
Si gjithmonë, fjalimi i presidentit amerikan Donald Trump në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos muajin e kaluar ishte një përzierje trillimesh, fjalësh pa lidhje dhe gabimesh gjuhësore. Megjithatë, ai përmbante një lajm të mirë: pas javësh kërcënimesh për të marrë Groenlandën, me forcë nëse do të duhej, ai dukej se po tërhiqej.
Duke pranuar një “kornizë për një marrëveshje të ardhshme” që sipas tij do t’i jepte SHBA-së “akses total” në Groenlandë – gjë që ajo praktikisht e ka tashmë – Trump duket se, të paktën për një moment, pranoi parimin se një vend sovran nuk duhet ta pushtojë territorin e një vendi tjetër. Për dikë që njëherë e përshkroi pushtimin rus të Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin si “gjenial”, kjo sugjeron një farë evolucioni, megjithëse më shumë i nxitur nga vendosmëria e jashtëzakonshme e liderëve evropianë sesa nga vetë-reflektimi.
Megjithatë, ky pragmatizëm i ri nuk u përkthye në asnjë respekt për Danimarkën, e cila mban sovranitetin mbi Groenlandën. Pavarësisht se është një aleat i ngushtë i SHBA-së, Danimarka ka qenë prej kohësh objekt i talljes së Trump. Në Davos, ai pretendoi se SHBA-ja “nuk kishte marrë kurrë asgjë” nga Danimarka në këmbim të çlirimit të vendit nga pushtimi nazist në vitin 1945.
Versioni i historisë nga Trump fshin lehtë rolin jetik të luajtur nga vende dhe udhëheqës të tjerë, veçanërisht Winston Churchill dhe forcat e armatosura britanike. Sikur Trump të ishte aty në atë kohë, ai padyshim do të kishte ndjekur paraardhësin e tij të “Amerika e Para”, Charles Lindbergh, duke kundërshtuar hyrjen e Amerikës në Luftën e Dytë Botërore.
Sigurisht, shumë amerikanë vdiqën heroikisht gjatë asaj lufte dhe asgjë nuk mund t’u heqë meritat për guximin e tyre apo udhëheqjen strategjike të Komandantit Suprem Aleat Dwight D. Eisenhower. Por pretendimi i Trump se Danimarka nuk ka kontribuar asgjë në NATO është thjesht i pavërtetë, jo më pak sepse ky pretendim injoron sakrificat disproporcionale të trupave daneze në Afganistan pasi NATO-ja aktivizoi Nenin 5 pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Danimarka nuk ishte i vetmi objektiv i injorancës dhe gënjeshtrave të Trump në Davos. Ai gjithashtu pretendoi, gabimisht, se trupat britanike qëndruan “jashtë vijës së frontit” në Afganistan. Në realitet, 457 pjesëtarë të shërbimit britanik humbën jetën atje dhe qindra të tjerë pësuan lëndime serioze.
A do të kërkojë ndonjë zyrtar amerikan falje ndaj familjeve të të rënëve britanikë? Ambasada e SHBA-së në Londër nuk ka gjasë të pranojë letrat e ankesave e jo më të kërkojë ndjesë. Ka ikur koha kur në Londër shërbenin ambasadorë si Kingman Breëster dhe Raymond Seitz – të dy diplomatë të shkëlqyer me të cilët kam punuar ngushtë gjatë kohës sime si komisioner evropian për çështjet e jashtme. Edhe pse Departamenti Amerikan i Shtetit ka ende shumë diplomatë të aftë, ata shpesh nënvlerësohen dhe turpërohen nga veprimet e presidentit të tyre.
Përbuzja e Trump-it ndaj aleatëve të vjetër është përpjekur të justifikohet nga zëvendësshefi i tij i stafit, Stephen Miller, i cili beson se forca dhe fuqia ushtarake janë gjërat e vetme që kanë rëndësi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Miller duket se dëshiron një rikthim në ditët kur shtetet e fuqishme i bullizonin shtetet më të vogla, sipas logjikës së përshkruar famshëm nga Tukididi: “Të fortët bëjnë çfarë munden, ndërsa të dobëtit vuajnë atë që duhet.”
Ndërsa Trump e përjashtoi veprimin ushtarak kundër Groenlandës (dhe Islandës), “korniza e marrëveshjes” që ai shpalli në Davos – që supozohet se synonte forcimin e mbrojtjes së Groenlandës kundër agresionit të mundshëm rus ose kinez – ngre një pyetje të qartë. Duke qenë se Trump priret të bëjë çfarëdo që dëshiron Putin, veçanërisht kur bëhet fjalë për Ukrainën, pse është ai papritmas kaq i shqetësuar për synimet e Rusisë ndaj Groenlandës? E kaluara e tij ofron pak arsye për t’i marrë garancitë e tij si të mirëqena.
Ky skepticizëm u artikulua më qartë nga kryeministri kanadez Mark Carney. Në një fjalim historik në Davos, ai e hodhi poshtë me vendosmëri qasjen e Trump-it se “forca bën ligjin” dhe turpëroi liderët që kanë zgjedhur pajtimin në vend të parimeve të tyre. Duke e pranuar se asnjë sasi nënshtrimi dhe respekti nuk mund ta kënaqë nevojën e pangopur të Trump-it për lajka, Carney bëri thirrje që demokracitë e mesme si Kanadaja, Australia, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar të punojnë së bashku për të ruajtur atë që ka mbetur nga rendi ndërkombëtar i pasluftës dhe institucionet që e mbështesin atë.
Duke vepruar kështu, Carney ofroi një model për t’u ndjekur nga të tjerët: përballjen me destruktivitetin e Trump-it jo përmes pajtimit, por duke thelluar bashkëpunimin në tregti, diplomaci, mbrojtje dhe politikë ekonomike. Inkurajues është fakti se vende si Franca, Gjermania dhe Australia duken të gatshme të ecin në këtë drejtim. Mbretëria e Bashkuar duhet të ndjekë të njëjtën rrugë duke rindërtuar lidhjet e saj tregtare, ekonomike dhe të sigurisë me BE-në.
Kryeministri britanik Keir Starmer duhet gjithashtu të përqendrohet në dy prioritete kyçe të politikës së jashtme. Së pari, aleatët e Ukrainës duhet t’i sigurojnë asaj burimet që i nevojiten për të mposhtur Rusinë. Së dyti, Britania dhe partnerët e saj duhet të ripërkushtohen ndaj zgjidhjes me dy shtete, e cila mbetet e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt paqes afatgjatë mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe drejt stabilitetit në Lindjen e Mesme.
Kjo agjendë duhet të gëzojë mbështetjen e elementeve më të përgjegjshme të Partisë Konservatore. Alternativa përballë kësaj është të lejohet që partia e ekstremit të djathtë Reform UK e Nigel Farage dhe partia e ekstremit të majtë Your Party e Jeremy Corbyn të dominojnë debatin publik me propozime ekonomike të pamatura dhe politika të jashtme pro-ruse. Mbretëria e Bashkuar – dhe Evropa – nuk mund ta përballojnë asnjërën prej tyre.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. A United Front to Tame Trump







