AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Rajoni

Qendrat e thirrjeve telefonike në Beograd, pjesë e mashtrimit izraelit me investime

Bastisjet në katër call center në Beograd në vitin 2023 çuan në ndërprerjen e një operacion mashtrimi shumëkombësh që mashtroi rreth 70,000 njerëz në të gjithë botën me rreth 250 milionë euro, por krerët e bandës nuk u kapën kurrë. Investigate Europe dhe BIRN e kanë gjurmuar mashtrimin te izraelit i dënuar për pastrim parash dhe gruaja e tij, të cilët vazhdojnë të veprojnë.

Sasa DragojloMaxence PeignengaSasa DragojlodheMaxence Peigne
9 months më parë
në Rajoni
Koha e leximit: 14 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Ilustrimi: Georgina Choleva/Spoovio.

Në pamje të parë, Olympus Prime ngjante më shumë si një startup teknologjik i lulëzuar sesa si një nga shumë call center-a të paidentifikueshme  që po hapeshin gjithandej në kryeqytetin e Serbisë.

E vendosur në një godinë moderne, brenda një zone biznesi në zgjerim në Beograd, kompania kishte fqinj një kompleks kulturor kinez dhe një hotel luksoz.

Por kur policia serbe hyri në ambientet e saj një mëngjes me shi në janar 2023, ata zbuluan atë që ekspertët e mashtrimeve e quajnë një “boiler room” – një skemë ku individë të papërgatitur kontaktohen përmes telefonit ose emailit dhe, nën presionin e teknikave agresive të shitjes dhe manipulimit social, bindeshin të investonin para në skema mashtruese financiare.

“Zyrat ishin krejt normale, si çdo zyrë tjetër; plot tavolina, karrige dhe kompjuterë”, tha Boris Majlat, shef i Departamentit të Krimeve të Larta Teknologjike pranë Prokurorisë Publike në Beograd.

Dhjetëra punonjësit e ulur aty nuk u tronditën nga hyrja e oficerëve të armatosur, tha Majlat. Madje, ata ishin trajnuar për një rast të tillë; në një video trajnimi të sekuestruar gjatë bastisjes, menaxherët shiheshin duke u treguar punonjësve si të silleshin në rast se vinte policia.

“U thoni se po ofroni vetëm materiale edukative”, thoshte njëri në kamerë. “Asgjë më shumë.”

Bastisja ishte një nga 22 të kryera atë ditë në Serbi, Bullgari dhe Qipro, të koordinuara nga Europol dhe të mbështetura fuqishëm nga autoritetet gjermane. Katër qendra call center-a u goditën, të gjitha në Beograd.

Fotografia e siguruar nga BIRN nga një burim pranë hetimit tregon policinë serbe duke bastisur ambientet e Asgard doo në janar 2023. Foto: Burim anonim/BIRN.

Hetuesit zbuluan se punonjësit ndaheshin në ekipe sipas gjuhëve, të krijuara posaçërisht për të goditur vende të caktuara, duke u pajisur me emra e identitete të rreme dhe skripte të gatshme për t’u hequr si brokerë, për të fituar besimin e viktimave dhe për t’ua marrë atyre paratë, shpesh edhe kursimet e të gjithë jetës.

Rrjeti besohet se ka shënjestruar mbi 70,000 persona në mbarë botën, duke fituar rreth 250 milionë euro përmes mashtrimeve me investime të rreme në Forex dhe kriptomonedha, tha policia e landit gjerman Baden-Württemberg përmes një emaili.

Në Serbi, 21 persona janë akuzuar për mashtrim me një dëm të vlerësuar prej 3.4 milionë eurosh. Aktakuza ende nuk është konfirmuar nga gjykata. Megjithatë, të dyshuarit kryesorë ende nuk janë kapur nga autoritetet.

Hetimi, i kryer nga Investigate Europe dhe RIRN, e ka gjurmuar operacionin në Serbi te një çift nga Tel Avivi – Eliran Oved, i dënuar për pastrim parash, dhe bashkëshortja e tij, Liat Kourtz Oved, të dy 42 vjeç – përmes një serie kompanish guaskë, përfaqësuesish dhe firmash të lidhura, mes tyre edhe një ish-sponsor i klubit të Premier Ligës angleze, Leeds United.

