
Shtetet e Bashkuara tani e kanë nxjerrë Nicolás Maduro-n nga Venezuela dhe e kanë ndaluar atë në Nju-Jork, me presidentin Donald Trump që pretendon se vendin “do ta drejtojë” SHBA-ja. Sado tronditëse të jetë, asgjë në këtë katastrofë nuk është e re: ajo kujton katër precedentë që mund të na ndihmojnë të shohim elemente të së tashmes që përndryshe mund të mbulohen nga propaganda ose emocioni.
Si fillim, ekziston historia e gjatë e ndërhyrjes së SHBA-së në Amerikën Latine, e bazuar në një të drejtë të nënkuptuar, ndonëse të vetëshpallur, për të zgjedhur udhëheqësit e rajonit. Gjatë Luftës së Ftohtë, vendosja e një udhëheqësi ose qeverie të miratuar nga zyrtarët amerikanë zakonisht maskohej si një kryqëzatë pro-demokraci, me logjikën se motivimi kryesor i Amerikës ishte të ndalonte komunizmin, i cili konsiderohej anti-demokratik.
Këtë herë, nuk ka asnjë pretendim se qëllimi pas kësaj është demokracia. Maduro dhe aleatët e tij vodhën zgjedhjet presidenciale të Venezuelës në vitin 2024. Por, në vend që ta ndëshkojë për këtë krim shumë real, administrata Trump preferon akuzën thelbësisht fiktive të “narko-terrorizmit”. Dhe, ndonëse Venezuela ka një president të zgjedhur në mënyrë legjitime, Edmundo González, nuk ka asnjë shenjë se ai, apo opozita në përgjithësi, përfshihen në planet e administratës amerikane.
Merrni parasysh se pas kapjes së Maduro-s, Trump e quajti udhëheqësen e guximshme të opozitës dhe fituesen e Çmimit Nobel për Paqe 2025, María Corina Machado, një “grua të mirë” që i mungon mbështetja dhe respekti në Venezuelë. Duke pasur parasysh këtë, ia vlen të rishqyrtohet nxjerrja e mbështetur nga SHBA-ja muajin e kaluar e Machado-s, e cila kishte jetuar e fshehur në Venezuelë që nga zgjedhjet e vitit 2024. Në atë kohë, shumë menduan se administrata Trump po e ndihmonte atë të merrte pjesë në ceremoninë e Nobelit në Oslo. Tani kjo ngjan shumë më tepër si një përpjekje për të neutralizuar një politikane popullore dhe për të hapur rrugën për një formë imperializmi amerikan të drejtuar kundër venezuelasve.
Por ky projekt imperialist është edhe më keq i konceptuar se shumica. Trump duket se po u ofron naftën e Venezuelës firmave amerikane të energjisë (ngjashëm me mënyrën se si administratat e kaluara amerikane zgjidhnin udhëheqës në Amerikën Latine që mbështesnin interesat e biznesit amerikan), duke e shpjeguar të gjithë operacionin në terma të parave që do të mund të fitoheshin. Por ka pak fitim nga nafta venezuelase në planin afatshkurtër; shfrytëzimi i potencialit të saj do të kërkonte investime të mëdha afatgjata – të cilat nga ana tjetër varen nga stabiliteti politik.
Një precedent tjetër i dukshëm është pushtimi i Irakut në vitin 2003, një pikë kthese për fuqinë amerikane. Pushtimi u mbështet në idenë se mposhtja e një ushtrie, rrëzimi i një sundimtari të keq dhe shpërbërja e institucioneve të komprometuara do të mjaftonin për të krijuar kushtet për një qeveri më të mirë dhe më demokratike. Si rezultat, administrata e presidentit George Ë. Bush pothuajse nuk e planifikoi aspak për të ardhmen politike të vendit, dhe pushtuesit amerikanë u detyruan të bashkëpunonin me njerëzit që pretendonin se i kishin përmbysur. Deri në fund të pushtimit amerikan të vendit, qindra mijëra irakianë dhe rreth 4,500 amerikanë ishin vrarë, ndërsa besueshmëria e SHBA-së ishte shkatërruar.
