
Katër banorë të fshatit Kurdari në Klos janë shoqëruar këtë të premte nga Policia e Matit, pas një përplasjeje me punëtorët e kompanisë që po punon për hapjen e gjurmës së HEC-it Doma. Ky investim është planifikuar në lumin e Lusës.
Ngjarja ndodhi në mesditë, kur punonjësit e kompanisë “Global Interprise Group” kishin nisur gërmimin e kanalit për vendosjen e tubacionit rreth 4.4 kilometra të gjatë, që synon devijimin e rrjedhës së lumit. Konflikti nisi pasi banorë të fshatit, të cilët prej kohësh kundërshtojnë ndërtimin e HEC-it, iu kanë kërkuar punëtorëve të ndërpresin punimet dhe të largojnë makineritë.
Sipas dëshmive të banorëve të kontaktuar nga BIRN, përplasja nisi pasi vëllai i administratorit të kompanisë, Ashim Doma – që drejtonte eskavatorin – debatoi me disa të rinj të fshatit që po qëndronin pranë lumit. Tensioni përshkallëzoi në një përplasje fizike. Pas këtij incidenti, katër banorë u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Mat. Pas shoqërimit të tyre, dhjetëra banorë të tjerë u mblodhën para komisariatit në mbështetje të tyre.
“Uji është për të gjithë banorët,” tha Erind Saliaj, administrator i njësisë Suç, i cili ishte i pranishëm në protestë. “Ky HEC po tentohet të ndërtohet pa dëgjesë publike, pa dakordësinë e komunitetit. Ne nuk kemi interes politik. Kërkoj që SPAK-u të hetojë se si është miratuar një investim i tillë në kundërshtim me ligjin,” tha Saliaj.
Shkëlqim Kadiu, banor i fshatit Kurdari dhe pjesë e protestës, denoncoi sjelljen provokuese të punëtorëve të kompanisë: “Unë di të them veç një gjë, që po na fusin në vëllavrasje,” tha Kadiu, që kërkoi ndërhyrje të institucioneve dhe tha se përfaqësues të kompanisë i kishin kërcënuar.
Fshati Kurdari është pjesë e njësisë administrative Suç, në Bashkinë Klos, dhe konsiderohet si një nga zonat më bujqësore të luginës së Matit.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, e kontaktuar për koment, deklaroi se çdo zhvillim i mëtejshëm do të shoqërohet me njoftim zyrtar. Deri në publikimin e këtij lajmi nuk kishte asnjë qëndrim lidhur me përplasjen. Përfaqësues të kompanisë nuk qenë të arritshëm për koment.
Ndërtimi i HEC-it Doma është pjesë e një projekti më të gjerë për ndërtimin e tre hidrocentraleve në lumin e Lusës, i cili është kundërshtuar prej vitesh nga banorët dhe aktivistët për mbrojtjen e burimeve natyrore.
Banorët e fshatit Kurdari pretendojnë se ndërtimi i HEC-it Doma po bëhet pa u zhvilluar dëgjesa publike dhe pa marrë pëlqimin e komunitetit të prekur nga projekti. Të vendosur para Komisariatit të Policisë Mat, ata shprehen se nuk janë njoftuar apo përfshirë në asnjë proces konsultimi, siç parashikohet nga ligji për investime të tilla. Banorët i bëjnë thirrje Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që ta hetojë këtë rast.
Disa ditë më parë Ashim Doma, administrator i kompanisë “Global Interprise Group”, tha në një bisedë telefonike se ndërtimi i hidrocentralit do të vazhdojë, duke theksuar se gjurma e projektit ndodhet rreth 300 metra poshtë fshatit dhe nuk prek askënd drejtpërdrejt. “Unë nuk kam asnjë lidhje me banorët e Kurdarit,” tha ai, duke shtuar se ata janë shumë larg vendit ku po kryhen punimet.







