
Reni* e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së saj në kujdesin shtetëror. Dhe rruga e saj nga një shtëpi fëmijësh në Hungari drejt një shtëpie publike në Austri është, në shumë aspekte, një histori tepër e njohur se si shumë të mitur hungarezë përfundojnë duke kaluar nga kujdesi rezidencial në prostitucion.
“Të dy, nëna jonë dhe njerku, pinin alkool; kishte grindje të vazhdueshme, ndaj mua dhe motrën time na nxorën nga shtëpia”, thotë Reni. “Për një periudhë kohe më lejuan të kthehesha, por kur babai im biologjik mori vesh se njerku më kishte thithur në qafë, ai bëri një kallëzim dhe unë u dërgova sërish në shtëpinë e fëmijës.
Reni ishte 11 vjeçe kur një burrë filloi të bisedonte me të dhe dy vajza të tjera në Facebook. Të tria jetonin në atë kohë në një shtëpi të vogël fëmijësh rurale në Hungarinë perëndimore.
“Ky burrë e dinte që ne ishim nga një shtëpi fëmijësh. Ai u përpoq të na joshte të shkonim në apartamentin e tij – fatmirësisht, asnjëra prej nesh nuk shkoi”, thotë Reni, tani në të njëzetat. “Bisedonim në bibliotekë dhe aty një i rritur – bibliotekari ose një kujdestar, nuk e mbaj mend – i pa mesazhet dhe e raportoi si rast.”
Reni dhe dy vajzat e tjera u morën në pyetje në gjykatë si dëshmitare.
“Në gjykatë e njoha burrin me të cilin kishim biseduar dhe gjithashtu një burrë tjetër që ishte kujdestari ynë (një lloj mentori që punonte vullnetarisht në shtëpinë rezidenciale) në atë kohë”, thotë ajo. “Ai na blinte dhurata, na çonte në vende të ndryshme, organizonte programe. Me gjasë ua tregoi profilet tona burrit që donte të na joshte.”
Reni thotë se nuk e di se si përfundoi çështja kundër këtyre burrave.
Përvoja e Renit është vetëm një nga gati njëqind përgjigje që Atlatszo mori nga persona që kanë kaluar kohë në kujdesin shtetëror në Hungari, të mbledhura duke përdorur mjetin Engaged Citizen Reporting (ECR) të BIRN – një platformë e sigurt online që lidh mediat me audiencat e tyre për të raportuar në mënyrë të sigurt probleme dhe për të dorëzuar prova. Projekti i Atlatszo-s u nis pasi dolën në dritë një sërë skandalesh të profilit të lartë për abuzim dhe shfrytëzim seksual të fëmijëve në institucionet rezidenciale shtetërore hungareze, përfshirë kryerjen dhe mbulimin zyrtar të abuzimit seksual të fëmijëve dhe dhunimit të tyre në Institucionin e Riedukimit të Rrugës Szolo në Budapest. Deri më tani, hetimet kanë identifikuar 15 viktima të mitur.
Historitë e rrëfyera tregojnë se në Hungari, ashtu si edhe në vende të tjera të zhvilluara, janë kryesisht ata që janë brenda sistemit të mbrojtjes së fëmijëve që bëhen viktima të prostitucionit të fëmijëve dhe abuzimit me substanca. Fëmijët në kujdestari janë tashmë ndër më të cenueshmit: të neglizhuar, të pafavorizuar, të abuzuar – dhe, për rrjedhojë, lehtësisht të shfrytëzueshëm. Ata zakonisht janë në shënjestër të rrjeteve kriminale; tutorët në mënyrë efektive depërtojnë sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, ndonjëherë me bashkëpunimin e punonjësve të shtetit. Përtej një pike të caktuar, ata që punojnë në sistem, si edhe policia, po rezultojnë të pafuqishëm për ta ndalur këtë fenomen.
Burra në të njëzetat mund të ishin klientë të vajzave nga 8 deri në 12 vjeçe, me dijeninë e drejtorit të institucionit. Fëmijët dilnin dhe takoheshin me këta burra. “Të njohurit” paguanin për të brendshmet e tyre të përdorura. Një vajzë 13-vjeçare nuk u kthye natën nga leja.
