I Nderuar Botues,
U njoha me ‘studimin’ nga Qëndresa Qytetare, plot bujë edhe në median pamore dhe të shkruar. Nuk mund të kundërshtoj se shqetësimet e ngritura janë pa vend. Përkundrazi, në një vend ku gëlon korrupsioni në gjithë ngjyrat e tij, nuk mund të mbeten jashtë edhe universitetet. Por kjo është për të gjitha universitetet në vend, publike dhe private. Mendoj që edhe vetë ky ‘studim’ është pjesë e këtij korrupsioni. ‘Studimi’ merr në shqyrtim vetëm 8 universitete publike, duke lënë në hije pjesën tjetër, 24 universitete private dhe 10 universitet të tjera publike që sot janë aktivë në vend.
Kjo mënyrë është tepër e paanshme, dhe klienteliste, ndëshkon imazhin, largon studentët nga ky grupim universitetesh, drejt institucioneve të tjera, sidomos drejt atyre private, që deri sot duket se nuk kanë asnjë cen sipas studimeve të Qëndresës. Mendo se çfarë ndikimi ka një ‘studim’ i tillë për gjithë atë masë studentësh që kanë zgjedhur të studiojnë në këta universiteteve. Pa folur që një pjesë e mirë e stafit akademik të këtyre universiteteve thellësisht të ‘korruptuara’ japin mësim në gjithë pjesën tjetër të universiteteve ‘shembullore’ që Qëndresa nuk i ka përmendur kurrë në gjithë historinë e saj.
Edhe vetë pyetjet janë gjithashtu klienteliste që mbështeten ndër të tjera në perceptime tepër subjektive në favor të qëllimit që thashë më sipër. Pyetjet janë të tilla që nënkuptohet menjëherë se cila do jetë përgjigja, aspak profesionale, por gjithmonë në funksion të pluhurosjes, zhurmimit, dhe tërthorazi edhe të zhvlerësimit të diplomave që lëshohen, ose janë lëshuar nga këta institucione të vendosura nën shënjestër. Edhe vetë hartuesit e pyetësorit nga Qëndresa mendoj se bëjnë autogol nëse kanë një diplomë nga këto universitete.
Ritheksoj se nuk e kam ndaj shqetësimeve për universitetet tona, por për paanesinë e qasjes dhe profesionalizmin. Shumëkush prej stafit akademik që punon me përkushtim ndjehet shumë i fyer për mënyrën e qasje në gjithë këta vites. Kushdo të ishte do ndjehej i tillë! Ajo që nuk kuptohet është dialektika Shkak-Pasojë që qeveris gjithë Universin, përfshirë dhe arsimin tonë të lartë. Patologjia e shoqërisë sot është të merret me pasojën dhe jo me shkakun. Kjo bëhet padashje ose dhe me qëllim!!! Është shumë lehtë tëe merresh me viktimën, por kjo nuk është zgjidhja, nuk bëhet pa gjetur shkakun, pa e luftuar madje shumë fort atë. Përsëris se, jo një pjesë e vogël, por i gjithë sistemi i AL është në udhëkryq!!!
Me këtë rast dua ta ftoj Qëndresën dhe gjithë ndjekësit të kujdesen më shumë për dylbitë që përdorin ndaj shqetësimeve në vend. Kjo nuk bëhet asnjëherë me propagandë klienteliste, zhurmim zërash paragjykues, në favor të konkurrencës mes universiteteve. Për shkollën e lartë dhe gjithë arsimin në përgjithësi nevojitet shumë vizion dhe politikë-bërje e shëndoshë. Qëndresa nëse ka burrëri duhet të këmbëngulë drejt politikë-bërjes, qeverisë dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin: në reformën ligjore dhe aktet e tjera; në sistemin publik-privat; në cilësinë joformale të akreditimit të IAL-ve dhe programeve përkatëse; në zbutjen e frymës student-klient; në koston reale të shkollimit në IAL dhe tarifat përkatëse; në rekrutim të paanshëm dhe motivim më të mirë të personelit mësimor-shkencor; në shpërndarjen e drejtë të kuotave sipas programeve në përparësi dhe jo sipas kërkesave joshëse të IAL-ve, në reformën zgjedhore në IAL-të publike etj.
Me respekt,
Prof. Aleko Miho, Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. e-mail: [email protected]