Prokurorët në Serbi thonë se në vetë call center-in Olympus Prime, kontrolli u ishte besuar izraelitëve, ndërsa operacionet e përditshme i menaxhonin punonjës serbë.

Agjentët e call center-it ishin të pamëshirshëm: sipas bisedave të brendshme, të treguara BIRN-it dhe IE-së nga një burim pranë hetimit, ata i quanin viktimat e tyre “idiotë”. Në një rast, kur një agjent njoftoi se një viktimë kishte 40,000 euro për të investuar, një koleg iu përgjigj: “Shkëlqyeshëm, merrja!”

I pyetur të konfirmonte lidhjen mes mashtrimit dhe çiftit Oved, Majlat tha se nuk mund të komentonte mbi një hetim ende në zhvillim.

Çifti Oved dhe bashkëpunëtorët e tyre të përmendur në këtë investigim nuk janë akuzuar për ndonjë krim në lidhje me skemën e call center-it në Beograd. Asnjëri prej tyre nuk iu përgjigj kërkesave të detajuara për koment.

Viktimat në mbarë botën

Çifti izraelit Liat Kourtz Oved (majtas) dhe Eliran Oved (djathtas). Foto: Instagram.

Çifti Oved nuk e fsheh pasurinë e tyre në rrjetet sociale. Ata publikojnë foto nga pushime ekzotike familjare dhe festa me veshje të shtrenjta, dhe në shtator të vitit të kaluar Eliran Oved mori një çmim nga presidenti izraelit Isaac Herzog për punën komunitare të bërë nga klubi i futbollit të kategorisë së dytë që ai zotëron, Bnei Yehuda Tel Aviv.

Megjithatë, pas këtij imazhi publik, Eliran ka pasur më parë telashe me ligjin: në vitin 2012 ai u dënua me një vit burg pasi Gjykata e Lartë e Izraelit la në fuqi një vendim për drejtimin e një biznesi të paligjshëm të lojërave të fatit online dhe pastrim parash.

Tani, një investigim i kryer nga IE dhe BIRN, përmes analizës së dhjetëra dokumenteve nga regjistrat tregtarë, ka zbuluar lidhje të shumta biznesi midis çiftit Oved dhe mashtrimit shumë-milionësh të tipit boiler room që operohej nga Beogradi.

Çifti kishte ndihmës përmes disa bashkëpunëtorëve kyç: ish-futbollistit qipriot Nikos Andreou, avokates bullgare Vera Nachkova Andonova, dhe Milos Radivojeviçit, një serb me shtetësi bullgare që besohet të jetë bashkëshorti i Andonovës. Treshja shërbyen si drejtorë në pesë kompani të Ovedit dhe mbanin aksione në 14 firma të lidhura me rrjetin e mashtrimit.

Nga të tre, vetëm Radivojeviçi aktualisht është nën hetim në Serbi për dyshime për pastrim parash në lidhje me call center-ët në Beograd, sipas detajeve të rastit të ndara me IE dhe BIRN.

Radivojeviçi dhe Andonova nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Andreou nuk mund të kontaktohej në adresën e vetme të emailit që u gjet për të online.

Në total, katër call center-ët në Beograd shënjestruan individë nga Gjermania, Britania, Irlanda, Zvicra, Austria, Australia dhe Kanadaja; dokumente të sekuestruara në Olympus Prime dhe të shqyrtuara nga IE dhe BIRN tregojnë se disa humbën vetëm disa qindra euro, ndërsa të tjerë mbi një milion.

Në vitin 2018, një ndërtues 64-vjeçar skocez, i cili pranoi të identifikohej vetëm me emrin e tij, John, klikoi mbi një reklamë në Google për FX Trade Market, që pretendonte se mbështetej nga Dragon’s Den, një emision i njohur britanik ku sipërmarrësit prezantojnë idetë e tyre përballë investitorëve të pasur.

Ditën tjetër ai mori një telefonatë.

“Ai ishte shumë i sjellshëm dhe vërtet simpatik”, tha John. “I thashë që do të më pëlqente të blija një shtëpi në Spanjë dhe ai më tha: ‘Do të të siguroj tre shtëpi në Spanjë.’”

