
Mbrëmjen e së martës, Policia e Durrësit u njoftua për një pako të dyshimtë të vendosur në shkallët lindore të sheshit “Veliera”, në një prej zonave më të frekuentuara të qytetit.
Ajo që rezultoi nga inspektimi ishte lëndë plasëse e lidhur me një celular të ngjitur me natriban, e gatshme për të shpërthyer përmes komandimit nga distanca.
Policia vendosi një kordon sigurie nga sheshi “Veliera”, ku u gjet lënda e dyshuar dhe deri te ambientet e jashtme të pallatit përballë saj, i njohur si pallati “Fly”.
Pas mbërritjes së njësisë antieksploziv të forcave speciale RENEA, u realizua shpërthimi në distancë i lëndës plasëse, e cila më shumë vlerësohet nga ekspertët si një mesazh për persona të paidentifikuar.
Policia e Durrësit deklaroi përmes një njoftimi të shkurtër se po punonte për zbardhjen e rrethanave.
“Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve,” thuhet në njoftim.







