
Miratimi i ligjit të rishikuar për barazinë gjinore nga parlamenti shqiptar javën e kaluar ishte një hap historik dhe një hap para për të drejtat e njeriut në vend.
Miratimi i ligjit, pavarësisht zhurmës që shkaktoi në media dhe në shoqëri dërgon një mesazh të qartë për shoqërinë se barazia gjinore është e domosdoshme dhe se ajo nuk është privilegj, por një e drejtë themelore për të gjithë.
Megjithatë, deri më tani, pak njerëz kanë trajtuar çështjen nëse ligji mund të funksionojë realisht në praktikë dhe faktin se kjo varet jo vetëm nga dispozitat dhe instrumentet ligjore, por edhe nga mënyra se si shoqëria e percepton dhe e kupton atë.
Teknologjia e re na ka sjellë mjete të shpejta komunikimi, si edhe qasje më të gjerë në informacion. Fatkeqësisht, ajo ka sjellë edhe sfida të panjohura më parë. Sot njerëzit mund të përhapin informacione të rreme me një shpejtësi të jashtëzakonshme; ata mund të manipulojnë qëllimisht faktet ose t’i nxjerrin ato jashtë kontekstit, dhe të përdorin median online, faqet e internetit dhe rrjetet sociale për t’i shpërndarë këto manipulime te një audiencë e gjerë.
Ka patur një valë të gjerë dezinformimi rreth ligjit për barazinë gjinore dhe kjo po shtrembëron perceptimin e shoqërisë për legjislacionin – dhe mbi rëndësinë e vetë barazisë gjinore.
Një shembull i dukshëm është sasia e lajmeve që qarkullojnë online, të cilat e paraqesin ligjin si një instrument që do të sjellë gjini krejtësisht të reja – shtatë ose 72 gjini, në varësi të personit që përhapte keqinformimin dhe sa shumë ai dëshironte ta ekzagjeronte atë. Është përhapur gjithashtu dezinformim se ligji do të ndryshojë rolet gjinore apo madje do të rregullojë emocionet njerëzore – pa asnjë bazë në përmbajtjen e vërtetë të legjislacionit.
E gjithë kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në opinionin publik, veçanërisht midis njerëzve që nuk kanë akses të mjaftueshëm në informacion të saktë. Manipulimi i perceptimeve të ligjit shkakton paragjykime publike, frikë dhe rezistencë.
Kjo është arsyeja pse edukimi mediatik dhe edukimi publik në përgjithësi është kaq urgjentisht i rëndësishëm. Shoqëria ka nevojë dhe duhet të mësojë të bëjë dallimin midis dezinformimit dhe informacionit të saktë, si dhe të kuptojë motivet që fshihen pas tyre.
Informacioni i manipuluar shpesh përdoret nga grupe të caktuara për të ndikuar në opinionin publik përmes përdorimit të termave të tillë si “shkatërrimi i familjes”, “vlerat dhe traditat morale dhe kombëtare” – narrativa që përdoren në të gjithë botën me të njëjtin qëllim: të mbrojnë ose të forcojnë interesa të caktuara politike dhe ekonomike dhe grupe të privilegjuara.
Pa këtë lloj edukimi, veçanërisht edukimin mediatik, njerëzit do të mbeten të pambrojtur ndaj përmbajtjeve të manipuluara që përforcojnë stereotipet gjinore dhe pabarazinë. Ne e kemi parë tashmë këtë lloj dezinformimi të zhurmshëm rreth shprehjes “stereotipe gjinore”, edhe pse koncepti është shpjeguar gjerësisht në Shqipëri që nga fillimi i viteve 1990 përmes ndërgjegjësimit, fushatave edukative dhe trajnimeve të organizuara nga grupet e grave dhe organizatat për të drejtat e njeriut.
Krijimi i një kulture respekti dhe drejtësie
Ligji për Barazinë Gjinore synon jo vetëm zbatimin e barazisë në organet e zgjedhura dhe në vendin e punës, por edhe krijimin e një kulture respekti dhe drejtësie. Megjithatë, ky aspekt i legjislacionit është manipuluar nga grupe që e kundërshtojnë atë, duke pretenduar se kjo do të thotë se transeksualët dhe njerëzit me identitete të ndryshme gjinore mund të ngrihen e të kërkojnë më shumë të drejta.
