
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të premten më 5 dhjetor, pas një procesi me gjykim të shkurtuar që zgjati mbi 5 vjet e gjysmë, të shpallë vendimin në ngarkim të të pandehurve Florian Habilaj, Armando Sulaj, Sabaudin Çelaj dhe Tigrens Mëzuraj, të akuzuar si pjesë e organizatës së trafikut të drogës të drejtuar nga Moisi Habilaj, duke i deklaruar ata fajtorë.
Për shkak të lidhjeve me vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj, ish-Prokuroria për Krime të Rënda e akuzoi ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për trafik droge, por gjykata e dënoi për shpërdorim detyre.
Dosja penale për gjykimin në në themel të çëshjtes në ngarkim të të pandehurve Florian Habilaj, Armando Sulaj, Sabaudin Çelaj dhe Tigrens Mëzuraj është regjistruar më 11 maj të vitit 2020, ndërsa seanca e parë është arritur të realizohet më datë 22 korrik. Megjithëse të pandehurit pranuan gjykimin e shkurtuar, në gjendjen e akteve hetimore të dorëzuara nga prokuroria prej nga nuk nevojitet hetimi gjyqësor, u deshën mbi 5 vjet e gjysmë që procesi të përmbyllej.
Florian Habilaj u dënua me 15 vjet burgim për trafik narkotikësh e grup të strukturuar kriminal, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 10 vjet heqje lirie. Po aq u dënua dhe i pandehuri Sabaudin Çelaj, ndërsa Armando Sulaj dhe Tigrens Mëzuraj me nga 9 vjet burg secili, ku si pasojë e uljes së 1/3-ës së dënimit nga gjykimi i shkurtuar mbetet nga 6 vjet.
Habilajt bënë bujë në arenën politike shqiptare në tetor 2017, pasi policia italiane mbylli një operacion katërvjeccar përgjimi me arrestimin e një dyzine personash të dyshuar, shqiptarë dhe italianë dhe i akuzoi ata për trafikimin e tonelatave marijuanë nga Shqipëria për në Itali.
Dokumentet gjyqësore italiane, të cilat u publikuan fillimisht nga Partia Demokratike në opozitë në Shqipëri, shkaktuan tronditje të madhe politike për shkak të diskutimeve të trafikantëve mbi jetën politike në Shqipëri, përfshirë lidhjet që kishin me ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili u dënua për këtë çështje për shpërdorim detyre.
Rasti i Habilajve rëndoi mbi qeverinë shqiptare, e cila u akuzua në mënyrë të përsëritur lejoi dhe ndihmoi kultivimin e kanabisit në vitet 2015 e më pas, duke e kthyer Shqipërinë në një narkoshtet.