Gjatë një viti e gjysmë që pasoi, John investoi 25,000 £ (28,650 euro) dhe madje bindi edhe vajzën e tij të investonte. Online, portofoli i tij dukej se ishte rritur në 130,000 £ (149,000 euro).

“Gruaja ime nuk dinte shumë për këtë dhe unë shpresoja ta surprizoja me një shumë të madhe parash”, tha ai. Por një ditë, paratë u zhdukën; po ashtu edhe “brokeri” i John-it.

Ajo ditë, tha ai, “duhet të më ketë marrë disa vite jetë”.

FX Trade Market operohej nga firma estoneze Ingoten OU, e cila bashkëpunonte me një nga call center-at në Beograd, të quajtur Parogan. Parogan ishte në pronësi të Andreout dhe Andonovës dhe po hetohet gjithashtu nga autoritetet serbe në një çështje të veçantë.

“Më telefononte çdo ditë”

Një grup call center-ash në Beograd, sipas vlerësimeve të policisë gjermane, mashtruan rreth 70,000 njerëz në të gjithë botën duke ofruar investime të rreme financiare. Ilustrim: Georgina Choleva/Spoovio.

Sipas aktakuzës kundër 21 individëve në Serbi, e cila është parë nga BIRN dhe IE, prokurorët kanë identifikuar shtetasin izraelit Shai Dorani si menaxherin më të lartë në Olympus Prime.

Dorani u arratis nga vendi dhe autoritetet serbe ngrinë pasuri të paluajtshme në vlerë prej rreth një milion eurosh që ai zotëronte në Beograd, përfshirë një apartament në kompleksin luksoz Belgrade Waterfront, në bregun e djathtë të lumit Sava. I kontaktuar përmes Instagramit, ai nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Në letra, Olympus Prime figuron në pronësi të Andreout.

Një dokument i Olympus Prime, i parë nga BIRN, liston një sërë markash të lidhura me investime që prokurorët thonë se u përdorën si mbulesa për të joshur viktimat.

Ato përfshijnë FXVC, një sponsor i mëparshëm i Leeds United, si dhe PrimeOT, Greenfields Capital, Wingroup dhe të tjera, të gjitha duke ofruar shërbime tregtimi online në kriptomonedha, valuta të huaja dhe produkte të tjera.

Një ish-menaxher belg IT-je në një bankë, i cili kërkoi të mbetej anonim, tha për BIRN dhe IE- se në vitin 2020 depozitoi 250 euro tek Wingroup pasi pa një reklamë në Facebook.

Dikush që pretendonte se ishte broker financiar e telefonoi pak më vonë dhe i ofroi ndihmë me “short selling” të aksioneve, një formë tregtimi me të cilën menaxheri i IT-së ishte i njohur.

“Më telefononte çdo ditë dhe çdo herë më kërkonte të investoja më shumë”, tha belgu.

Online, bilanci i llogarisë së tij u rrit deri në 3,000 euro, kur papritur ai u bllokua.

Një faturë që ai ndau me IE dhe BIRN tregon se depozita e tij fillestare u menaxhua nga Coinshype, një exchange kriptomonedhash.

Sipas dokumenteve të regjistrit tregtar në Australi, Coinshype është një markë e regjistruar e Mormarkets Pty Ltd, një subjekt australian. Andreou figuron si “aksioner”, pasi mori pronësinë në vitin 2020 nga Tyriona Limited, e regjistruar në Qipro, e cila sipas dokumenteve korporative qipriote ishte në pronësi të Kourtz Oved.

Sipas faturës, Coinshype operohej në Evropë nga një kompani e quajtur Polotis, e regjistruar në Estoni, por e shpërbërë në vitin 2022. Aksioneri i saj i fundit ishte Andreou, i cili sërish e kishte marrë nga Tyriona Limited e Kourtz Oved-it, sipas dokumenteve korporative në Estoni. Radivojeviçi kishte qenë më parë aksionar dhe gjithashtu drejtor.

Në raportet financiare të dorëzuara në vitin 2022 nga Lytria Holdings Limited, e regjistruar në Qipro dhe fillimisht në pronësi të Kourtz Oved-it e tani e Eliran Oved-it, Polotis përmendet si një “entitet nën kontroll të përbashkët”, edhe pse në atë kohë pronari i saj zyrtar në Estoni ishte Andreou – gjë që sugjeron sërish se Andreou ishte thjesht një përfaqësues për çiftin Oved.

