftohtë: “Unë s’do jem gjallë”. Por edhe ai nuk sheh arsye për të ndryshuar votën.

Në qarkun e plakur me 41 për qind të popullsisë votuese mbi 60 vjeç, Korça nuk duket se do të ofrojnë ndonjë surprizë në zgjedhjet e 11 majit. Me rënien e numrit të popullsisë, Korça humbi në këto zgjedhje njërin prej mandateve dhe do të dërgojë në Kuvend 10 deputetë.

Megjithatë, gara në qark gara duket e mbyllur, me socialistët në qeveri të favorizuar të marrin shumicën e votave, por të ndajnë në barazim mandatet me koalicionin e drejtuar nga Sali Berisha.

Përtej kalkulimeve politike, partitë e reja kanë ende shpresë te një votë proteste mes armatës nën presion të punonjësve të administratës.

“Korça ka treguar si qytet që reagon,” thotë Klajdi Pllaha, mësues matematike dhe kandidat i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. “Ky presioni ndaj administratës mund të prodhojë edhe efekt të kundërt,” shtoi ai duke iu referuar atyre që e kanë fituar vendin e punës me meritë.

Petro Lubonja, kandidati i “Lëvizjes Bashkë” i kthyer nga emigracioni është gjithashtu optimist.

“Nuhatja ime më thotë që nëse do ketë rritje në pjesëmarrje, partitë e reja do marrin më shumë vota, më shumë sa sa parashikohet në sondazhe,” pohon ai.

Lufta brenda radhëve rrit presionin

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati. Foto: Vladimir Karaj.

Me gjashtë kandidatë në lista të mbyllura, në Korçë beteja është fokusuar brenda radhëve të dy forcave të mëdha për katër vendet e listave të hapura.

Për votuesit, kjo i ka bërë zgjedhjet të pazakonta. Një fermer nga fshati Dvoran thotë se kandidatë si nga PS dhe nga PD u shkojnë për t’i takuar duke kërkuar vota personale dhe jo thjesht për partitë.

“Një i njohur të kërkon të votosh për një kandidat, një i njohur tjetër të thotë voto këtë kandidatin tjetër.  Është e pazakontë,” thotë fermeri duke shfaqur bezdi për situatën e krijuar.

Kandidati i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, ish-kryebashkiak i Devollit, thotë se zyrtarë nga radhët e socialistëve po përdorin pushtetin për të siguruar vota jo vetëm për PS-në, por edhe për kandidatë të ndryshëm. Vetë PD po luan për barazimin në qarkun e Korçës.

“Unë mendoj që do të dalë barazim, pavarësisht gjithçkaje që po bëjnë këta. Pasi nga ana tjetër ka një mllef të paparë te njerëzit, për të gjitha arsyet e gjërat që kanë ndodhur, duke nisur që nga shpopullimi, ekonomia, abuzimet të tëra,” thotë ai.

Nallbati ankohet se njerëzit po survejohen dhe presioni e ka vrarë demokracinë. Ai veçon kryetarin aktual të bashkisë, Eduard Duro dhe drejtoreshën vendore të Arsimit, Vinjola Rota, e cila po kandidon për Partinë Socialiste.

Nallbati e akuzoi Duron se u kishte mbajtur me detyrim një pjesë të pagës punonjësve për t’i përdorur për fushatë – episod për të cilin tha se po bënte gati një kallëzim në SPAK dhe se kishte informuar edhe vëzhguesit e OSBE-ODIHR-it.

Ai thotë gjithashtu se Rota po kandidon në kushtet e konfliktit të interesit, pasi nuk ka dhënë dorëheqjen nga posti, por thjesht ka “ngrirë” funksionet.

“Si kurrë ndonjëherë te arsimi nuk ka pas presion kaq të madh,” thotë Nallbati, ndërsa akuzon Rotën se ka përfshirë mësues në komisione dhe se kërkon me detyrim votën në 11 maj.

Kryebashkiaku i Devollit, Eduard Duro dhe kandidatja e PS, Vinjola Rota i mohuan akuzat.

“Meqenëse ai ka qenë kryetar Bashkie para meje, kujton se të gjithë sillen ashtu si është sjellë ai me administratën e bashkisë. Asgjë nga ato që thotë ai nuk është e vërtetë”, tha Duro.

