
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të mërkurën më 12 nëntor të deklarojë të pafajshëm dy zyrtarët e Ministrisë së Turizmit e Mjedisit, Ilir Nishani e Genci Hicka, të akuzuar nga SPAK se së bashku me kolegun e tyre, Gerson Tafa, morën ryshfet në këmbim të mosvendosjes së një gjobe një klinike private për mbetjet spitalore.
Ndërkohë, Tafa është gjetur fajtor për korrupsion pasiv dhe është dënuar me dy vjet burgim, por masa penalizuese është pezulluar dhe është vendosur në shërbim prove për 24 muaj. Po ashtu, është caktuar dhe dënimi plotësues për heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë pesëvjeçare.
SPAK pretendoi se, në vitin 2020, të pandehurit kishin marrë një shumë 30 mijë lekë për të shmangur një klinikë private nga gjoba lidhur me mbetjet spitalore. Por, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Flojera Davishi e Elsa Ulliri, gjetën përgjegjës vetëm të pandehurin Tafa.







