
Një ditë pasi presidenti i Republikës, Bajram Begaj drekretoi 9 nëntorin si datë zgjedhjesh për Tiranën dhe 5 bashki të tjera të mbetura pa kryetar, avokati i Veliaj bëri me dije se dekreti do të kundërshtohej në Gjykatë Kushtetuese.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Alban Dokushi, aktualisht avokat i Veliajt i tha BIRN se ankimit të dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese do t’i shtohej objekti edhe për dekretin e Presidentit Begaj për zgjedhjet në Tiranë.
“Po, do ketë një shtim objekti në ankimin e dorëzuar në Kushtetuese, duke përfshirë dekretin dhe pezullimin e tij të pjesshëm për sa i përket pjesës së zgjedhjeve në Tiranë”, tha Dokushi.
Presidenti dekretoi të mërkurën zgjedhjet në Tiranë ashtu si dhe për pesë bashki të tjera në vend, pa marrë parasysh një ankim të regjistruar në Gjykatën Kushtetuese kundër shkarkimit të Erion Veliajt nga Këshilli i Ministrave.
Mbrojtësit e Veliajt pretendojnë që kjo anashkalon pikën 2 të nenit 115 të Kushtetutës, i cili e pezullon shkarkimin e një të zgjedhuri pas ankimit në gjykatë.
Në sqarimin e tij publik, presidenti Begaj pretendoi se Veliaj nuk ishte shkarkuar mbi bazën e nenit 115 të Kushtetutës ndaj do të duhej t’i ishte drejtuar me ankim Gjykatës Administrative dhe jo Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Kushtetutës dhe ligjit për “Vetëqeverisjen Vendore”, një kryetar bashkie i zgjedhur mund të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve, kur dënohet me vendim të formës së prerë ose kur nuk paraqitet në detyrë për një periudhë 3-mujore.
Por Kushtetuta i jep zyrtarit të zgjedhur të drejtën që të ankohet për shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese, gjë që pezullon automatikisht vendimin e Këshillit të Ministrave deri në shqyrtimin e ankesës.
Pas shpalljes së dekretit, Partia Demokratike e akuzoi presidentin Begaj se kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe se kishte rrënuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, presidenti i kishte futur zgjedhjet në Tiranë në një ngërç kushtetues.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi Prokuroria e Posaçme deklaroi se kishte zbuluar një skemë korrupsioni ku bashkia e drejtuar prej tij dhe biznesmenë që fitonin tendera në bashki ushqenin me para një rrjet kompanish dhe organizatash jo-fitimprurëse të drejtuara nga bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa.
Shkarkimi i Veliajt, që shihej deri pak muaj më parë si një figurë qendrore e Partisë Socialiste dhe pasardhës i Edi Ramës, u inicua pikërisht nga Rama që udhëzoi këshilltarët socialistë të bashkisë që të nisnin procedurën e shkarkimit, që u finanalizua me vendimin e qeverisë.