Në mars, Brendan Gunn, drejtor i Mormarkets Pty Ltd, u arrestua nën dyshimin se kishte trajtuar të ardhura nga krimi me vlerë mbi 100,000 dollarë australianë (56,000 euro), të mbledhura nga tre investitorë viktima që kishin depozituar fonde për t’i kthyer në kriptomonedha, sipas Komisionit Australian për Letrat me Vlerë dhe Investime (ASIC).

Flamuj të kuq

Eliran Oved, pronar i FC Bnei Yehuda Tel Aviv, mori një çmim nga Presidenti izraelit Isaac Herzog. Foto: Instagram.

Disa nga markat ishin shënjuar si të dyshimta shumë kohë përpara bastisjeve të janarit 2023.

Në vitin 2020, 38 paditës nga mbarë bota paditën çiftin Oved në Izrael, duke pretenduar se kompanitë e kontrolluara prej tyre promovonin mashtrime financiare si Greenfields Capital dhe PlusOption

IE dhe BIRN zbuluan se subjektet britanike dhe ato të Vanuatus që qëndronin pas Greenfields Capital e kishin Andonovën të regjistruar si aksionere. Ajo kishte shërbyer si drejtoreshë e katër kompanive që në fund ishin në pronësi të çiftit Oved.

Platforma FXVC po dhuronte bileta për ndeshjet e Leeds FC për “klientët e saj besnikë” në faqen e saj në Instagram. Foto: Instagram

Dokumentet e mbrojtjes në procesin gjyqësor izraelit konfirmuan se firma izraelite e çiftit Oved kishte ofruar shërbime call center për Tradeplus Solution, kompaninë “offshore” që qëndronte pas PlusOption, dhe sipas BIRN dhe IE-së, çështja u mbyll me marrëveshje jashtë gjykate. Që atëherë, dokumente të reja korporative të zbuluara tregojnë se Tradeplus Solutions ishte në pronësi të Andonovës. Gjithashtu, rezulton se Eliran Oved kishte regjistruar një domen interneti në emër të kompanisë.

Ndërkohë, FXVC kishte një marrëveshje sponsorizimi me Leeds United, që në vitin 2020 u rikthye në Premier Ligën angleze pas 16 vitesh mungesë. Me logon e saj të shfaqur në stadiumin Elland Road, FXVC papritur po arrinte miliona shikues çdo javë, derisa Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në Mbretërinë e Bashkuar (FCA) i revokoi licencën në prill 2021, duke e akuzuar për “promovime financiare mashtruese”.

Duke iu përgjigjur një kërkese për të drejtë informimi, FCA tha se FXVC nuk ishte gjobitur dhe nuk u detyrua të kompensonte ndonjë viktimë të atyre promovimeve mashtruese. Një investigim i BBC-së në vitin 2023 citoi Leeds United të kishte thënë se i kishte ndërprerë të gjitha lidhjet me FXVC pas vendimit të FCA-së. Klubi nuk iu përgjigj kërkesave për koment për këtë histori.

Në letra, FXVC figuronte në pronësi të një kompanie qipriote të drejtuar nga “nominee” – persona që shërbenin si përfaqësues. Por një vështrim më i imtësishëm i të dhënave financiare të kompanisë zbuloi Kourtz Oved, bashkëshorten e Eliran-it, si përfituese përfundimtare.

Edhe PrimeOT iu nënshtrua shqyrtimit të Ombudsmanit Financiar të Mbretërisë së Bashkuar, i cili në vitin 2022 dha një vendim që detyronte Nationwide Building Society të rimbursonte një kliente me më shumë se 100,000 £ (117,300 euro) që ajo kishte humbur ndaj një telefonuesi nga PrimeOT. Klientes i ishte kërkuar t’ia dërgonte paratë Coinshype.

