
Prokurori i Tiranës, Armand Gurakuqi paraqiti të hënën më 27 tetor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA parashtrimet e tij lidhur me një hua dhe një kontratë bashkëpunimi të bashkëshortes së tij, për të cilat Kolegji vendosi vijimin e gjykimit në seancë publike, me qëllim konstatimin e saktë dhe të plotë të situatës faktike lidhur me këto marrëdhënie.
Gurakuqi u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 28 prill 2023, pasi u konkludua se kishte kryer deklarime të pamjaftueshme për pasurinë. Po ashtu, në vlerësimin e përgjithshëm u çmua se marrdhëniet juridiko-financiare të krijuara nga bashkëshortja me një shoqëri ndërtuese, si dhe investimet e përsëritura duke përdorur mjete monetare në masë shumë më të madhe nga ato të disponuara nga vetë subjekti, i kanë krijuar bindjen Komisionit se prokurori Gurakuqi, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë, ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe se ka arritur nivel kualifikues për profesionalizmin.
Armand Gurakuqi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe punoi prej gati dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Subjekti deklaroi në fillim se kishte ushtruar funksionin e tij me drejtësi dhe përkushtim maksimal. Ai nënvizoi se bënë pjesë në ata prokurorë që kanë ndikuar në rritjen e besimit të publikut dhe jo e kundërta si ka konstatuar KPK.
Në vijim, prokurori Gurakuqi parashtroi argumentet e tij lidhur me dy marrëdhëniet financiare të bashkëshortes. Sipas tij, bashkëshortja kishte marrë një hua nga një person me të cilin kishin marrëdhënie familjare, si dhe kishte lidhur marrëveshje bashkëpunimi me një biznesmen, me të cilin po ashtu kishin miqësi familjare.
Gurakuqi deklaroi se ka qenë në dijeni të këtyre veprimeve financiare të bashkëshortes dhe se i ka dhënë dakordësinë. Por, subjekti theksoi se ai vetë ishte kujdesur që të mos cënonte funkionin e tij dhe nuk ishte bërë palë në këto marrëdhënie.
Prokurori shpjegoi se me të dy personat me të cilët bashkëshortja kishte nënshkruar huanë dhe marrëveshjen e bashkëpunumit, kishte pasur ai miqësi fillimisht. Më vonë, sipas subjektit, miqësia ishte konsoliduar më tej, duke u bërë dhe familjare.
Gurakuqi tregoi se biznesmeni Zyber Zdralla u kishte sygjeruar që ata të bëheshin pjesë e një investimi për ndërtimin e një objekti. Ai tha se, në kushtet që nuk kishin mundësi financiare, i ishin drejtuar për ndihmë mikut tjetër, Fatos Shehaj.
Sipas Gurakuqit, ishte e provuar se Shehaj kishte pasur mundësi për dhënien e huasë, pasi kishte shitur disa pasuri të paluajtshme, si dhe kishte burime të ligjshme të tjera financiare.
Subjekti shpjegoi se Shehaj i kishte ndihmuar dhe më parë për vendosjen e një kolaterali për një kredi.
Prokurori Armand Gurakuqi parashtroi se kishin pasur vështirësi financiare, pasi kishin marrë më parë dy hua dhe një kredi. Ai pohoi se kur kishin marrë sygjerimin për marrëveshjen e bashkëpunimit, së bashku me bashkëshorten kishin vlerësuar se, kjo, do të ishte një mënyrë e mirë për të shlyer detyrimet.
Në këto rrethana, bashkëshortja kishte marrë huanë tek Shehaj dhe më vonë kishte nënshkruar marrëdhënien e bashkëpunimit me Zdrallën. Sipas tij, Shehaj dhe Zdralla nuk kanë pasur komunikim apo njohje me parë me njëri-tjetrin.
Gurakuqi tha se ky investim nuk kishte shkuar si duhet, pasi kishte dështuar të përfundonte projekti dhe për rrjedhojë bashkëshortja nuk kishte marrë asnjë qindrakë, por kishin pasur vetëm humbje.
