
Ndër aspektet më interesante të historisë dhe arkeologjisë së Durrësit, por njëkohësisht edhe më pak të njohura, lidhet me identifikimin e kishave të qytetit. Kemi të bëjmë me një qytet ku krishtërimi ka hyrë herët dhe ka shërbyer si një qendër e rëndësishme për nisjen e misioneve fetare drejt prapatokës së afërt e të largët. Për rrjedhojë, thellimi e njohja i aspekteve fetare do të kishte rëndësi të veçantë për historiografinë shqiptare.
Këtu po trajtojmë një rast të veçantë, atë të njohjes dhe identifikimit të kishës e manastirit katolik të Shën Dominikut.[1]
Farlati dhe J. Coleti referojnë një dokument ku thuhet se kuvendi i domenikanëve në Durrës u ndërtua rreth vitit 1224 dhe aty gjendeshin 90 deri 100 fretër, si dhe nëntë profesorë teologjie, por një rritje kaq të madhe ata e lidhin më së shumti me shek. XIV.
Në një dokument të datës 8 maj 1283 mbreti Karli I Anzhu i kërkonte kapitenit anzhuin të Durrësit t’i caktonte një banesë urdhrit të fretërve predikues. Në një tjetër dokument, të një dite më pas, 9 maj, flitet përsëri për banesën e këtyre fretërve dhe për zgjerimin e saj. Se ku duhej të gjendej kjo banesë nuk ka asnjë të dhënë.
Kisha e fretërve predikues përmendet më pas në një dokument të vitit 1304, të lëshuar nga papa Benedikti XI. Këtu flitet për ndërtimin e kishës, por pa qartësuar ndonjë element topografik se ku duhej të gjendej ajo, brenda në qytet ose jashtë. Ajo që kuptohet qartazi është se bëhej fjalë për një kishë të madhe.
Në vitin 1320 manastiri i fretërve predikues përmendet në një letër të papës Johani XXII.
Në një dokument të vitit 1396 shkruhet “conuentui fratrum predicatorum ciuitatis nostre durachij”. Fjalia e përdorur nënkupton se ky manastir gjendej në qytet, por edhe në këtë rast nuk mund ta themi me siguri nëse brenda mureve rrethuese apo pranë tyre.
Në vitin 1418 murgjit e kuvendit (monasterium Fratrum Praedicatorum Duracien) i janë drejtuar papës për t’i ndihmuar në rindërtimin e manastirit, kishës, kishëzës dhe shtëpive (monasterii domus, ecclesiae et capellae) që ishin rrënuar nga osmanët. Që këto ndërtesa të ishin rrënuar nga osmanët pa u pushtuar vetë qyteti është prova e parë se manastiri duhej të gjendej jashtë mureve fortifikuese. Ndërsa renditja e disa strukturave së bashku tregon se bëhej fjalë për një kompleks të gjerë, ku kishte një kishë kryesore dhe një kishëz.
Në një akt noterial të shitjes së një vreshti në vitin 1419 hasim “conuentu Sancti dominici”. Bëhet fjalë për të njëjtin manastir, por këtë radhë i përmendur me emërtimin e shenjtit të cilit i ishte kushtuar manastiri.
Në një testament të një qytetari venedikas që jetonte në Durrës, kërkohej që ai të varrosej te Kisha e Shën-Dominikut Predikues të Durrësit.
Në vitin 1458 një kompani pelegrinësh, fisnikë italianë, kanë zbritur në Durrës. Pasi kanë parë kushtet e strehimit në kuvendin françeskan, ato i drejtohen atij domenikan, cilësuar si kishë e Sancto Dominicho. Këtë rend lëvizjeje e kemi interpretuar si një pozicionim më i afërt i kuvendit françeskan përkundrejt portit sesa ai domenikan. Ka edhe një detaj që përforcon këtë mendim. Sipas këtij rrëfimi, pas darkës grupi i pelegrinëve viziton kalanë e qytetit. Ata ngjiten te muri ku gjendej një statujë bronzi kalorësi, që tregon se bëhej fjalë për Portën e Kalorësit. Realizimi i një vizite të këtij trakti të kalasë duke u nisur nga kuvendi domenikan qartësisht tregon se gjendeshin pranë njëri-tjetrit.
