
Gjatë vitit të kaluar, Denisa Kasa ka ecur përgjatë gjashtë lumenjve në Shqipëri, duke i dokumentuar, duke rritur ndërgjegjësimin dhe duke organizuar pastrimin e tyre.
Fillimisht, aktivistja 25-vjeçare nisi të ecte përgjatë lumit Ishëm, i cili shtrihet për 79 kilometra nëpër Shqipërinë qendrore dhe, pasi dokumentoi ndotjen e rëndë që e kishte pushtuar atë, ajo nisi një fushatë pastrimi.
Së shpejti, kjo veprimtari u bë puna e saj me kohë të plotë.
Kasa kishte jetuar dhe punuar në Holandë për gjashtë vitet e mëparshme dhe, përveçse është arsimuar për biznes, ajo ka bërë edhe hulumtime mbi lumenjtë.
Ndotja e lumenjve në Shqipëri nuk ishte një surprizë për të. Ajo që Kasa nuk priste ishte numri i madh i njerëzve që pranuan t’i bashkoheshin fushatës për t’i pastruar ata.
Fushatën e nisi e vetme në tetor të vitit të kaluar. Sot, rreth 155 persona marrin pjesë herë pas here në aktivitetet e pastrimit bashkë me të.
“Kur u ktheva në Shqipëri tetorin e kaluar, nisa të vizitoj këto vende. Vizitova fillimisht Erzenin dhe Ishmin dhe pashë se cila ishte gjendja”, thotë ajo në një intervistë për BIRN. “Kjo është diçka që të paraqet faktet mbi atë çfarë ka ndodhur me çështjet mjedisore në Shqipëri të paktën në dekadën e fundit.”
“Më pas nisa të organizoj ecje drejt grykëderdhjes së Ishmit, për të ndarë informacion mbi atë çfarë po ndodh atje – sepse ndryshe është kur shikon foto dhe ndryshe kur e përjeton vetë, kur shkon atje dhe kalon një ditë të tërë në një vend plot me mbeturina”, shpjegon ajo.
Shqipëria ka mbi 152 lumenj e përrenj, të cilët në fund formojnë tetë basene kryesore ujore që rrjedhin nga juglindja në veriperëndim, kryesisht drejt bregdetit Adriatik.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, territori hidro-grafik i Shqipërisë mbulon 44,000 kilometra katrorë, ose mbi 57 për qind të territorit të vendit.
Por një studim i Institutit të Statistikave, INSTAT, në vitin 2023, vuri gjithashtu në dukje se lumenjtë e Shqipërisë janë bërë shumë të ndotur. Studimi zbuloi nivele të larta ndotjeje në shumicën e lumenjve, me tepricë amoniaku dhe orto-fosfatesh, si pasojë e shkarkimit të ujërave të zeza dhe përdorimit të tepruar të pesticideve në bujqësi.
Ekspertët e mjedisit thonë se qeveria ka bërë pak për të përmirësuar situatën, duke i lënë aktivistët si Kasa të marrin vetë masa.
Ajo thotë se synimi i saj është të krijojë një komunitet të rinjsh që duan të luftojnë për një mjedis më të mirë dhe, në fund, të sigurojnë një pagesë për të përmirësuar mjedisin natyror.
“Disa njerëz kanë frikë të dalin e të flasin hapur për këto gjëra për shkak të situatës politike. Dëshira ime për të ardhmen është të jem në gjendje të siguroj kapital për të rinjtë, që ata të ndërmarrin nisma të tilla”, thotë ajo.
“Ëndrra është të shoh lumenjtë e pastër, jo vetëm në Shqipëri, por kudo – të rikthehet ajo marrëdhënie që njerëzit kanë me lumenjtë; të rikthehet këndvështrimi i ujit si diçka që jep jetë dhe të rikthehet natyra në jetën e njerëzve dhe njerëzit të rikthehen te natyra.”
Gjobat nuk mjaftojnë

Gjatë një shëtitjeje të shkurtër përgjatë lumit të Tiranës, Kasa tregon ndotjen në një rrjedhë uji që ndodhet vetëm tre kilometra nga qendra e kryeqytetit. Mbeturinat e hedhura aty e rrethojnë praktikisht lumin nga të dy anët, si edhe sipërfaqen e ujit.
Inertet dhe ndotja e krijuar nga kompanitë e ndërtimit gjatë bumit të ndërtimeve në kryeqytet janë lehtësisht të dukshme.
Kasa argumenton se problemi shkon edhe më thellë, duke fajësuar humbjen e lidhjes mes njeriut dhe natyrës, si edhe mungesën e kontrollit institucional.
“Ajo që ka ndodhur është një zhvlerësim i natyrës në shumë drejtime dhe humbja e lidhjes me të, gjë që më pas reflektohet në kthimin e lumit në një mekanizëm që bart mbeturina”, thotë Kasa.
Ajo thekson se sidomos në zonat urbane, ku nuk ka mjaftueshëm kosha ose sisteme për heqjen e mbeturinave, njerëzit i hedhin plehrat dhe inertet e ndërtimit në lumenj.
“Dhe gjithmonë, sa më poshtë të shkosh përgjatë lumit, aq më i ndotur bëhet ai, ndërsa në burim, në male, është shumë i pastër”, vëren ajo.
Sipas saj, zhvillimi i shpejtë sjell pashmangshmërisht ndotje.
“Kur flasim për zhvillimin e industrisë, kur flasim për zhvillimin e kompanive të ndryshme, që këto procese zhvillimi të ndodhin nevojitet ujë”, shpjegon ajo.
“Ajo që ndodh është se shumë kompani vendosen në brigjet e lumenjve ose pranë tyre, në mënyrë që ta kenë më të lehtë sigurimin e ujit për proceset e tyre dhe më pas e hedhin përsëri ujin në lumë. Por jo të gjitha këto kompani kanë një proces filtrimi të ujit për ta kthyer atë në gjendjen e tij natyrore.”
Agjencia Evropiane e Mjedisit në qershor e renditi Shqipërinë vendin më të keq në Evropë për cilësinë e ujit në plazhe – përfshirë detin, liqenet dhe lumenjtë – duke u bazuar në analizat e situatës për vitin 2024.
Sipas agjencisë, nga 119 zona zyrtarisht të njohura për të bërë banjë në Shqipëri, vetëm 16 për qind kanë cilësi “të shkëlqyer” të ujit, një rënie me 25 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2023.
E pyetur se çfarë duhet të bëjë qeveria për të adresuar problemin, Kasa thotë se gjobat për shkeljet mjedisore nuk mjaftojnë.
“Gjobat janë një mekanizëm që mund të funksionojë për një kohë, por ky është një mekanizëm që vepron vetëm për shkak të frikës… Prandaj duhen ndërmarrë shumë hapa paralelë nga Ministria e Mjedisit, si edhe hapa në arsimim”, argumenton ajo.
Një tjetër kërkesë thelbësore për të parandaluar përkeqësimin e ndotjes në afatgjatë, sipas Kasës, është monitorimi efektiv i shkeljeve.
“Ka ligje për lumenjtë tanë, por duhet monitorim i vazhdueshëm. Ne kemi mjaft studime, kështu që e dimë se cilat janë vendet më të ndotura në Shqipëri aktualisht”, thotë ajo.
“Kjo duhet të bëhet me disa hapa: të pastrohet një zonë një ditë dhe më pas të ketë monitorim të vazhdueshëm të zonës që është pastruar”, përfundon ajo.







