
Drejtuesi i SPAK kërkoi të enjten më 13 nëntor shkarkimin e prokurorit të Shkodrës, Agron Bushati për cënim të besimit të publikut, lidhur me qëndrimet në dy çështje të hetuara prej tij dhe për një video ku ai shfaqet me armë të ftohta, prova të sekuestruara të prokurorisë ku ushtronte funksionin. Ndërsa subjekti dhe përfaqësuesja e tij ligjore, avokatja Romina Zano i kundërshtuan shkaqet e ankimit, duke argumentuar se nuk mund të arrihet në konkluzionin e shkarkimit për cënim të besimit të publikut vetëm për një kriter, kur shkeljet e konstatuara nuk janë të rënda.
Prokurori Klodian Braho, që përfaqëson drejtuesin e SPAK, Altin Dumani në këtë çështje, u shpreh se u qëndronin parashtrimeve lidhur me shkeljet e subjektit në hetimin e një procedimi penal të vitit 2003, për të cilat Prokurori i Përgjithshëm i atëhershëm ka vendosur masën disiplinore, “Zbritje në detyrën e oficerit të policisë gjyqësore për një periudhë prej 1 (një) viti”.
Sipas Brahos, nisur nga fakti se për këto shkelje është marrë një masë disiplinore, çmohen si rrethanë rënduese.
Në vijim, prokurori Klodian Braho paraqiti qëndrimin përfundimtar lidhur me denoncimin e një qytetari pranë Komisionit, i cili është ankuar ndaj subvjekti se ka humbur fashikullin e një procedimi penal të vitit 2002, që ka pasur objekt hetimin e një kanosjeje. Braho tha se nuk qëndrojnë pretendimet e subjektit se nuk ka nënshkruar në regjistër për marrjen në dorëzim të një kallëzimi penal, çështje për të cilën konstatohet se Bushati nuk ka kryer veprimet që e detyronte Kodi i Procedurës Penale. Sipas Brahos, nga aktet e administruara vërtetohet se ky kallzim është përcjellë në Prokurorinë e Shkodrës dhe është marrë në dorëzim, përkundrejt nënshkrimit, nga prokurori Agron Bushati. Po ashtu, Braho vërejti se subjekti nuk e ka regjistruar njoftimin e veprës penale.
Në përfundim, Braho u shpreh se vlerësohet se shkelja e konstatuar në mosveprimin e subjektit të rivlerësimit, është e tillë që kualifikohet në ato që cenojnë besimin e publikut te drejtësia.
Problemi tjetër që ngrihet në shkaqet e ankimit ka të bëjë me një video të depozituar në Komision para seancës dëgjimore të subjektit, ku pretendohet se ky i fundit, nën kërcënimin e armëve të ftohta, ka kërcënuar e kanosur qytetarin në mes të qytetit shoqëruar me një video. Brabo tha se, pretendimi i subjektit të rivlerësimit për ta vlerësuar videon si brenda kufijve të intimitetit familjar nuk i përgjigjet rrethanave faktike të dala nga hetimi administrativ në Komision dhe gjatë debatit gjyqësor në Kolegj, pasi videoja ka prodhuar efekte përsa kohë, siç thotë dhe vetë Bushati, ai e ka ndarë privatisht mes kolegësh
Sipas Brahos, pavarësisht rrethanave të realizimit të kësaj video, duhet të mbahet në konsideratë edhe fakti që sendet e përdorura kanë qënë prova materiale dhe janë marrë nga vëndi i ruajtjes së tyre në Prokurorinë Shkodër. Duke sjellë në vëmendje se provat materiale kanë një regjim të posaçëm për ruajtjen, administrimin dhe lëvizjen e tyre, Braho e cilësoi sjelljen e subjektit të një shkalle që cënon, si sjelljen jashtëgjyqësore të magjistratit edhe atë që lidhet me respektimin e normave që kanë për objekt sendet e ruajtura në dhomën e provave. Kjo, pavarësisht statusit të provave, nëse i përkasin një procedimi penal në hetim, në gjykim apo të përfunduar.
Ai kërkoi që kjo sjellje e subjektit të mos vlerësohet vetëm si shkelje jashtëgjyqësore, por edhe në ushtrimin e funksionit, pasi subjekti nuk duhej të nxirrte prova materiale jashtë vendit të ruajtjes së tyre.