Megjithatë, ajo që është vërtet e saktë është se përdorimi i gjuhës me ndjeshmëri gjinore në dokumentet zyrtare, media dhe institucionet publike ndihmon në sfidimin e stereotipeve dhe paragjykimeve gjinore. Po kështu, edukimi për barazinë gjinore në shkolla dhe arsimin profesional synon t’u japë brezave të rinj një kuptim të qartë të barazisë dhe respektit për të drejtat e të tjerëve.
Në epokën ku jetojmë, ku inteligjenca artificiale mund të krijojë lehtësisht përmbajtje manipuluese që përhapet në media online dhe rrjete sociale, rreziku që njerëzit të bien pre e dezinformimit është i madh. Gjithçka që ndodhi dhe po ndodh rreth miratimit parlamentar të ligjit të ri e vërtetoi këtë.
Titujt bombastikë dhe alarmues të publikuar nga disa faqe interneti, që nuk kishin asnjë lidhje me përmbajtjen reale të ligjit, janë një shembull se si informacioni i rremë mund të përhapet. Lajmet e rreme qarkullojnë me shpejtësi në internet, dhe kjo e bën shumë të vështirë për përdoruesit e rrjeteve sociale të dallojnë të vërtetën nga përmbajtja e manipuluar.
Pikërisht për këtë arsye, edukimi mediatik dhe ai ligjor janë thelbësorë. Qytetarët duhet të mësojnë si të verifikojnë informacionin, të kuptojnë kush qëndron pas mesazheve alarmuese që shohin, dhe pse, si edhe të mësojnë të jenë skeptikë ndaj lajmeve që marrin.
Në të njëjtën mënyrë, media ka urgjentisht nevojë të mbrojë etikën dhe standardet e gazetarisë së saktë dhe të vërtetë, duke shmangur kulturën e “zgjidhjeve të shpejta” dhe dezinformimit.
Nuk duhet nënvlerësuar ndikimi i grupeve dhe individëve që përhapin informacion të rremë. Nevojiten ndërgjegjësim dhe angazhim qytetar, sepse ekziston rreziku që paragjykimet të forcohen mes rezistencës ndaj ndryshimeve që sjell ligji.
Megjithatë, ligji i ri nuk është thjesht një akt ligjor, por një mekanizëm nga i cili shoqëria do të përfitojë realisht. Shoqëria duhet të kuptojë se barazia gjinore nuk është një ideologji, por një e drejtë themelore e njeriut, e mbrojtur nga kushtetuta e vendit, dhe që Shqipëria është e detyruar ta zbatojë në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare që ka nënshkruar.
Ligji i ri nuk krijon gjini të reja, nuk ndryshon biologjinë njerëzore dhe nuk ndërhyn në jetën familjare. Ai thjesht forcon të drejtat e grave dhe burrave dhe mbron çdo grup shoqëror nga diskriminimi, duke kërkuar që institucionet publike dhe private të zbatojnë parimet e barazisë.
Ligjet në Shqipëri janë përgjithësisht të mirëhartuar, por shpesh përballemi me faktin se zbatimi i tyre i plotë në praktikë është i rrallë. Kemi parë se zbatimi i tyre i drejtë është një proces i vështirë, pothuajse i pamundur për t’u arritur.
Prandaj, gjithë kjo zhurmë online rreth ligjit të ri nuk duhet të jetë në qendër të diskutimit. Përkundrazi, të gjithë ne si shoqëri duhet të ngremë zërin, të angazhohemi dhe të kërkojmë që legjislacioni të zbatohet dhe që të drejtat e njeriut të bëhen pjesë e jetës sonë të përditshme dhe të mos cenohen.
Nuk ka kuptim të bëhen diskutime të pafundme për të drejta që duhet të ishin tashmë të garantuara. E gjithë kjo energji duhet të përqendrohet te llogaridhënia, monitorimi, ofrimi i informacionit dhe krijimi i nismave konkrete për të garantuar që ligjet të mos mbeten vetëm në Fletoren Zyrtare, por të funksionojnë për ne në jetën reale.
Ines Xhelili është drejtoreshë ekzekutive e Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN).







