
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli të mërkurën më 18 qershor vendimin për deklarimin fajtorë të të pandehurve Jusel Mici dhe Mendim Domi, të akuzuar si organizatorë të një grupi të strukturuar kriminal, që nëpërmjet mashtrimit online përmes call-center-ve në Shqipëri dhe Itali u vodhi shtetasve evropianë miliona euro, duke u premtuar investime në letra me vlerë dhe kriptovaluta.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Etleva Deda, Flora Hajredinaj dhe Rudina Palloj, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar prej nga përfitohet ulja e 1/3-ës së dënimit, caktoi masën përfundimtare 8 vjet burg për të pandehurin Jusel Mici dhe 7 vjet e 4 muaj heqje lirie për Mendim Domin.
Po ashtu, u vendos konfiskimi i tre apartamenteve; shtatë ngastrave tokë e llojit arë me sipërfaqe totale 23 mijë e 539 m2; si dhe i tre llogarive bankare me gjendje 195 mijë euro dhe 969 mijë lekë
Hetimi ndaj Micit dhe Domit filloi bazuar në kërkesën për ndihmë të ndërsjelltë të Prokurorisë së Pizës në Itali, e cila po hetonte në kuadër të procedimit penal kundër të hetuarve Stefano Matteo Tonarelli, Gianmario Perico, Jusel Mici, etj, për veprat penale të “Mashtrimit në rrethana rënduese”, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Sipas SPAK, të akuzuarit Mici dhe Domi janë organizatorë dhe pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal.
Mashtrimi “on line” lidhej me investime në letra me vlerë dhe kriptovaluta. Po ashtu, janë përdorur shoqëritë fiktive Capitalcom Investment, Direct Coin Limited, Lead Secure Ltd, Finex Group Ltd, Futurus XOU, Luxor, Mm Consulting S.R.S.S., Scs Smart Coomunications Services S.R.L.S Estra dhe të tjera, për kalimin e vlerave monetare të mashtrimit.
Këto shoqëri janë përdorur për të hapur llogari rrjedhëse të huaja në Lituani, Britani e Madhe, Belgjikë, Luksemburg, Gjermani dhe Itali dhe duke menaxhuar faqe interneti që reklamonin aktivitetin. Gjithashtu janë përdorur edhe qëndra thirrje të llojit call-center, në Itali dhe Shqipëri, nëpërmjet të cilave kontaktoheshin viktimat, duke i bindur të bëheshin pjesë e programeve të rreme të investimit.
Sipas SPAK, autorët u propozonin viktimave të derdhnin shuma të konsiderueshme parash nëpërmjet transferimeve on line në llogaritë rrjedhëse të huaja të kompanive fiktive. Me marrjen e menjëhershme të këtyre shumave, ato zhdukeshin duke u konvertuar kryesisht në kriptovaluta.