Mashtrimi me skema investimi i identifikuar si kërcënim kryesor

Europol, agjencia e policisë së BE-së, e identifikoi mashtrimin me skema investimesh si një kërcënim kryesor në raportin e saj më të fundit mbi krimin e organizuar, me përmasat dhe shtrirjen që po rriten me një ritëm alarmues. Në mbarë botën, industria e mashtrimeve financiare ka zhdukur mbi një trilion euro në vitin 2023, me vetëm katër për qind të viktimave që kanë arritur të rikuperojnë humbjet e tyre, sipas vlerësimeve të Aleancës Globale Kundër Mashtrimeve. Inteligjenca Artificiale është bërë një mjet i fuqishëm për të mashtruar më shumë njerëz me faqe interneti, tekste dhe video të realizuara në mënyrë shumë reale (shpesh të klonuara), ndërsa rrjetet sociale po bëhen një kanal i zakonshëm për të joshur konsumatorët.

Panzerët, Vikingët dhe Spartanët

Skemë ilustruese që tregon se si funksiononin call center-at në Beograd. Ilustrim: BIRN/Igor Vujcic.

Malcolm Edwards, një menaxher 67-vjeçar në industrinë e naftës, gjysmë në pension, nga verilindja e Anglisë, filloi duke investuar 500 £ (573 euro) me Greenfields Capital pasi pa një reklamë në Google. Një “broker” e telefonoi ditën tjetër, duke e nxitur të investonte më shumë.
“Ai më bindi të investoja 34,000 £ (38,970 euro)”, tha Edwards. “Më premtoi se do t’i dyfishonte brenda një jave dhe fitimet do t’i kalonte direkt në bankën time. S’ka nevojë të them, java kaloi dhe asnjë fitim nuk u mor. Të gjitha investimet që ai bëri ishin zero.”

Malcolm e shqyrtoi më nga afër Greenfields Capital dhe zbuloi se adresa në Londër e listuar në faqen e tyre të internetit ishte e rreme.

Ndërkohë, disa nga brokerët e rremë në Beograd po merrnin bonuse mujore gjigante, shumë më të larta se sa mund të priste të fitonte një serb mesatar në një vit. Sipas detajeve të aktakuzës të parë nga IE dhe BIRN, në nëntor 2022 një agjent mori një bonus shtesë me bazë komisioni prej 63,000 eurosh, ndërsa një tjetër përfitoi 84,000 euro.

Te Olympus Prime, pesë ekipe punonin pa pushim, të ndara sipas gjuhës dhe rajonit. Një ekip gjermanishtfolës i mbiquajtur “Panzer” vinte në shënjestër viktima gjermane, ekipi “Viking“ ishte fokusuar te skandinavët, dhe tre ekipe të tjera – “Spartanët”, “Minatorët” dhe “Atlasi” – kishin për detyrë të shënjestroinin anglishtfolësit.

Punonjësit në call center-a përdornin emra specifik sipas gjuhës në të cilën punonin, si “Jack Weiss” ose “James Eastwood”.

Pasi klientët bënin investime të vogla fillestare përmes faqeve të klonuara, “fitimet” e simuluara dhe nxitja nga “brokerët” e tyre i shtynin ata të investonin më shumë.

Majlat, prokurori serb, tha se gjyqësori serb është i papërgatitur për t’u marrë me operacione të tilla.

“Nuk kemi të bëjmë me amatorë”, tha Majlat. “Ky është krim i organizuar, dhe përveç nëse reagojmë siç duhet, ata thjesht do të zhvendosen diku tjetër dhe do të fillojnë përsëri.”

“Ne po përballemi me mashtrim të organizuar, transnacional, të bazuar në kripto, megjithatë gjykata e trajton si një mashtrim të zakonshëm”, shtoi ai. “Këto nuk janë raste për prokurorë të zakonshëm. Ne kemi nevojë për njësi të specializuara. Pa to, nuk mund të fitojmë.”

Zhgënjimin e tij e ndau edhe prokurori gjerman Nino Goldbeck, i cili që nga viti 2019 drejton një task-forcë speciale në Bamberg, në Bavarinë veriore, e cila merret me mashtrimet online të investimeve.

“Për shembull, nëse ne kontrollojmë një call center me 200 punonjës, vetëm një pjesë e vogël e tyre përfundon në gjyq në fund të ditës”, tha Goldbeck. “Kjo ndodh për shkak të kufizimeve të burimeve, prioritizimit dhe çështjeve të juridiksionit.”

Në Gjermani, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në qytetin jugperëndimor Karlsruhe po punon së bashku me forcat e rendit serbe për të hetuar rrjetin e call center-ave në Beograd, por refuzoi të komentojë për këtë rast.