– Një përgjigje e dorëzuar në pyetësorin anonim të Atlatszo-s
Shtëpi fëmijësh të pafuqishme

Shtëpitë e fëmijëve në Hungari nuk janë institucione të mbyllura: fëmijët ndjekin shkollën – shpesh në një qytet tjetër – dhe u lejohet të largohen nga institucioni në kohën e lirë. Kjo i bën ata, në thelb, shumë më të aksesueshëm për rrjetet kriminale. Problemet strukturore të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, si trajnimi i pamjaftueshëm i kujdestarëve dhe qarkullimi i vazhdueshëm i stafit, kontribuojnë më tej në paaftësinë e institucioneve për t’u rezistuar tundimeve apo kërcënimeve që vijnë nga jashtë.
Shtëpitë e fëmijëve vizitohen rregullisht nga të rritur të përfshirë në prostitucion. Mbrojtja e fëmijëve prej tyre është jashtëzakonisht e vështirë, pasi këta persona u ofrojnë fëmijëve përvoja dhe të mira materiale shumë më tërheqëse sesa ato që institucionet mund të sigurojnë. Janë zhvilluar herime në disa raste, por shumica përfundojnë për mungesë provash.
— Përgjigje e dorëzuar në pyetësorin anonim të Atlatszo-s
“Kjo ishte më e zakonshme në të kaluarën, por edhe atëherë shumë kujdestarë ankoheshin se thjesht nuk ia dilnin të përzinin vazhdimisht tutorët e prostitucionit nga përpara shtëpive të fëmijëve”, thotë Marta Schermann, regjisore teatri dhe specialiste e edukimit, e cila ka punuar për më shumë se dhjetë vjet me fëmijë në kujdes shtetëror. “Një kujdestar me diplomë mësuesie duke u grindur me tutorë në një cep rruge?”
Një vajzë u mor në moshën trevjeçare nga një biznesmen i pasur, i cili financonte institucionin, u çua në një hotel luksoz për një natë dhe fjeti në të njëjtin shtrat me të. Çdokush me mjaftueshëm para ose lidhje të forta mund të ketë qasje te fëmijët, në një mënyrë ose në një tjetër.
— Përgjigje e dorëzuar në pyetësorin anonim të Atlatszo-s
“Nëse kishte qoftë edhe një dyshim për prostitucion, bënim gjithçka që ishte e mundur – kishim një linjë direkte me komisariatin lokal të policisë, jepnim targat e makinave në të cilat hipnin fëmijët, e kështu me radhë – por nuk mund të bënim më shumë”, thotë Gergely Vaskuti, psikolog, kriminolog dhe ekspert i mbrojtjes së fëmijëve. “Ekzistojnë institucione të mbyllura ku fëmijët mund të mbahen brenda, por në institucionet e hapura kjo nuk është e mundur. Kjo është një dilemë serioze profesionale.”
Sipas një raporti të Komisionit Evropian për vitin 2025, 17,248 persona u bënë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore në Bashkimin Evropian gjatë viteve 2021–2022. Një e pesta e viktimave ishin fëmijë. Në gjysmën e rasteve të regjistruara, shfrytëzimi ishte seksual, ndërsa 92 për qind e viktimave ishin gra.
Arratisjet
“Largohesha vazhdimisht nga shtëpia e fëmijëve, përdorja drogë dhe, madje, isha shpallur në kërkim nga policia, por ata nuk më kapën kurrë”, kujton Reni.
Pas një kohe, ajo u lidh me një djalë dhe jetoi bashkë me të dhe familjen e tij. Kur lidhja përfundoi, ajo mbeti pa asnjë vend ku të shkonte. “Disa të njohur të familjes, një çift i martuar, më morën në shtëpinë e tyre dhe më thanë se mund të jetoja me ta. Pastaj më thanë se duhej të paguaja. Nuk dija si dhe atëherë filluan të më çonin në një bujtinë në Austri”, tregon ajo.
Përveç Renit, edhe gjashtë deri në tetë vajza të reja të tjera punonin në atë bujtinë si prostituta. Pas disa javësh, kur doli se ajo ishte shtatzënë nga lidhja e saj e mëparshme, Reni u arratis.
Sipas ekspertëve, janë tipike tre lloje sjelljesh arratisjeje. E para është kur të rinjtë largohen për fundjavë për arsye argëtimi, zakonisht në grup, dhe kthehen deri të dielën në mbrëmje. E dyta është kur fëmijët qëndrojnë në arrati për disa ditë. Kategoria e tretë, dhe më e rrezikshmja, përbëhet nga mungesa të gjata që zgjasin javë apo edhe muaj.