“Nuk kam ushtruar asnjë funksion publik apo autoritet institucional që nga ajo ditë (shpallja e kandidaturës) dhe çdo insinuatë që më lidh me ushtrim presioni ndaj mësuesve është jo vetëm e pavërtetë, por edhe keqdashëse,” i tha Rota BIRN përmes një mesazhi.

Për presion ndaj mësuesve flet edhe Klajdi Pllaha, kandidat i Nismës Shqipëria Bëhet, i cili mendon se kjo vjen nga “gara e brendshme” mes socialistëve.

“Presioni ndaj administratës është më i madh edhe ndaj mësuesve, që është një kontingjent që për mendimin tim është apolitik në pjesën më të madhe, prapë edhe ndaj tyre ka goxha presion”, tha Pllaha.

Edhe Marinela Ziu, e cila garon në Korçë si pjesë e Koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës pohon se presioni këtë radhë është shumë i dukshëm.

“Më beso, si kjo fushatë nuk ka qenë asnjëra. Shoh një presion të jashtëzakonshëm. Ndoshta vjen edhe nga fakti që njerëzit intimidohen, pasi nuk shohin një ndryshim që po vjen duke qenë se opozita është e copëtuar, por shoh që janë jashtëzakonisht të intimiduar,” tha Ziu.

“Zbrazje katastrofike’

Klajdi Pllaha, kandidat i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Foto: Vladimir Karaj.

Niko, taksisti që na çon nga Korça në Bilisht, është i ashpër kur flet për politikën dhe për presionin e ushtruar ndaj votuesve. Ai thotë se kishte qenë rastësisht në një takim të socialistëve dhe karriget ishin mbushur vetëm me punonjës të administratës.

I dëshpëruar pasi ekipi i futbollit “Skënderbeu” u rrëzua një ditë më herët nga kategoria, taksixhiu thotë se qyteti është duke u plakur dhe varfëruar.

“Kanë ikur të gjithë,” thotë ai, ndërsa ankohet se ndryshe nga sa besohet, puna e tij është më e keqe në kohë fushate.

Ikja masive është e dukshme në rrugët apo parqet e qytetit. Ndërsa bëjnë fushatë derë më derë në pallatet e asaj që njihet si lagja e Francezëve, Petro Lubonja thotë se shumica e shtëpive janë të mbyllura dhe dyert e tyre kanë zënë pluhur.

“Apartamentet në shumicën e rasteve janë bosh ose kanë vetëm të moshuar. Kanë pluhur në dyer,” thotë ai dhe pastaj na tregon një portë: “Këtu me shumë shance nuk banon njeri”.

Në njërin prej pallateve ku ndoqëm fushatën e tij, vetëm tre dyer u hapën nga 12 apartamente në total. Në të treja rastet personat që u përgjigjën ishin pensionistë.

“Zbrazja është katastrofike,” thotë Ziu nga Koalicioni Euroatlantik, duke shtuar se në lagjen ku është rritur nuk sheh më fëmijë dhe të rinj.

“Në lagje nuk shikon fëmijë dhe ky është trishtim i jashtëzakonshëm,” thekson ajo.

Shpresa te revolta e fshehur

Në shëtitoren kryesore të Pogradecit, njerëzit refuzojnë të flasin për politikë. Foto: Vladimir Karaj.

Shëtitorja buzë liqenit të Ohrit në Pogradec është plot me banorë të hënën pasdite dhe shumica bën ecejake në të dy anët e trotuarit. Të tjerë luajnë me fëmijët në bregun e liqenit dhe një pjesë qëndrojnë në stolat anash shëtitores.

Këtu nuk ka as postera elektoralë, as fletushka dhe as fushatë. Mbi një dyzinë prej atyre që e kalojnë kohën në shëtitje refuzojnë menjëherë të flasin për politikën apo për fushatën.

Një djalë rreth të 30-ave, që e takojmë në rrugë, mëdyshet dhe pastaj si të tjerët thotë se nuk përfshihet në politikë. I pyetur a do të votojë, i riu përgjigjet me një “Kismet” dhe kur këmbëngulim thotë duke nënqeshur: “këto janë punë të thella”.