Në vitin 2020, rregullatori financiar i Australisë gjobiti kompaninë Ozifin Pty Ltd me 20 milionë dollarë australianë (11,2 milionë euro) për “sjellje të pandërgjegjshme”, pasi investitorët në tregtinë online humbën mbi 11 milionë dollarë australianë (6,2 milionë euro) brenda një viti.

Edhe pse vendimi nuk përmendi familjen Oved, sipas regjistrit të biznesit australian, Ozifin Tech Pty është në pronësi të Corfenix Limited me bazë në Hong Kong, e cila nga ana tjetër, sipas regjistrit tregtar në Hong Kong, është në pronësi të Kourtz Oved.

Pavarësisht vëmendjes në rritje ndaj operacioneve të tyre, familja Oved vazhdoi të zgjerohej. Një kompani offshore në pronësi të tyre dhe e lidhur me sponsorin e mëparshëm të Leeds-it, FXVC, lançoi dy marka të reja tregtare: Klips.com dhe 50K.trade.

Marka tregtare Klips u regjistrua në vitin 2022 nga një nga kompanitë izraelite të çiftit, ndërsa aplikacioni 50K.trade u publikua në mars të vitit të kaluar.

Ndërkohë, personat që humbën para nga mashtrimi i call center-ave në Beograd, ende po përpiqen të kapërdijnë me atë që u ndodhi.

Disa nga ata që u kontaktuan për këtë investigim refuzuan të flasin, nga frika se mund të shënjestrohen sërish. Për të tjerë, kujtimet ishin thjesht shumë të dhimbshme për t’i risjellë në mendje.

“Është gjëja më e keqe për të cilën mund të flasësh”, tha një grua, e cila humbi 54,000 euro me Greenfields Capital. “Si viktimë, përpiqesh ta harrosh.”

PrimeOT dhe “prekja personale”

Eliran Oved dhe Liat Kourtz Oved të fotografuar gjatë një feste me kostume. Foto: Instagram.

Në gusht të vitit 2020, Anna Leitner (jo emri i saj i vërtetë), një sekretare 64-vjeçare në një universitet në Austrinë jugore, hasi rastësisht një reklamë online që premtonte të zbulonte sekretin e investimeve të miliarderit austriak dhe themeluesit të Red Bull-it, Dietrich Mateschitz.

Leitner klikoi në link dhe u regjistrua te PrimeOT.

Pak pasi kishte futur të dhënat e saj, ajo mori një telefonatë nga një burrë që u prezantua si “Gabrieli” dhe tha se ishte “menaxheri i saj personal i llogarisë”.

Gabrieli filloi të fitonte besimin e saj duke ndarë informacione të supozuara personale për veten dhe familjen e tij, duke folur për karrierën dhe duke i dërguar fotografi – të gjitha taktika të njohura të manipulimit social, të dizajnuara për të shfrytëzuar emocionet dhe për të krijuar një lidhje.

Shumë shpejt, Leitner dhe Gabrieli nisën të flisnin tre deri në katër herë në javë, zakonisht për më shumë se gjysmë ore.

“Gabrieli më tregonte shpesh se si i kishte kaluar fundjavat me gruan dhe fëmijët e tij”, kujton Leitner. “Njëherë më tha se i kishte blerë gruas një dhuratë me një pagesë bonusi.”

“Ai ndoshta mendonte se unë isha një burim fitimi.”

Kur Gabriel i kërkoi të shkarkonte Anydesk, një program ligjor që lejon akses të largët nga kompjuterë të tjerë, Leitner nuk hezitoi. Ky program i dha atij qasje në të dhënat e saj bankare personale për të kryer tregti dhe ajo mund të shihte Gabrielin duke investuar më shumë para në emër të saj. Leitner tha se shikonte në kohë reale si rriteshin çmimet e kriptomonedhave, pa e ditur se të dhënat në ekranin e saj ishin false.

Kur Leitner ngurroi në lidhje me depozitën e parë të madhe, Gabriel i dërgoi një foto të tij. Në të dukej një burrë i pashëm me këmishë të bardhë, i buzëqeshur, duke parë telefonin e tij. Leitner iu përgjigj me një screenshot të një mandat-transfere. Disa javë më vonë, në një email nga mesi i tetorit, ai i shkroi: “Të mbaj gjithmonë në zemër.”