Në vitin 1459 kemi një përmendje tjetër të manastirit të Shën-Dominikut (conventum sanctii Dominici de Durachio), i cili ishte rrënuar përsëri dhe vlerësohej nevoja e rindërtimit. Duke qenë manastiri i Shën-Dominikut rishfaqet në një tjetër dokumenti të vitit 1473 (S.ti Dominici de durazio) kuptojmë se ai ishte rindërtuar tashmë dhe ishte funksional.
Përmendja e fundit që kemi hasur për këtë manastir i takon vitit 1503. Bëhet fjalë për largimin e objekteve të shenjta që gjendeshin aty për t’i shpëtuar prej pushtimit osman. Ky fakt nënkupton se deri në momentin e pushtimit manastiri ishte funksional. Përkthimi i këtij dokumenti me shumë rëndësi është si më poshtë:
Këto janë disa relike të dërguara në Sinjorinë tonë nga guvernatori i Brindizit, zotëri Anton da Kanal, të cilat ishin në manastirin e Shën Dominikut të Durrësit, i rënë në duart e turqve dhe u sollën atje në Brindizi; arritën në këtë tokë me anë të një karavele me kapiten zotrinë Marko i thirrur Daro nga Venediku, me banim në San Martin në Campo di Do pozi, 1503 më 3 mars. Regjistruar në faqen 202.
Një krah i argjentë me dorën e argjentë, dhe brenda është krahu i Shën Mateut apostull.
Një këmbë e punuar prej argjendi, me gishtin e Shën Dominikut, me një unazë me 5 gurë.
Një tabernakul e argjentë, punuar me kristale, me një dhëmb të Shën Dominikut, me një pjesë të relikes së Shën’e Premtes.
Një tabernakul, punuar me kristale, dhe brenda është një kockë e Shën Kollit, me këmbën prej tehut argjendi të punuar.
Një tabernakul e punuar në kristal, me një gjemb të Krishtit.
Një tabernakul e punuar në dru, me disa relike të të pafajshmëve, do të shikohet më tej
Këto relike më pas iu dhanë vëllait të zotrisë Antonio, ministrit të provincës së Dalmacisë, më 26 po ky për prokuratorin Polo Barbo, ku u vendosën.
Ku gjendej ku manastir?

Farlati dhe J. Coleti shkruanin se brenda në qytet ka pasur dy kuvende, njëri domenikan dhe tjetri françeskan. Kërkesa e vitit 1418, e cila bën fjalë për rrënimin e kuvendit, na orienton drejt një vendosjeje jashtë mureve. Koncepti “brenda në qytet” përfshinte edhe territorin që ishte menjëherë jashtë fortifikimeve, por që realisht quhej pjesë e qytetit. Për vitin 1418 nuk ka të dhëna mbi sulme nga ana e osmanëve në qytet, gjithashtu as për vitin 1417.
Ndërsa në vitin 1416 banorët i janë drejtuar Senatit venedikas me një kërkesë për ndihma ushtarake për mbrojtje, por pa përmendur qartësisht një sulm. Për një sulm osman ndaj Durrësit flitet në vitin 1402, por si kohë është shumë e largët për të qenë ky ai që ka rrënuar manastirin. Për rrjedhojë, mbetet të ketë pasur një sulm në vitin 1417, që i ka shtyrë banorët për të kërkuar ndihmë. Fakti që nuk përmendet kurrkund në burimet historike një sulm ndaj qytetit duket se konfirmon vendndodhjen e manastirit jashtë mureve. Ngjashmërisht edhe për vitin 1459, ka paqartësi mbi arsyen e rrënimit të kuvendit. Para këtij viti rreziku më i afërt ndaj Durrësit të kontrolluar nga venedikasit i takon vitit 1456. Bëhet fjalë për synimet e Skënderbeut për ta pushtuar atë, por ai nuk do të digjte një kuvend katolik. Për rrjedhojë, mbetet që të ketë pasur së paku në vitin 1458 ose në fillimin e vitit 1459 një sulm osman ndaj Durrësit.