Dorjani, një aktivist socialist 18-vjeçar që voton për herë të parë na afrohet vetë për të biseduar. Ai thotë se është i përfshirë aktivisht në fushatë dhe kur e pyesim se çfarë e ka shtyrë, reciton: “Frika nga e shkuara, besimi te e sotmja dhe shpresa te ardhmja që vjen nga hapat e duhur”.

Por kur pyetet a do të votojë, ai mëdyshet. “Nuk jam i bindur”, thotë ai ndërsa shtrëngon në duar postera të atij që thotë se është një film që ka bërë me shokët e gjimnazit, “Është vota ime e parë, më duhet kohë të mendoj”.

Kandidati Klajdi Pllaha megjithatë beson se në Korçë ka shenja të një rezistence që do i ndihmonte forcat e reja të merrnin vota dhe të sfidonin dy partitë e mëdha.

“Ka zhgënjim të madh nga forcat e vjetra. Nga ata që janë në pushtet, por edhe nga opozita. Ndërkohë alternativa politike nga forcat e reja është goxha më e gjerë, kështuqë ka mundësi që vota të shkojë atje,” shpreson Pllaha.

Marinela Ziu, kandidate e Koalicionit Euroatlantik thotë se në Korçë elektorati gri do luaj rol në zgjedhje. Foto: Vladimir Karaj

Ngjashëm beson edhe kandidatja e koalicionit Euroatlantik, Marinela Ziu e cila thotë se ka mjaft votues në atë që e quan zonë gri dhe që po afrohen në forcat e reja politike. “Unë shoh që ka shumë, shumë zonë gri, që nuk kanë votuar në zgjedhjet e fundit dhe që po i afrohen kandidatëve të koalicionit tonë dhe kjo është diçka pozitive,” thekson ajo.

Petro Lubonja i “Lëvizjes Bashkë” po ashtu është optimist se në kutinë e votimit, qytetarët do jenë të lirë të shprehen, pavarësisht se pranon se në këtë fazë ata po takohen me mbështetësit gati në mënyrë guerrile.

“Ne po i bëjmë takimet në formë guerrilase, është qesharake dhe po aq e frikshme.  Kjo është fryma”, thotë ai.

Por Lubonja beson se presioni sistemik do të sjellë revoltë.

“Njerëzit irritohen se ti po u shkel dinjitetin në këtë farë forme, e kjo do përkthehet në votë,” përfundon ai.

Etiketa: Eduard DuroKlajdi PllahaMarinela ZiuNeritan NallbatiPartia DemokratikePartia SocialistePetro LubonjaQarku i KorçesVinjola RotaZgjedhjet e 11 majit
I mëparshmi

Kush i përfiton mandatet e votave të djegura?

Tjetri

Një punëtor ka mbetur i bllokuar nën një masiv dheu në Klos

Tjetri
Një punëtor ka mbetur i bllokuar nën një masiv dheu në Klos

Një punëtor ka mbetur i bllokuar nën një masiv dheu në Klos

media

Si u përdorën fotot me IA dhe kamerat e policisë kundër protestës për Zvërnecin

06:42 | 04/06/2026
Presione dhe intimidim: Çifti Veliaj dhe Bushka akuzohen për pengim të drejtësisë

SPAK kërkon dënimin me 400 mijë lekë gjobë për ish-deputeten Klotilda Bushka

16:01 | 03/06/2026
protesta 1

Letër e hapur për arkitektët e huaj: Flisni për atë që po ndodh në Nartë!

13:32 | 03/06/2026
Favorizoi ndërtimet jashtë lejeve, prokuroria kërkon gjykimin e ish-drejtoreshës së ASHK Tiranë

Titullarët dhe 10 punonjës të një dege të UBA Bank akuzohen se vodhën klientët

10:34 | 03/06/2026
foto 02 (1)

‘Autor i projektit’: Pse Rama po përpiqet të manipulojë revoltën për Zvërnecin?

07:08 | 03/06/2026
I akuzuari për kontrabandën e cigareve fiton lirinë me 1 milion euro garanci

Apeli heq apartamentin e Ergys Agasit nga sekuestroja

17:19 | 02/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.