Ndonjëherë, toni ndryshonte.

“Të kam telefonuar katër herë, por nuk je përgjigjur”, shkroi Gabrieli në një email tjetër të parë nga IE dhe BIRN. “Pyes veten çfarë ka ndodhur. Jam i shqetësuar.”

Leitner tha se presioni po shtohej. “Shpejt filloi të diskutohej vetëm se sa mund të investoja këtu ose atje dhe nëse mund të gjeja më shumë para”, tha ajo.

Gabrieli fillimisht i kërkoi Leitner-it 5,000 euro, pastaj pas disa javësh i dërgoi një kërkesë pagese prej 10,000 eurosh. Deri në fund të vitit 2020, ajo kishte transferuar para gjashtë herë, në shuma të mëdha, në një llogari bankare në Maltë.

Leitner shpejt nisi të humbiste shuma të mëdha dhe filloi të dyshonte.

“Dëshiroja të tërhiqja paratë e mia”, tha ajo. Në janar 2021, Leitner i dërgoi një email: “I dashur Gabriel, të lutem, kam NEVOJË URGJENTE që të më telefonosh.”

Më në fund, me email, ajo mori udhëzime se si të tërhiqte fondet e saj me vetëm disa klikime. “Por ajo mundësi nuk ekzistonte fare”, tha Leitner. Pak më vonë, llogaria e saj u fshi. “Nuk mund të hyja më. Më kishin përjashtuar.”

Paratë ishin zhdukur. “Pastaj kuptova se kisha bërë një gabim të madh”, tha Leitner.

Në total, Leitner investoi – dhe humbi – 29,250 euro. Në mars 2021, ajo angazhoi një avokat në Berlin për të rimarrë paratë e saj. Por të gjitha përpjekjet rezultuan të kota. Dy vjet e gjysmë më vonë, në nëntor 2023, Leitner mori një email nga avokati i saj, ku e informonte se “pavarësisht përpjekjeve tona, përfshirë ankesat dhe qasjet hetimore të mëtejshme”, prokuroria kishte “mbyllur hetimin kundër PrimeOT”.

Raportime shtesë: Ivana Jeremic, Aleksandar Djordjevic, Ana Curic, Svetoslav Todorov, Nico Schmidt dhe Pascal Hansens.

Ky investigim drejtohet dhe koordinohet nga Investigate Europe dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN. IJ4EU (Gazetaria Investigative për Evropën) dhe Bashkimi Evropian ofruan mbështetje financiare për investigimin. Përmbajtja e këtij investigimi është përgjegjësi e vetme e Investigate Europe dhe Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN.

Etiketa: Call centerCoinshypeEliran OvedFX Trade MarketGreenfields CapitalLeeds UnitedLiat Kourtz OvedMilos RadivojeviçNikos AndreouOlympus PrimePrimeOTShai DoraniVera Nachkova AndonovaWingroup
Tjetri
Besimi tek institucionet politike pëson sërish rënie në Shqipëri

Qeveria kërkon zgjedhje në Tiranë, pavarësisht ankimit të Veliajt në Kushtetuese

Nërtime, Tiranë, beton, pallate

Drogë – Beton: Lidhjet e ndërtuesit Ilir Shtufi me paratë e trafikut të kokainës

10:26 | 13/06/2026
sandra

“Korporata Aruba”: SPAK godet skemën e miliardave të drogës dhe kullave në Tiranë

16:55 | 12/06/2026
shqiperia 1

Po ja iku ky, kush do të vijë?!

10:50 | 12/06/2026
laguna

SPAK: Skema e dyshuar e pastrimit të parave pas shitjes së tokave në Zvërnec

09:05 | 12/06/2026
SPAK heton kontratën e lobimit të PD-së në SHBA

Shtetet e Bashkuara heqin sanksionin ‘non grata’ ndaj Sali Berishës

19:58 | 11/06/2026
I akuzuari për kontrabandën e cigareve fiton lirinë me 1 milion euro garanci

Katërmbëdhjetë të akuzuar si pjesë e ISIS dënohen me 112 vjet burg

15:50 | 11/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.