Në raste të tilla, shtëpia e fëmijëve nuk ka asnjë informacion për fëmijën. Gjatë kësaj kohe, fëmijët shpesh jetojnë me të panjohur, bien viktimë e abuzimit seksual ose përfundojnë në rrethe kriminale, ku herët a vonë detyrohen të kryejnë krime.
“Kam punuar në një shtëpi speciale fëmijësh. Më ishin caktuar shtatë vajza të reja, por në tre muaj takova vetëm tre prej tyre. Të tjerat ishin në arrati. Qasja institucionale në atë kohë ishte të mos pengoheshin arratisjet, sepse pak më parë një i afërm kishte therur për vdekje një kujdestar teksa ky i fundit përpiqej të ndalonte një fëmijë që po largohej. Nga tre vajzat që shfaqeshin herë pas here, dy ishin të përfshira në prostitucion dhe përdorim të substancave. Njërën, madje, e vizitonte tutori i saj brenda institucionit. Një tjetër ishte detyruar të ushtronte prostitucion nga njerku që në moshën 12-vjeçare. Institucioni ishte i pafuqishëm në këto raste. Për këtë arsye dhashë dorëheqjen.”
— Përgjigje e dorëzuar në pyetësorin anonim të Atlatszo-s
Sipas të dhënave të Zyrës Qendrore të Statistikave të Hungarisë (KSH), në vitin 2023, 156 fëmijë u arratisën nga familjet kujdestare, ndërsa 3,131 fëmijë u larguan nga shtëpitë e fëmijëve. Rreth 23,000 fëmijë jetojnë në kujdes shtetëror në Hungari; afërsisht 7,500 prej tyre në shtëpi fëmijësh, ndërsa pjesa tjetër jeton me prindër kujdestarë. Bazuar në këto shifra, pothuajse gjysma e fëmijëve që jetojnë në shtëpitë e fëmijëve klasifikohen si të arratisur.
Në momentin e shkrimit, policia kishte regjistruar 2,354 persona si të zhdukur, prej të cilëve 1,306 ishin nën moshën 18 vjeç. Megjithatë, regjistri nuk tregon nëse këta persona janë zhdukur nga familjet e tyre apo nga institucione shtetërore.
“Vajzat arrinin të largoheshin nga një qendër riedukimi duke u detyruar të kënaqnin seksualisht rojën, me dijeninë e drejtorit të institucionit. Kjo ndodhte rregullisht. Drejtori dhe përgjegjësi profesional nuk bënin asgjë. Nuk punoj më aty.”
— Përgjigje e dorëzuar në pyetësorin anonim të Atlatszo-s
Institucione të tejmbushura

Atila* punoi si kujdestar për më shumë se dhjetë vjet. Me iniciativën e tij personale, ai ka gjetur dhe ka kthyer në Hungari rreth 200 fëmijë të arratisur, kryesisht vajza, nga jashtë vendit, ku ishin detyruar të punonin si prostituta. Viktima më e re ishte një vajzë 12-vjeçare, e varur nga heroina dhe e sëmurë me hepatit.
“Ndodhte shpesh që të sillja një vajzë nga Gjermania dhe ajo të ishte plotësisht ë rraskapitur. Gjatë udhëtimit me makinë i flisja vazhdimisht njërës prej tyre – ishte në kriza abstinence dhe mund t’ia mbathte në çdo moment. Ka pasur edhe një rast kur njëra tentoi të hidhej nga makina në lëvizje dhe mezi arrita ta kapja prej flokësh”, rrëfen Atila. “Dhe pastaj mbërrinim në Hungari, por nuk gjeja asnjë institucion që të pranonte ta strehonte. Një institucion i mbyllur, ku problemet e saj të trajtoheshin në mënyrë gjithëpërfshirëse, do të kishte qenë një ndihmë e madhe.”
Për shkak të arratisjeve të përsëritura, mungesave në shkollë dhe përdorimit të drogës, edhe Reni u vendos në një shtëpi speciale fëmijësh. Në këto institucione, lëvizjet e fëmijëve janë të kufizuara dhe arsimi zhvillohet brenda institucionit. “Kjo më ndihmoi”, thotë Reni. “Aty vërtet fillova ta ndryshoja jetën time. Ndiqja rregullisht shkollën dhe merrja pjesë në programe ndërgjegjësimi dhe zhvillimi profesional.”
