
Kur kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi së fundmi kabinetin e tij të ri, nuk ishte zgjedhja e ministrit të Financave apo të ministrit të Jashtëm ajo që tërhoqi më shumë vëmendje. Lajmi më i madh ishte emërimi nga Rama i ministre të krijuar me inteligjencë artificiale për prokurimet publike.
Diella do të mbikëqyrë dhe shpërndajë të gjitha tenderët publikë që qeveria u jep firmave private. “Ajo është anëtarja e parë e qeverisë që nuk është fizikisht e pranishme, por e krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale”, deklaroi Rama. Ajo do të ndihmojë që Shqipëria të bëhet “një vend ku prokurimet publike janë 100% pa korrupsion”.
Njëkohësisht evokues dhe provokues, ky veprim na kujton se ata që vendosin shpresat më të mëdha te teknologjia shpesh janë ndër ata që kanë më pak besim te natyra njerëzore. Por më e rëndësishmja, emërimi i Diellës është dëshmi se ilaçi i supozuar për çdo problem që e mundon demokracinë po merr gjithnjë e më shumë formën e autoritarizmit digjital. Ndërhyrje të tilla mund të jenë joshëse për oligarkët e Silicon Valley, por demokratët kudo duhet të alarmohen.
Baza konceptuale e një ministreje të krijuar me inteligjencë artificiale qëndron në mënyrën se si teknofilët e konceptojnë marrëdhënien e njerëzimit me të ardhmen. “Tekno-zgjidhësit” i trajtojnë problemet politike, të cilat zakonisht kërkojnë debat e diskutim, sikur të ishin sfida inxhinierike që mund të zgjidheshin vetëm përmes mjeteve teknike. Siç pamë në Shtetet e Bashkuara gjatë periudhës së shkurtër të Elon Musk në krye të DOGE (Departamenti i Efiçiencës së Qeverisë), teknologjia ofrohet si zëvendësim për politikën dhe marrjen e vendimeve politike.
Implikimi i qeverisjes së administruar nga inteligjenca artificiale është se demokracia do të bëhet e tepërt. Teknokracia digjitale përbëhet nga zhvillues të teknologjisë që pretendojnë autoritetin për të vendosur rregullat të cilat duhet të zbatojmë dhe kështu kushtet në të cilat ne do të jetojmë. Kontrolli dhe balancat e mbrojtura nga Locke, Montesquieu dhe themeluesit e Amerikës shihen si pengesa ndaj vendimmarrjes efikase. Pse të merremi me institucione të tilla kur mund të shfrytëzojmë fuqinë e mjeteve digjitale dhe algoritmeve? Nën teknokracinë digjitale, debati shihet si humbje kohe, rregullimi si pengesë për progresin dhe sovraniteti popullor si thjesht një vulosje e paaftësisë.
Sigurisht, asnjë person i arsyeshëm nuk mund të mohojë se inovacioni teknologjik ka zgjidhur shumë probleme. Megjithatë, premtimi i madh që mbajnë sot sundimtarët e teknologjisë nuk është se ata do të zgjidhin problemet, por se do t’i shpërbëjnë ato. Ata mohojnë vetë idenë e një të ardhmeje problematike, të pasigurt, të paparashikueshme.
Nuk është rastësi që presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin u kapën së fundmi nga një mikrofon i hapur duke diskutuar për pavdekësinë. Të ndalosh plakjen do të thotë të na shpëtosh nga e ardhmja; kjo nënkupton jo vetëm shmangien e asaj që ende nuk ka ardhur, por edhe arratisjen nga barra e zgjedhjes.
Duke eliminuar të papërcaktuarën që na përkufizon, do të bëheshim qenie të cilave në të vërtetë nuk mund t’u ndodhë asgjë. Do të jetonim në një të tashme të përjetshme, pa ndonjë burim kuptimi përtej optimizimit të kushteve tona të jetesës, të patrazuar nga pasiguria, polemikat apo rreziqet e lidhura me marrjen e vendimeve. Do të arrinim një njerëzim pa njerëzillëk.
Gjithashtu, nuk është rastësi që eksperimenti i Shqipërisë drejtohet te veprat publike dhe korrupsioni. Këto janë fushat që tërheqin vëmendjen e Bashkimit Evropian, ku shumica e shqiptarëve duan të jenë. Që nga fundi i komunizmit 35 vjet më parë, dëshira e Shqipërisë për t’iu bashkuar Evropës, të paktën në letër, e ka çuar atë drejt përqafimit të premisës teknokratike të artikuluar nga sociologu gjerman Max Weber: vetëm një burokraci autonome mund të jetë e lirë nga shtrembërimet politike.
Anëtarësimi në BE ndjek parametra të rreptë, kushte neutrale dhe kritere rigoroze ndaj të cilave duhet të matet progresi. Megjithatë, Shqipëria, ashtu si të gjitha vendet e tjera ballkanike që presin në paradhomën e Evropës, ka mësuar se teknokracia shpesh nuk është gjë tjetër veçse një gjethe fiku që mbulon hezitimin politik të vetë BE-së. Edhe sikur Shqipëria të përmbushte çdo kërkesë deri në detaj të teknokratëve të Komisionit Evropian, mund të vendoseshin kushte të reja, të ofroheshin justifikime, të zhvendoseshin objektivat.
Duke emëruar një ministre prokurimesh të krijuar nga inteligjenca artificiale, Rama po i jep Evropës një shije të ilaçit të vet. Ai gjithashtu po përgatit terrenin për një skenar surreal dhe dekurajues: zyrtarë të lartë evropianë që mbajnë samite me një chatbot për të diskutuar aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim. Diella do të na vërë përpara një pasqyrë – të pamëshirshme dhe të pashmangshme – që pasqyron rrënimin e demokracisë që ne vetë po e shkaktojmë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The First AI Government Minister







