
Në orën 12:00, trupa e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me relatore gjyqtaren Albana Boksi, pritet të mblidhet për të dëgjuar argumentet, pjesë e ankimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenëve, kundër masave të sigurisë të vendosura nga Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohen nga SPAK se ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.
Përveç kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij, GJKKO ka vendosur masën “arrest në shtëpi” për biznesmenin Elman Abule dhe masën ‘detyrim paraqitje’ për pesë biznesmenë të tjerë – mes tyre Gentian Sula, Shkëlqim Fusha dhe Fatmir Bektashi, kompanitë e të cilëve janë përfituese të mëdha të fondeve të bashkisë ose lejeve të ndërtimit në Tiranë.
Veliaj dhe Xoxa i kanë mohuar akuzat, duke e përshkruar procesin si ‘kafkian’.
Ai u arrestua nga SPAK më 10 shkurt dhe masa e sigurisë ndaj tij është konfirmuar nga gjykatat e posaçme të shkallës së parë dhe ajo e apelit. Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, masa e arrestit ndaj Veliajt është vendosur për shkak se ai dyshohet se, së bashku me bashkëshorten, kanë tentuar të ‘helmojnë’ dhe prishin provat e çështjes, duke kërcënuar dëshmitarët dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Nën hetim për përpjekjen e ‘helmimit të provave’ është edhe Klotilda Bushka, deputete e Partisë Socialiste dhe njëherazi kryetare e Komisionit të Ligjeve në Kuvend. Bushka gjithashtu ka mohuar të ketë bërë veprime të paligjshme dhe ka akuzuar SPAK për prishje të reputacionit.
Nga qelia, nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mediave që e mbështesin, kryebashkiaku ka ndërmarrë një fushatë linçimi publik ndaj prokurorit të çështjes dhe gjyqtarëve që kanë vlerësuar masën e sigurisë, në një përpjekje të dështuar për t’i frikësuar.
Veliaj ka angazhuar në mbrojtje të tij edhe dy studio ligjore ndërkombëtare – në Nju Jork dhe Londër, si dhe një kompani ‘PR’ britanike.
Kryebashkiaku i Tiranës është politikani më i lartë në detyrë i arrestuar nga SPAK dhe çështja kundër tij shihet nga komuniteti ndërkombëtar si një test për pjekurinë e reformës në drejtësi, por edhe të angazhimit të qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit.
Edhe pse ndodhet prej tre muajsh në burg, Veliaj vazhdon të mbajë formalisht funksionin e kryebashkiakut, të cilin ia ka deleguar nënkryetares së bashkisë, Anuela Ristani.







