
Inspektori i Lartë i Drejtësisë njoftoi të premten më 9 janar përfundimin e verifikimeve lidhur me rastin e arrestimit të avokatit Ulian Bajrami në sallën e gjyqit, pas debateve mes tij dhe prokurorit Gjergj Ceka. Ndalimi i debatueshëm i Bajramit në sallën e gjyqit në tetor të vitit të kaluar u pasua me reagime dhe protesta të avokatëve në të gjithë vendin. ILD filloi verifikimin, prej nga konkludoi vetëm shkelje etike të prokurorit Gjergj Caka, që janë konsideruar të pamjaftueshme për të kërkuar fillimin e procedimit disiplinor ndaj tij.
ILD sqaron se, në kuadër të verifikimit të këtij rasti, ka administruar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kopje të procesverbalit të seancës gjyqësore, ku kanë qenë të pranishëm 14 persona, për të cilët do të vleftësohej ligjshmëria e arrestimit në flagrancë dhe do të caktohej masa e sigurimit personal ndaj një të hetuari.
Sipas ILD-së, debati ndërmjet avokatit dhe prokurorit me pyetje, përgjigje dhe ndërhyrje të shpeshta të ndërsjellta ndërmjet tyre, ka nisur pas pyetjes së personit nën hetim M. L., i cili mbrohej nga Bajrami. Në njoftim konstatohet se debati ka pasur në fokus shprehjet kërcënuese me jetë nga personi nën hetim ndaj punonjësve të policisë. Po ashtu, ka rezultuar se debat është zhvilluar edhe ndërmjet avokatit dhe gjyqtares së çështjes, për të sqaruar kontekstin e përdorimit të këtyre shprehjeve.
“Debati përmbante qëndrime nga avokati, se do të merrej personalisht me prokurorin e të gjithë oficerët e policisë dhe kundërpërgjigjen e prokurorit, se avokati do arrestohej për këto deklarime. Rezulton që gjyqtarja t’i ketë tërhequr vëmendjen avokatit dhe prokurorit lidhur me etikën në sjellje ndaj njëri-tjetrit e për t’u fokusuar tek faktet, duke nënvizuar se janë ato që bindin gjykatën”, sqaron ILD.
Në vijim, ILD konstaton se prokurori nuk është vetëpërmbajtur dhe ka shkelur rregullat e solemnitetit dhe etikën në komunikim. “Marrja e fjalës disa herë në seancë pa lejen e gjykatës, pavarësisht se është formë reagimi e nxitur nga thëniet dhe shprehjet e avokatit, nuk ka qenë në nivelin më të lartë të standardeve etike. Standardet etike nuk zbatohen vetëm gjatë përmbushjes së detyrave e respektimit të ligjit si çdo person tjetër, por edhe duke u sjellë me integritet, ndershmëri, vetëpërmbajtje dhe diskrecion, si gjatë dhe jashtë ushtrimit të detyrës”, vlerëson ILD.
Sipas ILD, nga komunikimi i Cekës nuk ka ardhur ndonjë pasojë konkrete në lidhje me ushtrimin e funksionit të prokurorit. Po ashtu, konsiderohet roli i tij si magjistrat, si dhe fakti se kjo sjellje është e izoluar pasi ka ndodhur vetëm një herë, si dhe nuk ka krijuar terren për sjellje të papërshtatshme edhe në rastet të tjera të ngjashme. Tjetër rrethanë që ka konsideruar ILD është dhe fakti se prokurori ka një vjetërsi në detyrë prej 5 vitesh, që vlerësohet e relativisht e shkurtër.
Në konsideratë është mbajtur dhe fakti se shkaku i nisjes së debatit dhe fokusi i tij kanë qenë shprehjet e përdorura ndaj policisë nga personi nën hetim në momentin e kapjes në flagrancë, si dhe se nga ana e mbrojtësit janë ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj Cekës, në lidhje me një prej provave, e pretenduar si e falsifikuar. Tjetër rrethanë që vlerëson ILD është dhe situata e rëndë e funksionarëve të drejtësisë në atë periudhë, për arsye të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, në një prej sallave të gjyqit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Megjithatë, ILD vlerëson se, paraprakisht, nuk konstatohen elementë juridikë apo faktikë, të cilët i krijojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj prokurorit Gjergji Ceka. Për këtë arsye, është vendosur të arkivohet formacioni i bërë publik në media lidhur me pretendimet e ngritura për shkelje etike.
Ndësa konstatimet për shkeljen e rregullave të etikës nga prokurori Gjergji Ceka është vlerësuar ti referohen Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për t’u marrë në konsideratë në vlerësimin etik-profesional për këtë magjistrat.
Për gjyqtaren Megi Strakosha, nuk është konstatuar të ketë shkelur rregullat e solemnitetit, rregullat e sjelljes në marrëdhënie me palët apo rregullat e etikës. “Rezulton që gjyqtarja t’u ketë tërhequr vëmendjen, si prokurorit ashtu edhe avokatit të palës, rezulton të ketë kërkuar sqarim të situatës, si nga avokati edhe nga prokurori, si dhe rezulton të ketë vepruar në përputhje me parashikimet e nenit 341 i K. Pr. Penale”, citohet në njoftim.







