
Kërkesa e kryetares së trupit gjykues të çështjes penale për korrupsion në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëshortit të vajzës së tij, Jamarbër Malltezi, u rrëzua nga ana e kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Erjon Bani. Megjithatë, trupi gjykues u përball të hënën më 21 korrik me një kërkesë për përjashtim të të tre anëtareve, të parashtruar nga përfaqësuesit ligjorë të Berishës, Malltezit dhe të pandehurës në këtë gjykim, Andia Pustina.
Berisha nuk u paraqit në seancë, duke bërë me dije përmes një deklarate se do ishte i pranishëm kur ta vlerësonte të nevojshme ose kur e kërkonte ligji. Nga të pandehurit ishte i pranishëm Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja.
Kryesuesja e trupit gjykues, Elsa Ulliri deklaroi në fillim të seancës se kërkesa e saj për dorëheqje nuk ishte pranuar nga kryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Erjon Bani.
Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i ish-kryeministrit Sali Berisha, avokati Genc Gjokutaj parashtroi një kërkesë për përjashtimin e të tre anëtarëve të trupit gjykues, kryesueses Elsa Ulliri dhe gjyqtarëve Rudina Palloj e Bib Ndreca. Gjokutaj vërejti se kërkesa nuk kishte të bënte me diçka që lidhej me integritetin e gjyqtarëve anëtarë të trupit gjykues, por me përcaktimet ligjore për kontrollin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve të juridiksionit të posaçëm. Sipas tij, mënyra se si është ndërtuar gjykata, nuk ofron garanci për paanshmëri. Pasi lexoi me detaje gjithë parashikimet ligjore lidhur me procedurat e verifikimit të kushteve të sigurisë para emërimit në detyrë të gjyqtarëve të posaçëm, Gjokutaj nënvizoi se ata janë objekt monitorimi i vazhdueshëm nga ana e Prokurorisë së Posaçme, nga për rrjedhojë ngrihen dyshime mbi pavarësinë e tyre në gjykime. “Gjyqtarët e gjykatave të posaçme nuk plotësojnë kriterin e pavarësisë se janë nën vëzhgim nga njëra prej palëve në proces”, tha ndër të tjera avokati Gjokutaj.
Sipas tij, legjislacioni në fjalë është në kundërshtim me procesin e rregullt ligjor, duke cënuar pavarësinë e gjykatave të juridiksionit të posaçëm.
Veç kërkimit për përjashtimin e trupit gjykues, Gjokutaj kërkoi që të merren masat nga institucionet përkatëse që kjo çështje të gjykohet jashtë Strukturës së Posaçme.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe dhëndrri i Berishës, i pandehuri Jamarbër Malltezi. Edhe e pandehura Andia Pustina kërkoi përmes përfaqësuesve ligjorë përjashtimin e trupit gjykues. Avokatët e saj sollën në vëmendje se, edhe një gjyqtar i Apelit të Posaçëm kishte ngritur pranë Gjykatës Kushtetuese të njëjtat probleme për legjislacionin dhe kishte kërkuar shqyrtimin e tyre.
Avokatët e të pandehurve Xhimi Begeja dhe Fatmir Bektashi nuk kërkuan përjashtimin e trupit gjykues. Por, mbrojtësi i Bektashit, avokati Sokol Hazizaj kërkoi kohë që të njihej me dosjen kompanisë Homeplan sh.p.k., me argumentin se ishte caktuar se fundmi si përfaqësues ligjor i kësaj shoqërie..
Prokurori i çështjes, Arben Kraja konstatoi se kërkesat e paraqitura nga mbrojtësit e Berishës, Malltezit e të Pustinës, e kanë kaluar tashmë në filtrin e Gjykatës Kushtetuese dhe janë rrëzuar. Ndërkohë, ai u shpreh dakord që avokatit Sokol Hazizaj t’i jepej kohë të njihej me çështjen e kompanisë Homeplan sh.p.k..
Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për më datë 15 shtator, në orën 10:30, me qëllim dhënien kohë avokatit Hazizaj të njihej me aktet dhe akuzat ndaj Homeplan sh.p.k..
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të hënën më 19 maj të pranojë kërkesën e SPAK për kalimin për gjykim të çështjes në ngarkim të liderit të opozitës dhe ish-kryeministrit, Sali Berisha, i akuzuar nga SPAK për korrupsion pasiv. I pandehur për të njëjtën vepër penale në këtë çështje është edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet për përfitimin e të ardhurave në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Në të njëjtën çështje, SPAK akuzon për korrupsion aktiv biznesmenin e ndërtimit, Fatmir Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja dhe Andia Pustina akuzohen për pastrim parash. Si të pandehur në këtë çështje për akuzën e pastrimit të parave janë edhe shoqëritë Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k..
Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.
Berisha, 80 vjeç, është zyrtari më i lartë i opozitës në tre dekada që përballet me një situatë të tillë ligjore. Hera e fundit që një ish-kryeministër është përballur me heqje imuniteti, arrestim dhe proces gjyqësor ka qenë në vitin 1993, kur mazhoranca e asaj kohe e Partisë Demokratike autorizoi arrestimin dhe përndjekjen e ish-kryeministrit socialist, Fatos Nano.