“Nëse një fëmijë arratiset shumë herë, nis procedura për futjen e tij në një institucion special. Mblidhet një komision ekspertësh dhe urdhëron sistemimin në një shtëpi speciale fëmijësh – por zakonisht ka, të themi, një listë pritjeje prej gjashtë muajsh. Fëmija ka shumë gjasa të arratiset sërish brenda një jave, kështu që i gjithë procesi është absurd”, thotë Atila.
“Pikërisht në këto komisione ekspertësh takova disa herë Peter Pál Juhász – ai i gjente aty viktimat e tij, vajzat”, shton ai, duke iu referuar ish-drejtorit të Institucionit të Riedukimit të Rrugës Szőlő në Budapest, i akuzuar për abuzim seksual, por që për vite me radhë dyshohet se ishte mbrojtur nga njerëz në pushtet. Juhász ndodhet në paraburgim që prej majit 2025, nën dyshimin për trafikim qeniesh njerëzore dhe vepra të tjera penale të lidhura.
“Këto janë probleme jashtëzakonisht komplekse dhe i mbingarkojnë plotësisht fëmijët në të gjitha llojet e institucioneve. Gjithçka nis që nga prindërit. Për shembull, fëmijët kanë vizita javore në shtëpi, ku, për shembull, ka ndodhur që dy vajza binjake janë detyruar nga prindërit e tyre të masturbojnë xhaxhain e tyre, ose që një gjysh ka përdhunuar një vajzë trevjeçare (këtu u nisën procedura, por nuk pati asnjë rezultat). Të gjithë këta fëmijë janë të traumatizuar, por nuk marrin asnjë ndihmë reale dhe vazhdojnë ta traumatizojnë njëri-tjetrin ose thjesht përdoren nga rrjetet kriminale.”
— Përgjigje e dorëzuar në pyetësorin anonim të Atlatszo-s
Një studim i Institutit Kombëtar të Kriminologjisë në Hungari analizoi 248 dosje penale. Ai arriti në përfundimin se “të rinjtë që jetojnë në shtëpi fëmijësh hyjnë në kujdes institucional pasi kanë përjetuar tashmë kriza të shumta dhe trauma të rënda”. Autorët konstatuan se në 95 për qind të rasteve, fëmijët kishin qenë më parë viktima të një forme abuzimi – psikologjik, fizik ose seksual – brenda familjeve të tyre biologjike.
Një keqkuptim i përhapur në shoqërinë hungareze – përfshirë edhe mes disa punonjësve të policisë, madje, edhe kujdestarëve – është se prostitucioni është një vendim i pavarur i marrë nga fëmijët apo të rinjtë, i nxitur nga “shpresa për para të lehta” ose nga “dëshira seksuale e pakontrollueshme”. Megjithatë, profesionistët që punojnë në sistem – ashtu si edhe ligji – i konsiderojnë qartazi dhe pa përjashtim fëmijët e përfshirë në prostitucion si viktima të shfrytëzimit, edhe kur ata shprehin verbalisht pëlqim.
Droga: në rrezik të shtuar

“Një përqindje tmerrësisht e lartë e fëmijëve në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve janë të varur nga droga ose alkooli, shpesh në forma shumë të rënda”, thotë specialistja e edukimit Schermann. “Nga ai moment, njeriu nuk është më në kontroll të vetes: duhen para për alkool ose për drogë.”
Tutorët shpesh i mbajnë viktimat në një gjendje varësie dhe cenueshmërie duke nxitur dhe duke mbajtur gjallë përdorimin e drogës, thotë kriminologu Windt. “Kjo lloj ‘ushqyerje’ është një nga metodat tipike.”
“Të rriturit që i ndihmojnë vajzat të ikin sjellin metamfetaminë dhe marijuhanë brenda institucioneve. Burra të rritur i ndihmojnë vajzat e reja të arratisen dhe më pas i shesin për prostitucion. Varet se sa ‘e gatshme’ është vajza, por duke qenë se viktimat rrallë mund të mbështeten te të rriturit për ndihmë, për një shumë shumë të vogël parash ato pranojnë të shiten. Asnjëherë nuk nisen procedura; askush nuk interesohet.”
— Përgjigje e dorëzuar në pyetësorin anonim të Atlatszo-s
“Tutorët shpesh përdorin substanca psikoaktive për të ruajtur performancën, sepse gatishmëria e vazhdueshme, oraret e gjata të punës dhe ngarkesa gjatë natës e rëndojnë jashtëzakonisht trupin”, thotë Ëindt. “Një vajzë e re me të cilën fola i kishte dhëmbët e sipërm krejtësisht të nxirë, sepse ia vendosnin gjithmonë aty metamfetaminën.”