Edhe në këtë rast, drejtuesi i SPAK çmon se shkelja është e tillë, që kualifikohet në ato që cënojnë besimin e publikut tek drejtësia.
Në përfundim, u kërkua ndryshimi i vendimit të Komisionit dhe shkarkimi nga detyra i prokurorit Agron Bushati.
Përfaqësuesja ligjore e Bushatit, avokatja Romina Zano konstatoi se kërkimi përfundimtar i drejtuesit të SPAK bie në kundërshtim me praktikën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Ajo argumentoi se cënimi i besimit të publikut tek drejtësia vetëm në një kriter, mund të konkludohet vetëm në rastet kur shkaqet janë shumë të rënda. Ajo vërejti se nuk u krye asnjë analizë për dy kriteret e tjerë të rivlerësimit, atë të pasurisë dhe pastërtisë së figurës, në të cilët subjekti ka marrë vlerësim pozitiv.
Zano shtoi se cënimit i besimit të publikut konstatohet në vlerësimin tërësor dhe ritheksoi se kërkimi përfundimtar për shkarkim mbetet i pambështetur.
Lidhur me çështjet e parë të trajtuar në ankim, Zano solli në vëmendje të Kolegjit faktin se Bushati e ka marrë më parë një masë disiplinore dhe se nuk rezulton të ketë sjellje të përsëritur si ai rast.
Lidhur me denoncimin ku pretendohet humbja e fashikullit, Zano konstatoi se nga verifikimet e gjithë akteve e rrethanave, nuk rezulton që të ketë ndonjë konkluzion për veprime të kundërligjshme të kryera nga ana e subjektit. Për gjetjet, ajo theksoi se nuk mund të kuaklifikohen si të mjaftuehsme për cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.
Lidhur me regjistrimin e videos, Zano deklaroi se është kryer në një ambjent tërësisht privat, siç është automjeti i subjektit. Në vijim, ajo solli në vëmendje praktikën e zhvilluar në sistemin e drejtësisë amerikane, lidhur me mënyrën e trajtimit të shkeljeve disiplinore. Për një gjyqtare amerikane, për të cilën janë konstatuar sjellje të parregullta në rrjetet sociale është dhënë masë rregulluese, sipas Zanos. Ndërsa për një tjetër gjyqtar, që ka përdorur në një ambjent jashtë gjykatës pelerinën dhe ka shprehur fjalë jashtë etikës, i është dhënë masë disiplinore për heqjen e pagesës për një periudhë kohe, por jo shkarkim.
Zano nënvizoi se nga verifikimi i karrierës 30-vjeçare të subjektit, rezulton se nuk ka sjellje të tilla të përsëritura.
Prokurori Bushati deklaroi se pas 32 vite që mban funksione në sistemin e drejtësisë, vijon të jetojë në shtëpi me qira. Ai vërejti se e ushtron detyrën në qytetin ku ka lindur dhe është rritur, por megjithatë nuk rezulton të ketë krijuar ndonjë kontakt të papërshtatshëm. “Nuk mund të parashikoja se do kishte veting, por nuk kam pasur kontakte të papërshtatshme pasi është në ADN-në e familjes time të jemi të tillë”, deklaroi Bushati dhe shtoi se ka kërkuar burgime të përjetshme.
Për videon, Bushati sqaroi se është servirur pranë Komisionit vetëm 12 orë para seancës. Ai pohoi se e kishte ndarë vetëm me tre kolegë prokurorë. “Kur kjo m,arrëdhënie kompromentohet ga kolegët, tregon atë që kam shprehur dhe më parë, ‘se lufta më e ashpër është brenda llojit.
Lidhur me shkakun e ankimit për nënshkrimin e dosjes së humbur, subjekti deklaroi se në atë periudhë ka qenë në Pukë pasi vuante masën disiplinore, e se nuk ka pasur mundësi ta kishte nënshkruar. Bushati u shpreh se sim und ti thoshte bashkëshortes dhe tre fëmijëve, se ishte shkarkuar për një gabim të vitit 2002.
Në përfundim, subjekti dhe avokatja Zano kërkuan lënien në fuqi të konfirmimit. KPA njoftoi se vendimi do të shpallet me datë 25 nëntor, në orën 10:00.







