
Nëntorin e kaluar, shembja e një çatie në stacionin hekurudhor në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh i Serbisë, shkaktoi vdekjen e 15 personave (një tjetër person vdiq në mars nga plagët e marra në aksident). Hezitimi i qeverisë serbe për të mbajtur përgjegjës ata që ishin përgjegjës për ndërtimin e dobët – për të cilin shumë fajësojnë korrupsionin e përhapur dhe mungesën e transparencës – shkaktoi protesta masive të udhëhequra nga studentët, të cilat vazhdojnë edhe sot dhe së fundmi kanë marrë një kthesë të dhunshme. Dhjetëra protestues janë plagosur në përplasjet me policinë dhe me besnikët e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, ndërsa qindra të tjerë janë arrestuar.
Megjithëse fillimisht u distancuan nga politika, protestuesit studentë tani po kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ndërkohë që Vuçiçi dhe Partia e tij Progresive Serbe (SNS) dikur e shihnin një votim të hershëm si rrugëdalje nga kriza, tani e kundërshtojnë hapur idenë, të vetëdijshëm për humbjen e mbështetjes tek elektorati – sipas një ankete të fundit, SNS-ja është 12 deri në 15 pikë përqindjeje prapa opozitës së udhëhequr nga studentët.
Por duket se Vuçiçi dhe SNS-ja po fillojnë t’i binden ngadalë kërkesave të studentëve, pasi disa media serbe raportuan së fundmi se zgjedhjet mund të mbahen deri në fund të vitit. Për t’u përgatitur për këtë mundësi, opozita duhet të ndryshojë qasje – të fituarit në arenën elektorale nuk është e njëjta gjë me mobilizimin në rrugë.
Së pari, protestuesit kanë të drejtë se zgjedhjet në Serbi nuk janë as të lira, as të ndershme. Por të presësh që Vuçiçi të krijojë kushte të barabarta, gjë që disa në opozitë e shohin si parakusht për të marrë pjesë në zgjedhje, është iluzion. Aktorët perëndimorë gjithnjë e më pak kanë vullnetin dhe aftësinë për të promovuar demokracinë jashtë vendit, një tendencë që është thelluar me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Kështu, Vuçiçi përballet me shumë pak presion për të përmirësuar integritetin elektoral, dhe ndërhyrja në rezultat – siç shumë presin që ai ta bëjë – ka pak gjasë të dëmtojë legjitimitetin ndërkombëtar të regjimit të tij.
Prandaj, opozita duhet të zhvillojë mënyra kreative dhe efektive për të kundërshtuar manipulimin elektoral të regjimit. Për ta bërë këtë, ata duhet të mësojnë nga zgjedhjet e vitit 2000 në Jugosllavi, kur zbulimi dhe dokumentimi i plotë nga opozita i përpjekjeve të regjimit për të manipuluar rezultatin kontribuoi në rrëzimin e autokratit serb, Sllobodan Millosheviç. Për të garantuar që zgjedhjet e ardhshme të jenë sa më konkurruese të jetë e mundur, protestuesit duhet të bashkëpunojnë me organizatat e shoqërisë civile për të ekspozuar shkeljet elektorale herët dhe shpesh.
Së dyti, opozita duhet të paraqesë një vizion bindës për të ardhmen, në vend që të theksojë vetëm mangësitë e regjimit të Vuçiçit, i cili ka qëndruar në pushtet që prej vitit 2012, kryesisht falë aftësisë së presidentit për të shfrytëzuar etnonacionalizmin. Vuçiçi e portretizon veten si shpëtimtar dhe mbrojtës të kombit serb të rrezikuar, ndërsa protestuesit i paraqet si tradhtarë që po zhvillojnë një “revolucion me ngjyra” në emër të fuqive të huaja.
Injorimi i kësaj narrative do të ishte një gabim i rëndë. Por opozita do të bënte një gabim edhe më të madh nëse do të përpiqej të “provonte” patriotizmin e saj duke u bërë më etnonacionaliste se Vuçiçi, siç ka tentuar në disa raste të fundit. Përkundrazi, protestuesit duhet të zhvillojnë një narrativë patriotike të tyre, e cila të bazohet mbi vlera gjithëpërfshirëse dhe të rimarrë simbolet kombëtare nga Vuçiçi dhe SNS-ja.
Këto simbole kanë qenë të pranishme në mënyrë të dukshme gjatë demonstratave. Ato mund të përdoren me të drejtë në betejën kundër Vuçiçit, për sa kohë që përfaqësojnë një Serbi që qëndron mbi shtetin e së drejtës dhe pluralizmin, dhe jo vizionin e Vuçiçit për një Serbi viktimë të fuqive perëndimore dhe fqinjëve armiqësorë.
Së treti, opozita duhet të përgatitet për mundësinë e mbrojtjes së fitores së saj elektorale në rrugë. Kjo do të thotë se ajo duhet të nisë që tani një fushatë në kryeqytetet evropiane për të siguruar që aleatët demokratikë të Serbisë të mos e njohin një proces zgjedhor të manipuluar. Opinioni i zyrtarëve evropianë ka peshë të madhe te qeveria dhe elitat ekonomike të Serbisë, pasi ekonomia e saj varet shumë nga tregtia dhe investimet e Bashkimit Evropian.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse liderët evropianë nuk do të mbështesin automatikisht opozitën serbe, e cila përfshin parti që janë shprehur hapur kundër integrimit në BE. Dhe pavarësisht akuzave të shpeshta të Vuçiçit se vendet perëndimore po përpiqen të rrëzojnë qeverinë e tij, ai ka shumë aleatë brenda BE-së – ndryshe nga Millosheviçi, i cili ishte një i përjashtuar ndërkombëtar në vitin 2000 dhe vdiq në Hagë gjatë gjykimit për krime lufte, për të cilat akuzohej se i kishte kryer në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci.
Kur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi Beogradin tetorin e kaluar, ajo lavdëroi Serbinë – një nga vendet që po “autokratizohet” më shpejt në botë – për përparimin e saj drejt anëtarësimit në BE. Meqë qasja e bllokut ndaj politikës së jashtme tashmë udhëhiqet më shumë nga interesat gjeopolitike dhe ekonomike sesa nga vlerat, mund të imagjinohet që ai të njohë rezultatet e një zgjedhjeje të vjedhur nga Vuçiçi, për sa kohë që manipulimi elektoral të mos jetë tepër i hapur. Standardet demokratike mund të anashkalohen për të parandaluar që Serbia të afrohet me Rusinë, ose për të siguruar qasje në rezervat e saj të litiumit.
Ndërkohë që liderët e BE-së i rezistojnë përpjekjeve të Trump-it për ta tradhtuar Ukrainën, ata do të bënin mirë të mos miratonin një qasje po aq cinike ndaj Serbisë. Për t’ia kujtuar bllokut mbështetjen e tij për normat demokratike, protestuesit e Serbisë duhet të fillojnë që tani të krijojnë lidhje me liderët evropianë dhe, kur të vijë momenti, të dokumentojnë qartë çdo rast manipulimi elektoral. Ky angazhim, i kombinuar me një vizion politik që promovon shtetin e së drejtës dhe pluralizmin, mund të përcaktojë fatin e opozitës serbe – dhe fushatën e tyre këmbëngulëse kundër një regjimi autokratik dhe të korruptuar.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Next Steps for Serbia’s Protesters