Duke e pozicionuar kuvendin jashtë linjës veriore të murit fortifikues, kjo do të përkonte mjaft mirë edhe me rendin e lëvizjeve të pelegrinëve italianë të ardhur në vitin 1458 në drejtimin port – kuvend françeskan – kuvend domenikan, si dhe me afërsinë që kishte me Portën e Kalorësit (më pak se 290 m).
Me një pozicion të tillë, jashtë mureve, por pjesë e qytetit, kemi dy zbulime arkeologjike, të cilat mund t’i përshtaten funksionit kishtar.
Rasti i parë lidhet me gjetjen e strukturave komplekse të disa periudhave kohore, të zbuluara në vitin 1989. Punimet e ndërtimit për një pallat banimi në krah të rrugës “Bashkimi” u paraprinë nga gjurmime arkeologjike të realizuara nga arkeologët durrsakë Hava Hidri dhe Fatos Tartari. Me këtë rast u zbuluan struktura që i takonin dy insulave të periudhës perandorake romake, të ndara nga një rrugë mes tyre. Në njërin krah u identifikuan pjesë të një terme publike. Më pas, përgjatë antikitetit të vonë këtu ishte ndërtuar një strukturë komplekse, prej të cilave ruhej më qartazi planimetria e një kishe trenefëshe. Nën dyshemetë e nefeve anësore ishin ndërtuar disa dhoma-varre, ku u gjetën disa skelete. Muret ruanin shenja të pikturave murale. Jashtë kishës, në krahun lindor të saj u gjetën disa varre me mbulesa tjegullash, që dëshmonin për një territor të hapur në këtë krah.

Teknika e ndërtimit të mureve ka ngjashmëri me ndërtime të periudhës së perandorit Justinian. Prania e mureve që vazhdonin përtej planimetrisë së kishës na bëjnë të hamendësojmë se kemi të bëjmë me territorin e një manastiri, me planimetri komplekse. Zbulimi i skeleteve të padëmtuara nën nivelin e nefeve dëshmon se kisha ka mbijetur për një kohë të gjatë deri në shkatërrimin final, pa u bërë pre e grabitjeve.
Një vendgjetje e dytë është zbuluar në vitin 1975. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një gjetje të realizuar para ndërtimit të një pallati banimi. Bëhet fjalë për një dysheme të shtruar me pllaka guri me ngjyra të bardha, të zeza e të kuqe, të kombinuara në motive gjeometrike. Duke u bazuar tek cilësia dhe motivet zbukuruese, kjo dysheme me përmasa 10.8×4.6 m, paraqet një cilësi të lartë që mbetet të lidhet vetëm me një kishë. Nuk mund të themi nëse rrotull saj ka pasur apo jo struktura të tjera, si në rastin e vendgjetjes së mësipërme.
Për sa njohuri kemi deri në këtë moment, asnjë strukturë tjetër e zbuluar në linjën e jashtme të mureve fortifikuese të antikitetit të vonë dhe mesjetare të qytetit nuk i plotëson kushtet për të qenë manastiri i Shën Dominikut më shumë se sa strukturat e zbuluara në themelet e pallatit në krah të rrugës “Bashkimi”. Fatkeqësisht, një nga monumentet më të rëndësishme të historisë së qytetit aktualisht është harruar tërësisht, dhe nuk përbën asnjë interes për të vendosur qoftë edhe një pllakë informative në zonën se ku ajo gjendej dikur.
[1] Studimi i plotë me referencat dokumentare dhe bibliografike mund të konsultohet tek E. Shehi, Topografia e Durrësit Mesjetar, Tiranë 2022, f. 467-469.