“Marijuhana sintetike, metamfetamina dhe drogat sintetike e modifikuar në përgjithësi janë më të përhapurat, pasi janë të lira dhe lehtësisht të aksesueshme. Tregtarët shfaqen shpesh rreth institucioneve dhe, në disa raste, vetë banorët e institucioneve kthehen në shpërndarës.”
— Përgjigje e dorëzuar në pyetësorin anonim të Atlatszo-s
“Punoj në mbrojtjen e fëmijëve që nga viti 1997 dhe gjithçka thjesht është përkeqësuar”, thotë Atila. “Droga ishte tashmë një problem i madh 10–15 vite më parë, por që kur u shfaq metamfetamina, situata është bërë rreth njëqind herë më e keqe. Gjendja është ferr. Policia reagon vetëm pasi gjithçka ka ndodhur – njësoj si profesionistët dhe të gjithë të tjerët. Nuk ka asnjë përgjigje të përshtatshme, as profesionale dhe as nga autoritetet, ndaj tani qeveria hungareze po përpiqet ta zgjidhë politikisht, me forcë. Kjo është letra e fundit që kanë në dorë – e vetmja që u ka mbetur të luajnë.”
Rruga Szolo: rregull apo përjashtim?
“Në të gjithë karrierën time – dhjetë vjet, pjesa më e madhe ‘në terren’, domethënë në shtëpi fëmijësh – nuk kam hasur asgjë si ajo që ndodhi në Rrugën Szolo, ku drejtuesit ndërtonin ose merrnin pjesë në një rrjet kriminal të organizuar për të prostituar fëmijët që u ishin besuar”, thotë Vaskuti, psikolog, kriminolog dhe ekspert i mbrojtjes së fëmijëve. “Por ajo që kam hasur është se ata që punojnë në mbrojtjen e fëmijëve janë mbi-përfaqësuar mes viktimave të prostitucionit.”
“Fëmijët që përdorin drogë nuk marrin asnjë ndihmë. Vajzat shpesh sigurojnë cigare dhe drogë përmes punës seksuale. Një vajzë 11-vjeçare vendoset në një institucion të hapur, por ajo duhet të ishte në një institucion të mbyllur për shkak të të kaluarës së saj. Nuk ka psikologë që të merren me fëmijët. Të gjithë banorët janë fëmijë speciale dhe ndodhen në institucione normale.”
— Përgjigje e dorëzuar në pyetësorin anonim të Atlatszo-s
Sipas Atilas, “përsëri ka një justifikim të bardhë dhe ultra-liberal nga njëra anë, dhe nga ana tjetër një mentalitet turbo-hungarez ‘vriti të gjithë’ – dhe nuk mund ta përballojmë dot faktin që ka një numër shumë të madh fëmijësh dhe kolegësh në sistem që e bëjnë punën e tyre me dinjitet dhe kujdes”.
Schermann pajtohet: “Unë nuk jam e pranishme në shtëpitë e fëmijëve 24 orë në ditë, madje, as tetë orë; vij e shkoj, por kam qenë në shumë vende dhe kam folur me shumë njerëz gjatë dhjetë viteve të fundit. Bazuar në këtë, besoj se, përveç nëse një institucion udhëhiqet nga një person i korruptuar dhe keqdashës, siç ishte rasti në Rrugën Szolo, nuk është tipike që drejtuesit të detyrojnë fëmijët apo të rinjtë që të prostituohen për fitime.”
Ajo shton se ndodh që “një ose dy kujdestarë të paaftë – zakonisht të pa kualifikuar – mund të depërtojnë në një institucion dhe të kryejnë abuzim seksual ose trajtim tjetër të papranueshëm. Por aty ku drejtuesit dhe stafi janë kompetentë dhe me vullnet të mirë, abuzimet zbulohen dhe kapen.”
“Në vitin 2022, punova për disa muaj në një shtëpi fëmijësh me dhjetë adoleshentë, djem dhe vajza. Një vajzë 14-vjeçare jetonte me para që i fitonte duke ushtruar prostitucion, si dhe mbështeste edhe nënën e saj të alkoolizuar dhe motrat e vëllezërit e saj. Ajo pinte vazhdimisht alkool përveç medikamenteve për ADHD. Tre djem më të rritur ishin të varur nga droga, dy nga alkooli. Gjatë kohës që isha atje, u zbulua se një roje i alkoolizuar që ngacmonte fëmijët ishte shkarkuar nga puna kohët e fundit. Nuk kishte drejtues grupi, as drejtues profesional, dhe nuk kishte mjaftueshëm kujdestarë. Kur u prezantova para fëmijëve, një vajzë 13-vjeçare pyeti: “Pse? Pas nja dy javësh edhe ti do të zhdukesh gjithsesi.”