Ai u ndal dhe tek fitimi i parashikuar për bashkëshorten në rastin e realizimit të projektit. Sipas Gurakuqit, bashkëshortja ishte parashikuar të përfitonte 15% të fitimit të biznesmenit Zdralla dhe jo të gjithë investimit. Ai shpjegoi se kompania ku Zdralla ishte ortak do të përfitonte 42% të sipërfaqes ndërtimore. Nga këto, Zdralla do përfitonte si ortak 21% dhe se kjo pjesë bashkëshortja do fitonte 15%, që sipas tij përbëjnë 2.5 % të investimit total.
Subjekti pohoi se bashkëshortja dhe ai kishin pasur komunikim vetëm me Zdrallën dhe se në vitin 2019 kishin kuptuar se investimi kishte dështuar. Ai sqaroi se dokumentet tregojnë se Zdralla ishte në vështirësi financiare, pasi i ishin sekuestruar gjithë pasuritë, përfshi dhe shtëpia e tij.
Prokurori Gurakuqi theksoi se ligji nuk e ndalon bashkëshorten të marri hua dhe se ai nuk ka qenë në asnjë rast në konflikt interesi, që të gjendej në kushtet e cënimit të besimit ashtu si është konstatuar prej KPK.
Në vijim Gurakuqi u pyet nga relatorja Albana Shtylla lidhur me rolin e tij në marrjen e huasë 75 mijë euro. Ai shpjegoi se ka qenë dakord dhe se roli i tij ka qenë ai i një bashkëshorti që kujdeset për familjen, por pa pasur ansjë lloj konflikti interesi. Po ashtu, saktësoi se ka qenë i pranishëm në dhënien e huasë. Lidhur me marrien e huasë në gjendje cash, ai shpjegoi se ishte ofruar në këtë formë, ndërkohë që ishte ligjëruar përmes kontratës noteriale të huadhënies.
Kur u pyet se përse nuk ishte dorëzuar në KPK deklarata noteriale e nënshkruar nga bashkëshortja, Gurakuqi shpjegoi se kur ishte pyetur nëse ajo kishte pasur fitime, kishte deklaruar se nuk kishte përfituar asnjë qindarkë. Sipas tij, kjo deklaratë nuk kishte të bënte me fitimin dhe prandaj nuk ishte dorëzuar. Subjekti pohoi se ekziston si kontratë dhe se prej akteve vërtetohet se bashkëshortja nuk ka marrë asnjë qindarkë për investimin e kryer.
Ai dha shpjegime dhe për vendosjen e një banese si kolateral, në favor të gruaje që kishte blerë një apartament në ndërtesën ku kishte investuar bashkëshortja. Subjekti pohoi se nuk e kishin njohur me parë personin që kishte belrë apartamentin dhe shpjegoi se e kishin vendosur pasurinë e tyre si kolateral, me shpresën se në të ardhmen bashkëshortja do të mund të përfitonte nga investimi i kryer. Sipas tij, bashkëshkëshortja do merrte fitim vetëm pasi të shiteshin të gjithë apartamentet.
Gurakuqi paraqiti si prova kopje të komunikimeve në aplikacionin ËhatsApp të kryera me gruan për të cilën kishin vendosur banesën kolateral, si dhe ato me biznesmenin Zdralla.
Subjekti pohoi se Zdralla e ka pranuar detyrimin e tij dhe kanë nënshkruar deklaratë noteriale në të cilën e njeh në formë huaje.
Gurakuqi shpjegoi se provat i kishte bashkëngjitur në parashtrime dhe jo në ankim, pasi e kishte vlerësuar të mjaftueshëm.
Në përfundim, Kolegji vendosi të mos i pranojë provat e dorëzuara nga subjekti, me argumentin se nuk janë në formën e duhur ligjore, si dhe mbylli shqyrtimin gjyqësor e u tërhoq për të marrë vendim që do të shpallet më datë 3 nëntor, në orën 09:00.
Prokurori Armand Gurakuqi deklaroi në fund të fjalës së tij, se në KPK janë ngritur dyshime mbi vërtetësinë e huasë, kur ndërkohë nuk ka asnjë provë se këto akte janë të pavërteta. Ai e cilësoi të padrejtë, që një prokuror të shkarkohet mbi hamendësime dhe kërkoi konfirmimin.