Në rastin e Venezuelës, ekziston një besim i ngjashëm se thjesht largimi i një diktatori do të sjellë rezultatin e dëshiruar. Por ushtria venezuelase nuk është mposhtur dhe qeveria e Maduro-s mbetet në pushtet. Nëse administrata Trump ka ndonjë strategji, ajo duket se mbështetet në idenë që nënpresidentja venezuelase Delcy Rodríguez të shërbejë si figurë drejtuese në emër të amerikanëve, ndonëse legjitimiteti i saj nuk rritet aspak kur mbështetet nga dhuna e SHBA-së. Nga ana e saj, Rodríguez e ka cilësuar kapjen e Maduro-s si të paligjshme dhe ka deklaruar se ajo kishte “ngjyrim sionist”.Top of Form
Precedenti i tretë është më i afërt në kohë: pushtimi rus i Ukrainës. Ishte tronditëse të dëgjoje Trump-in ta përshkruante kapjen e Maduro-s si një “operacion ushtarak të jashtëzakonshëm”, sepse presidenti rus Vladimir Putin përdori një gjuhë të ngjashme në fjalimin e tij me të cilin shpalli pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Putini e shfrytëzoi qëllimisht dhe e përqeshi të drejtën ndërkombëtare, duke pretenduar se agresioni rus justifikohej nga Karta e Kombeve të Bashkuara. Rusia ka punuar fort për të krijuar një botë ku çdo shtet e trajton Kartën e OKB-së si shaka, ndaj fakti që administrata Trump nuk bëri asnjë përpjekje për t’i justifikuar veprimet e saj në Venezuelë në terma të së drejtës ndërkombëtare përbën një fitore për Kremlinin, edhe nëse ai nuk është i kënaqur me këtë rast të veçantë.
Vlen të theksohet se ndërhyrja amerikane, ndonëse qartësisht një akt lufte, duket se ka qenë një plan afatgjatë i CIA-s, i zbatuar me mbështetjen e ushtrisë amerikane. Portretizimi që Trump i bën këtij operacioni të inteligjencës si “një sulm siç nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore” është absurd. Kjo gjithashtu na çon te precedenti i fundit: luftërat që legjitimuan regjimet fashiste përpara se të mposhteshin në vitin 1945.
Fashistët në Gjermani, Itali dhe Rumani i justifikuan diktaturat e tyre me argumentin se kundërshtarët politikë vepronin në shërbim të armiqve të huaj dhe komplotuesve ndërkombëtare. Për më tepër, këto regjime zhvilluan luftëra për të bashkuar armikun e jashtëm me atë të brendshëm – ishte shumë më e lehtë të shtypeshin disidentët e brendshëm kur popullsia ishte në luftë.
Duke e akuzuar Maduro-n për vepra penale të lidhura me drogën, në vend që për krime më serioze (dhe shumë më të lehta për t’u provuar) si vrasjet jashtëgjyqësore dhe torturat, administrata Trump po bashkon armikun e jashtëm me atë të brendshëm. Meqenëse tregtia e drogës përfshin aktorë të huaj dhe vendas, Trump mund të ndërtojë një narrativë sipas së cilës kundërshtarët e tij politikë janë vegla të një komploti ndërkombëtar. Një “luftë kundër drogës” në stilin Trumpian mund të përdoret për të krijuar një aparat më të madh sigurie të brendshme, ashtu siç paniku ndaj emigrantëve ka çuar në një zgjerim masiv të ICE-it (Shërbimi i Imigracionit dhe Doganave).
Trump dëshiron përfitimet politike të luftimit të një lufte pa pasur nevojë të luftojë realisht një të tillë. Sipas versionit të tij, ushtria amerikane bëri magji në Venezuelë dhe historia mbaron aty.
Por, ndërsa Putin e kupton se fashizmi kërkon luftë të vërtetë, Trump duket i pavullnetshëm ose i paaftë të shkojë kaq larg, jo më pak sepse ai është i dobët në frontin e brendshëm. Amerikanët mund të ndërmarrin veprime për të parandaluar që “operacioni ushtarak i jashtëzakonshëm” i Trump-it – i cili ka të bëjë më shumë me ndryshimin e regjimit në SHBA sesa në Venezuelë – të përshpejtojë rrëshqitjen e vendit të tyre drejt autoritarizmit, për sa kohë që ata e kuptojnë logjikën e brendshme politike që qëndron pas ndërhyrjes së jashtme të Trump-it.Bottom of Form
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Precedents to Trump’s Venezuela Operation