— Përgjigje e dorëzuar në pyetësorin anonim të Atlatszo-s
Në vitin 2024, Avokati i Popullit në Hungari shqyrtoi përsëri funksionimin e institucioneve të mbrojtjes së fëmijëve dhe raportet konfirmuan sërish probleme serioze, të shkaktuara nga qarkullimi i vazhdueshëm i stafit, mungesa e përgatitjes e aplikantëve dhe kualifikimet profesionale të pamjaftueshme.
“Në Hungarinë perëndimore ka një qytet ku tetë ose nëntë shtëpi fëmijësh u mbyllën sepse nuk kishte staf”, thotë Atila. “Jo sepse nuk ka mësues të edukimit special apo punonjës socialë – nuk kishte askënd fare. As qoftë edhe një njeri që dikur ngiste pirunin në një dyqan pajisjesh pune apo ndonjë që dikur sistemonte raftet në një hipermarket – nuk kishte as edhe një qenie njerëzore.”
Prostitucioni i fëmijëve është “thelbësisht latent dhe kryesisht i fshehtë… ndaj numri i rasteve të tilla dhe madhësia e vërtetë e problemit nuk mund të llogaritet”, sipas një raporti të mëparshëm të Avokatit të Popullit.
Ky përfundim mbështetet nga Atila: “Nga 200 fëmijët e mi – të mitur, për më tepër – asnjë rast nuk shkoi në gjykatë. Shpesh arrinim deri te raportet policore, por më pas nuk më thërrisnin kurrë për të dëshmuar në gjykatë.”
Sipas Windt, nëse merren parasysh të gjitha kategoritë e krimit të lidhura – trafikimi i qenieve njerëzore dhe puna e detyruar, tutorimi, dhe shfrytëzimi i fëmijëve për prostitucion – atëherë çdo vit nisin afërsisht rreth 200–300 procedime penale. “Kjo është padyshim vetëm maja e ajsbergut, por nuk është e vërtetë që nuk nisin procedime”, thekson ajo.
“Policia dhe autoritetet kanë një detyrë shumë të vështirë, sepse shfrytëzimi seksual dhe ai i lidhur me prostitucionin janë jashtëzakonisht të vështirë për t’u provuar”, thotë Vaskuti. “Është më e lehtë nëse ka një situatë të kapur ‘në flagrancë’ dhe viktima deklaron se pala tjetër e dinte që ishte e mitur dhe se i premtoi kompensim. Por sa shpesh ndodh kjo?”
“Bëra stazhin për disa muaj në një shtëpi speciale fëmijësh. Shpesh, tutorët e tyre prisnin vajzat kur dilnin, duke i bërë të mendonin se ishte një histori dashurie. Shumë prej tyre nuk ktheheshin sepse dërgoheshin jashtë vendit për të punuar si prostituta.”
— Përgjigje e dorëzuar në pyetësorin anonim të Atlatszo-s
Për shkak të lidhjes emocionale, viktimat zakonisht e kanë jashtëzakonisht të vështirë të bëjnë kallëzim ose të japin dëshmi komprometuese. Këto raste ndryshojnë ndjeshëm nga, për shembull, një vjedhje, ku është e qartë se autori duhet të ndëshkohet. Literatura i referohet “metodës së dashnorit”, ku autori ndërton gradualisht besimin, formon një lidhje emocionale dhe i manipulon viktimat me fjalë të buta dhe premtime joreale. Fëmijët në kujdes shpesh janë të gatshëm të bëjnë pothuajse gjithçka për një fjalë të vetme të mirë.
Por disa arrijnë ta thyejnë ciklin dhe vazhdojnë jetën e tyre. Reni tani është e martuar, rrit dy fëmijë të vegjël me burrin e saj në një zonë rurale. Njëri shkon në kopsht dhe tjetri është ende në shtëpi. Megjithatë, motra e Renit nuk ka pasur të njëjtën fat. Ajo vazhdon të fitojë para përmes prostitucionit dhe është ende e varur nga droga.
*Emrat janë ndryshuar
Ky artikull u publikua për herë të parë nga Atlatszo në Hungari.







